PSE PO FRYJNË SIRENAT E LUFTËS?

LABIRINTI I KAOSIT … SUBKOSHIENCA E THANATOSIT!

Nuk e di pse, apo dikund e di … por ky vit 2024 do ta ketë një rëndësi të veçantë në lidhje me ekuilibrin global të Botës. Është ndjenja suplementare e artistave autentik … një përceptim, një sensacion, një mesazh IKS, i ardhur ku me e ditur nga ku, një valë, një energji, një luhajtje, një atmosferë, një fluturim fluture apo dallëndyshe? Por siç do na kishin thënë me siguri Oraklet apo Vestalet e dikurshme : « zonja dhe zotërinj, qytetarë të nderuar – shenjat nuk janë aspak të mirë, ngaqë po na fishkëllejnë errëna, stuhi negative nga të gjitha anët, me plot shembuj për zi! Por çka është më e çuditshmja në këtë kontekst aq patologjik, është apatia e jonë, indiferenca, letargia, narkoza, si t’ishim të gjithë të droguar dhe të vërbuar, të pastruar nga truri, të lobotomizuar, si me pas marrë mësysh, si me na pas lëshuar dikush një nemë, një fall të keq … Pa mendim kritik, pa reagim qytetarë apo intelektualë, pa kundër propozim, pa protestë, pa mobilizim të opinioneve publike, pa thirrje për diçka tjetër pak më të shëndoshë dhe më logjike!

Mjaft ishim të krisur në Majin 1968 në Paris, porse e kemi pasur të gjithë, pos hedonizmit maksimal dhe festivalin e qejfeve, një koshiencë politike, sociale dhe qytetare, dhe nuk kemi hezituar për t’u prononcuar, kur ndodhte një padrejtësi flagrante apo një çorodi e pa pranueshme. Kurse sot, nuk pyet askush për asgjë, nuk do me ditur askush për asgjë. Mbretëron një egocentrizmin primitiv fëminor, një indiferencë e paparë, me një tufë qytetarësh të hipnotizuar pas ekraneve dhe imazheve. E pra, më duket që i kemi disa dëtyrime humane dhe morale, ndaj vetes, ndaj shoqërisë tonë përreth dhe ndaj Kombit, apo Shtetit, si të doni … se tek e fundit, gjithë çka mund të ndodhin në Shqipëri, apo në Europë, na takon, deshëm apo nuk deshëm. Po çka dreqin na ka gjetur, o të dashur Lexues? Pse duhet t’i pësojmë pa asnjë reagim, të gjitha këto absurditete dhe idiotësi njerëzore të grumbulluara? Ngaqë nuk po na vijnë prej qiellit as prej Zotit, por prej Njeriut!

Neve, a po e shohim që asgjë nuk po funksionon siç duhet, në bazë të një rregulli të drejtë, ligjor, human dhe 100 përqind demokratik dhe pra, po pajtohemi me të papajtueshmën, po i pranojmë si t’ishin diçka normale, të gjitha çregullimet, çoroditjet, padrejtësitë, korrupsionet, amoralitetet, e të tjera … po i adoptojmë antivlerat si t’ishin vlera madhore, dhe po i thrrasim Derrit-Dajë! Po pse? Kështu na kanë pas edukuar të parët tonë, Baballarët, Gjyshërat dhe Gjyshet tona burrërrore, fisnike dhe dinjitoze? Për t’u zhveshur komplet nga gjithçka, duke mos e patur asnjë shtyllë kurrizore, asnjë parim, asnjë drejtim preciz në jetë, duke shlyer gradualisht çdo identitet, çdo referencë, çdo vlerë kombëtare shqiptare, nga komplekset dhe frustrimet tona të shumëta, të pa emër, dhe sidomos të pa trajtuara, të pa analizuara … duke veshur çfarëdo kostumi të huaj, duke luajtur çfarëdo roli të imponuar nga modat e jashtme, kinse për t’u dukur modern i kohës, por pa asnjë bazë serioze, asnjë themel identitarë që qëndron 5 minuta në këmbë, para çfarëdo profesionali të Botës, i dalur nga Oksfordi, Harvardi, Stanfordi, Sorbona, e të tjera qendra universitare me prestigj të konfirmuar.

Se nuk është puna me e kënaqur apo me e bindur njëri-tjetrin me përralla apo me mite të lezetshme në dukjen e parë, se sa të mirë, të bukur, të mëdhenj dhe gjenial jemi si Shqiptarë, por me i bindur të gjithë specialistat eminent të Botës, me argumente shkencore të padiskutueshme, se kush jemi, çka jemi dhe sa peshojmë para të tjerëve në Kontinentin Evropian dhe në Planetin tokësorë?

Gjithë problemi ynë, tamam si në filmat e Angelopoulosit, me të cilin kam pas qendruar dhe biseduar disa herë, është për të prodhuar pak qartësi racionale, e jo vetëm mjegulla, supozime hipotetike dhe konfuzione. Neve, nuk e kemi asimiluar sot, dhe po mendoj për Rininë tonë, hierarkinë e vlerave referenciale, sepse nuk i njohim, ngaqë nuk ekzistojnë « de fakto » kur nuk i ka fiksuar dhe afirmuar me një autoritet të konfirmuar akush (një komision i elitës akademike kombëtare). Pyesni një student maturant, e pastaj një i vitit fundit Master të Universiteteve, sa për kuriozitet dhe do habiteni me rezultatin katastrofik: cilat janë për të, sot në 2024 në Tiranë apo në Prishtinë, vlerat madhore referenciale të pa kontestueshme shkencëtarisht dhe për nga ana profesionale, në fushën e Letërsisë, Muzikës, Filmit, Pikturës, Filozofisë, Sociologjisë, Psikologjisë, Shkencave natyrore, etjera? Provojeni një sondazh me 1000 studenta Maturant dhe 1000 me Mastera, e pastaj do flasim së bashku, por mbi disa fakte reale!

Çka është kinematografia, ose arti i shtatë, o Lexues? Serialet turke dhe latino-amerikane? A i kujtohet sot dikujt: Jean Vigo, Carl Dreyer, Jean Renoir, Marcel Carné, Mizogushi, Ozu, Luis Bunuel, Ingmar Bergman, Viktor Erike, Carlos Saura, Nagisa Oshima, Wajda, Kieslowski, Andrei Tarkovski, Jean-Luc Godardi, Fassbinderi, Herzogu, etjerë? Definitivisht jo!   

Çka është filozofia, psikologjia dhe sociologjia? Ermal Mamaçi me shokë dhe shoqe? Mund të flitet këtu për Jacques Derrida, Gilles Deleuze, Jean Baudrillard, Edgar Morin? Harrone! Çka është gazetaria dhe politologjija profesionale, o Miq? Editorialistat dhe Gjithologët tanë të ekraneve shqiptare, të parapaguar gati si zëdhënës, për promovimin e dikujt IKS. Ose mjerimi intelektualë i animatorëve, që janë aty vetëm sa për të mbushur programe televizive. Siç duket, për një pjesë të madhe të Popullsisë, të gjitha këto i ka zavendësuar sot INTERNETI me rrjetat shoqërore të komunikimit, i cili nuk prodhon në realitet asnjë komunikim real të thelluar autentik, por një pseudo-komunikim fiktiv, i metamorfozuar në një seancë monologu narcisik. Nuk jemi në shkëmbim apo në dëgjim të tjetrit, por vetëm në : « le të më dëgjon mua bota, le të më sheh në foto, ja ku jam, ja çka mendoj unë për momentin, ja çka po bëj aktualisht … pra, jemi në një raport puro narcisik me vetveten, por i projektuar tek të tjerët.»

Domethënë, që sot kultura, arti, intelekti, komenti, analiza, e çka të doni … kalon kryesisht përmes ekraneve dhe rrjetave shoqërore … sa klika, sa followers ke, sa BUZZE ke shkaktuar, sa je prezent në facebook, twitter, instagram, tik-tok? … I cili student e lexon sot një kritikë profesionale të propozuar në gazetën New-York Times, apo Le Monde, apo në një revistë të specializuar filozofike apo letrare? Do të thotë që kemi kaluar në një epokë tjetër, porse kanë ngelur disa Dinauzora të vjetër duke kullotur sa fletë dushku në Jurasik Parqet e asgjësisë dhe amnezisë, postmoderne « addict » të lojërave dhe të konsumeve, si një veprim puro mekanik dhe pavlovian. Bravo, vazhdoni ashtu, dhe le ti festojmë totalitarizmat e ardhshëm!

Çka është kultura, o Miq dhe Mikesha të nderuar? Gjithë ky bastardim aktual? Telerealitetet, bingot, lojërat e fatit, X-Faktori, Big Brotheri, Ishulli i Tentacionit, Dancing with the Stars, hajgaret dhe humoret vullgare të përditshmërisë, Mulliri i Spektaklit permanent, i cili më në fund prodhon vetëm trullografi dhe amnezi, dhe anulon « De Fakto » çdo tentativë mendimi, thellimi shpirtërorë, analize kritike … Sepse, je i burgosur në tentakulat e atë çka e quaj unë : « narkografia globale e shoqërisë » ose thënë ndryshe : « qysh me e mpi komplet një Popull, me e vendosur në një hipnozë, në një gjumë të kontrolluar dhe të diktuar, për ta përdorur si një kukull, objekt, ose marionetë, dhe për të bërë me të absolutisht çka të duash, ngaqë ja kanë hequr me vite, përmes një matrakazhi propagandistik modern dhe një auto-sugjestionimi permanent të kohës, çdo Personalitet specifik ( kjo është baras në filozofinë e përgjithshme, ose në principin bazë, me metodat e vjetra që përdornin dikur marksistat apo fashistat, por këtu me teknika pak më moderne dhe tepër perverse, duke na lënë akoma një iluzion që jemi në demokraci – kurse jemi në realitet në prag të totalitarizmit, tek Georges Orwelli apo Aldous Huxley, Isak Asimov, tek Kafka, Pallati i Ëndrrave i Kadaresë, Pier Paolo Pasolini, David Lynch, tek bota kompjuterike, kibernetike, kimike dhe biologjike, ajo e manipulimeve gjenetike, e algoritmeve dhe e inteligjencës artificiale ). Kështu, që çdo kapacitet për të menduar diçka në thellësi dhe për ta t’holluar, rafinuar, precizuar mendimin tonë deri në fund është i anuluar, i fshirë, i pamundur.

Sa për të qeshur dhe për ta kuptuar se ku jemi : a mund ta imagjinoni në një program të televizioneve shqiptare sot, në një mbrëmbje pseudo informative dhe kulturore debatesh fiktive, sa për të bërë zhurëm, show dhe ndonjë BUZ eventual për rrjetat shoqërore të analfabetizmit planetarë … Për shembull, tek Blendi Fevziu, Sokoll Balla, Ena Vasili, Sonila Meço, Alban Dudushi, ku janë 4, 5 ose 6 të ftuar për një diskutim rreth një teme IKS – përmes gjithë atyre që i shihni përditë nëpër ekrane në ato lloj programesh, po ta kishin ftuar Fan Nolin, Faik Konicën, apo Gjergj Fishtën? Me u pakur duke qeshur! Nuk do merret vesh se kush janë, as çka kanë thënë në gjithë atë cirkus dhe gabelhane delirante, dhe do na u kishin dukur si 3 injoranta të humbur, bufonë të ardhur kot pahir në atë emision. Pse? Sepse, do jenë direkt të pushtuar dhe të kondicionuar nga forma apo atmosfera e spektaklit global, i cili do ua fshi çdo mendim, do ua zhdukë çdo thellësi intime, kështu që do na duken dëtyrimisht ata tre gjeni të Kombit tonë, si me pas qenë 3 të shkretë, ngaqë i aspiron dhe i asgjëson komplet edhe ata, logjika e spektaklit. Po ashtu, a e imagjinoni Umberto Ecco-në, Volterin, Viktor Hugon, Shekspirin, apo Prustin, në një emision informativ dhe kinse kulturor, i televizioneve Berluskioniane, ose tek Fox News-i, i Donald Trumpit? Do ishte një skeç komik i Marx Brothers apo Monthy Python, për të qeshur gjer në lot.

Me një fjalë tjetër, perversiteti dhe paradoksi qëndron këtu : « sot në Europë, je i supozuar në Demokraci dhe je i lirë … Po, natyrisht në teori dhe pjesërisht në praktikë, por jo me lirinë e Rembosë dhe të anarshistit utopist Skender Sherifi, harrone! Sepse, do jesh i lirë, por brenda kontekstit IKS, sipas normave YPSILON, sipas kornizës dhe funksionimit të Sistemit ALFA, sipas kësaj dhe asaj, brenda këtij kufiri të imponuar, 100 lloj rregullash, të cilat nuk do kesh shanse për t’i kundërshtuar, bile as diskutuar … Kështu, që do e kesh iluzionin e lirisë, por në realitet do jesh i kondicionuar dhe i diktuar! E pra dihet që Demokracia është më i miri sistem politik mes të tjerave që janë edhe më zi. Për fat të madh, kam jetuar epokën më të mirë dhe të bukur të mundshme, ajo më e pasura shpirtërisht dhe më frymëzuesja në të gjitha aspektet, mes viteve 1960 deri në vitet 1990, hajde po e shty deri në vitin 2000 në maksimum. E pastaj, ka filluar regresioni dhe dekadenca globale, cikli i obskurantizmit dhe i mesjetës moderne, ritkthimi në zonat e errëta …     Po, po, o Lexues, ka fituar për momentin dhe ndoshta për gjithmonë dhe pse shpresoj që jo : cirku i Jul Çezarit, lojërat, bixhozet, Las Vegasi, Parket e Atraksionit, zbavitjet dhe argëtimet bazike, ajo çka e quante miku im Guy Debord : « Shoqëria e Spektaklit – në 1967 » ku nuk ka më përmbajtje, ku nuk ka më mendim, por formë, teknikë komunikimi, gjuhë publicitare, tregtare dhe propagandistike dhe show narkotik, sa për t’i vendosur neuronat tona në gjumë dhe për të na përgaditur për hajgare, gabelhane, skllavërime radikale, sa për të na diktuar një seri vlerash të tjera postmoderne, që lidhen me konsumimin dhe me formatimin të një Njeriu të ri, post Niçean, post nazist, një farë AVATARI i shekullit 21 dhe 22, me një kornizim strikt dhe i programuar për t’i zbatuar pa i diskutuar të gjitha direktivat e ardshme. Kjo është për gjithë ata që janë sy çelur dhe akoma koshient, o Miq, SHOQËRIA që do na propozohet nesër, por që ka filluar qysh tani. Juve, a jeni dakort, a pajtoheni, a ju pëlqen ajo lloj bote? Mua, jo! Gjithë pyetja është, a do ketë dikur një reagim i shoqërive civile ( i pushtetëve, nuk e besoj ) kundër këtij modeli shoqëror futurist? Bota post humaniste, algoritmike dhe robotike? Kush mund të shpreh aty romantizëm dhe poezi? Do e pushkatojnë direkt apo do e internojnë urgjentisht në një kamp ri-edukimi, si në filmin « Alphaville » të Godard-it –   i vitit 1965/66. Pastaj, në gjithë këtë kaos të paparë, ku është sot Bota e jonë shqiptare? Cilat janë objektivisht vlerat, normat, kriteret e saj? Si e sheh veten sot, dhe si e projekton veten pas 50 apo 100 vitesh?

Po na fryjnë nga të katër anët siç ju thash në titull : « Sirenat e luftës, apo të luftërave të ardhshme » ngaqë çdo busull është çregulluar, dhe nuk po dihet se ku janë sot rregullat, normat, principet bazë të ekuilbrit të përgjithshëm ndërkombëtarë? Jemi dallashuar komplet, kemi marrur rrugën e mprapshtë, na ka hyr shejtani në shpirt, jemi ndoshta veglat e një subkoshience freudiane të errët, të mistershme, ku pulset e saj negative dhe auto- shkatërruese për disa arsye psikoanalitike IKS, akoma të paqarta, na çojnë në kaos ( por kjo, e donë një terapi të thelluar për ta kuptuar në imtësi – çka neve natyrisht nuk e kemi bërë ) mirëpo janë po ato pulset, reflekset e Thanatosit, të cilat po na shprehen aktualisht, si diçka enigmatike, e cila po na çon ku nuk duhet, si me na pas tërhequr vdekja, shkatërrimi global, vetëvrasja … Dhe e perceptojmë ndoshta dikund intuitivisht, e dimë që e kemi gabim, por po shkojmë megjithatë gati mekanikisht dhe vërbërisht për t’i ra kokës në mur … si me qenë të thirrur, të diktuar, nga një FATUM antik … Mister i madh? A është diçka e shkruar? Por liria dhe vetëvendosja apo përgjegjësia Sartriane, ku janë? Si me i pas thënë vetës : kemi qenë rehat në Europë, tash 70 vite në paqe dhe në qetësi, dhe ku me e ditur pse : tani na duhet për t’u përballur dikund me tragjedinë, me të keqën, me të zezën, me vdekjen, për t’ia ditur më mirë vlerat jetës dhe avantazheve që i kemi pasur gjatë këtyre dekadave …? Kemi qenë tëpër të përkëledhur, të lazdëruar, të privilegjuar, por nuk ja kemi ditur për nder askujt, dhe së pari, as Zotit. Atëherë, a mos po na vjen kjo punë si një lloj dënimi nga lart, nga vet jeta, nga natyra e gjërave? Pikëpyetje! Por dihet që në rregull nuk jemi, na ka humbur logjika humaniste, dëshira e mirëkuptimit, psikologjia e dialogut, e kompromisit paqësor … dhe sot, po dojmë për t’i zgjidhur gjërat me diktat apo me dhunë, duke ja imponuar pikëpamjet tona me forcë të tjetrit, pa e pyetur fare se kush është, apo se çka donë, apo – a e ka më të drejtë, ose jo? Kjo na tregon qartësisht, që dikund ka zënë gradualisht vend edhe tek neve kjo ideja e totalitarizmit, e imponimit, e diktatit me dhunë, e cila natyrisht po i përgaditë edhe Popujt evropianë ( e mos të flasim për të tjerët ) për regjime diktatoriale dhe populiste, të çfarëdo ekstremi ideologjik, por në thelb nuk ka shumë rëndësi ngjyra e tyre, ngaqë metodat dhe sistemet janë gati të njejta në praktikë. A je i zi apo i kuq, nuk prish shumë punë, ngaqë je në koncept totalitarë … të tjerat janë si në Sport, çeshtje tifozëllyku … dikush me Realin, dikush me Barcelonën, dikush me Mançesterin, dikush me Liverpool-in! Grahjani dhe merreni nga një birrë prej meje, o Lexues, me një sahan çipsa! Çlironi në maksimum, kënaquni deri sa t’ju vjen papritmas një farë pseudo-Adolfi, i dalur nga një serial B – amerikan! Ha, ha, ha …

Bota është duke u ri-armatosur gjer në dhëmbë dhe kjo gjë është mjaft shqetësuese, apo jo? A kemi qenë për disa dekada në logjikën e çarmatimit ruso-amerikan dhe evropianë, në atë logjikën e dialogut mes blloqëve për t’i zgjidhur problemet e Botës. Po atëherë çka ndodhi? Disa shkundje sismike, të cilat i morem me shumë lehtësi, si diçka evidente, por që patën pasoja të rënda për më vonë. Muri i Berlinit, bashkimi i Gjermanisë, shpërbërja e Bashkimit Sovietik, eksplodimi i ish Jugollavisë dhe lufta delirante e Millosheviçit, intervenimi unilateral i Amerikës me bumbardimet në Serbi, zgjërimi i Natos tek ish aleatët e Bashkimit Sovjetik, ata të Paktit të Varshavës me Shtetet Balte, deri tek propozimet apo premtimet e bëra ndaj Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë … Pastaj, problematika e Izraelit dhe e Palestinës, ajo e Botës arabe në globalitet me atentatin e bujshëm të New-Yorkut, me 11 shtator 2011, me atë invadimin e Irakut, luftën e Sirisë, Libisë, Yemenit, destabilizimin e Libanit, pranverat arabe, rrymat islamiste dhe fundamentaliste me Ben Ladenin, Daeshin, Boko Haramin, dhe grupet tjera … Pra, deshëm apo nuk deshëm : me vendimet unilaterale të disa fuqijve planetare, pa asnjë dialog paraprak, u thyen gradualisht disa nga rregullat ndërkombëtare esenciale, ato që i kishin vendosur ata vet, përmes Kombëve të Bashkuara. Po atëherë, ju e kuptoni që kur e bën IKSI, pa pyetur askënd ( jo unë jam më i forti dhe do bëj, atë çka dua unë dhe pikë! ) pse mos ta bën dikur më vonë edhe YPSILONI, nëse të sheh ty të lig dhe pak të tërhequr, si një kundërpërgjigje me të njejtin veprim unilateral, pa u lodhur për askënd, dhe për çfarëdo preteksti fiktiv, vetëm për interesat e veta? Ajo çka po ndodh sot me Rusinë e Putinit. A është për t’u çuditur? Në realitet, jo! Sepse, ja kemi përgaditur ne vet terrenin.

Natyrisht, unë sikurse çdo Shqiptarë normal dhe i logjikshëm, në rrethanat që i kemi, do jemi dëtyrimisht pro amerikan, çka nuk mund të diskutohet ( po pse : a më mirë do ishte për të qenë pro rus apo pro kinez? ) ngaqë kush tjetër, pos Gjyshit SAM, mund të na garanton sot apo nesër sovranitetin në Ballkan? Europës si forcë vendimtare strategjike dhe ushtarake, sot për sot, nuk po i beson askush dhe me plot të drejtë. Mirëpo, edhe pse jemi pro amerikanë, duhet ta pranojmë që në disa raste, Amerika ka ekzagjeruar dhe ja ka tepruar, pra ka dalur prej zonës ligjore ndërkombëtare në disa raste dhe ja ka autorizuar vetvetes disa të drejta ekstra … Dhe pastaj dikur çdokush, edhe çobani e kupton, se nuk ka nevojë për me qenë Doktor i Shkencave Politike në Harvard, si Henri Kissingeri, që kur rregulli si rregull ndryshon dhe nuk aplikohet për të gjithë njësoj me të njejtin kandarë objektiv … kur i forti thotë : « unë e kam të drejtën për ta shkelur atë rregull ndërkombëtarë sa herë që të dua … se jam fillani dhe nuk merzitëm për askënd! » krijon një precedent negativ edhe për fuqitë e tjera. Pastaj, kur nuk funksionon e njejta logjikë e rregullit, apo e drejtësisë – çka e konstaton sot çdokush, sepse janë dy kandare, e jo një! – si mes Serbisë apo Kosovës, si mes Palestinës dhe Izraelit, Armenisë, Greqisë apo Turqisë, e shembuj të tjerë … Nuk do mend, që dikur ky fenomen ju bjen në sy të gjithëve, dhe kjo ka pastaj pasoja evidente në Botë. Sepse, do humb besimi jonë në drejtësinë dhe në vet ligjin, do humb kredibiliteti ndaj Shtetëve dhe i Organizatave që e përfaqësojnë, dhe çka është më e keqja, do lëshohet një helm negativ në shpirtin e Njeriut, i cili do përfundon dikur në GËRDI dhe në URRETJE. Futeni vetën 5 minuta në lëkurën e një Palestinezi, Kongolezi, Libanezi, Somalezi, Irakiani, Siriani, apo edhe Kosovari dhe mendoni me kokën dhe me logjikën e tyre : si mund ta perceptojnë ata Popuj sot Amerikën, Europën, Naton, Kombët e Bashkuara, BE-në, FMI-në, e të tjera organizata? Kush mund të na thotë objektivisht që neve e kemi me të drejtë dhe që ata janë gabim, apo edhe e kundërta? Dikur, të gjitha këto fenomene, kur i grumbullon, nuk mund të ngelën pa pasoja negative. Shikone ju vet, pavarësisht simpatitë tona private, sesi e pasqyrojnë dhe e komentojnë Mediat evropiane dhe amerikane intervenimin izraelian në rrypin e GAZES? Nuk do mend, që informacioni manipulohet sipas interesave të Pushtetëve dhe Lobeve të caktuara. Porse disa herë është aq e tepruar, sa qe bëhet gati skandaloze, aq më tepër kur jemi në Shtete të supozuara demokratike, të cilat ju japin leksione të tjerëve. Sepse, nga Shtetet totalitare, ajo dihet paraprakisht, që nuk jemi në Woodstock, apo në kampuset kaliforniane në Berkeley, dhe nuk pret askush asgjë, përpos Gulageve! Por jo në Paris, Bruksel, Londër, apo New-York!

Planetës tokësore, i duhet një Lidership dhe një rregull ndërkombëtarë, çka e kishin ndërtuar Fuqitë e mëdha pas luftës së dytë botërore, me ekuilibrin mes Blloqeve dhe krijimin e disa Organizatave si Kombët e Bashkuara. Dihet që Amerika ka qenë për disa dekada Xhandari kryesorë i Botës, pastaj në rangun e dytë Bashkimi Sovjetik, dhe ashtu u arbitronin mes tyre konfliktet kyesore planetare. Kina ishte partneri i tretë! Mirëpo, Bashkimi Sovjetik eksplodoj dhe u formuan disa Shtete të reja. Jugosllavia njësoj … Pastaj, na erdhi Bushi Junior, gjysmë i trulluar dhe i alkoolizuar, Obama intelektual, por pa vizion ndërkombëtarë dhe na thanë: «që tani Amerika do tërhiqet gradualisht nga roli i saj i Xhandarit në disa skena të Botës, dhe do merret vetëm me problemet e veta të mbrendshme, kurse në fushën internacionale, priorioteti i saj do jetë Azia, deti indokinez dhe Kina si konkurrent apo armiku i saj më i rrezikshëm. Prandaj, do dezangazhohet progresivisht prej Kontinentit evropian » Gabimi i parë fatal, porse i ka 15 vite kjo punë dhe problemi është që mesazhi nuk ka kaluar siç duhet në trurin e Evropianëve, akoma nën narkozën e pacifizmit. E pra, kemi pasur mjaft kohë për ta kuptuar dhe për t’u përgatitur për një skenarë tjetër në lidhje me autonominë dhe me mbrotjen e Kontinentit evropian, me forcat e veta, pa i thënë faleminderit askujt në Botë. Mirëpo, neve ishim të mësuar keq, si fëmijë të papjekur, bile çka nuk e kapë sot logjika, duke menduar që do na mbron Amerika për gjithmonë, ndërsa notonim ndërkohë në ëndrra pacifiste dhe hipike ( edhe unë vet pa dyshim, po e pranoj, porse ka kohë, që më ka pas dalur gjumi, disa vite para të tjerëve ) … Peace and Love – Power to Flower – dhe kush po vjen për të na sulmuar, pasi që e mujtem Gjermaninë naziste? Gabimi ishte për mua, që në gjenezë, me De Golin dhe Kancelarin Adenauer – se kur vendosen për ta krijuar Bashkimin Evropian,  e propozuan si treg ekonomik dhe financiar, dhe e harruan komplet idenë e mbrojtjes së përbashkët ushtarake të Kontinentit, nëse dikush IKS do vinte për t’i sulmuar.

A ju kujtohet që në fillim fare, EUROPA, aktual BE-ja, u quante pas fjalimit të Robert Schuman-it, në maj 1950, qysh në vazhdim të vitit 1951: CECA – ose Bashkimi ekonomik i qymyrit dhe i çelikut. Imagjinojeni filozofinë bazë evropiane! Në vitin 1954, do e diskutojnë idenë e një Europe të bashkuar ushtarake, mirëpo dështon komplet, ngaqë Shtetet e refuzuan, me pretekst që kufizonte sovranitetin e tyre. E pra, sot, në vitin 2024, ja ku jemi! E kjo idé është më aktuale dhe urgjente se kurrë! Por me 70 vite vonesë dhe disa trena historikisht të humbur …  Po ta kishim realizuar që në fillim, nuk do ishim në këtë situatë aq delikate. Pastaj, për të na ngulitur mirë atë idé në tru, na erdhi Donald Trumpi, një delirant i paparë, dhe na i dha disa shpulla të forta, naqë i theksoj këto tendenca të proteksionizmit dhe të tërheqjes amerikane gjer në fund, në një mënyrë ultra brutale dhe provokuese – me mesazhin super të qartë, pos me qenë një idiot totalisht i droguar : – « që nuk do merrem fare me Europën dhe le t’i rregullojnë ata vet problemet e tyre në të ardhmën, që do dal nga Kombet e Bashkuara dhe nga Nato, sepse këto organizata janë vet Amerika, e cila po shpenzon me miliarda dollarë për t’i mbajtur gjallë, kurse Gjermania për shembull nuk e ka paguar sipas Trumpit asnjë cent dhe ja ka me borxh, 400 miliard dollarë, çka e përseriti para një jave, pavarësisht që ja ka pas thënë ai vet direkt dhe pa asnjë filtër, gjatë një tubimi edhe Kryetares së BE-së, Miss Ursula Vanderleyen. » … Okay, por tani, ky Person, i pa parashikueshëm, i pa pjekur, i pa kulturë fare mund të na vjen përseri në Pushtet në Amerikë, tek fuqia e parë emblematike botërore. Ndërsa ky tjetri që është tani 81 vjeçarë, gjysmë i sklerozuar, Joe Biden, por prapë së paku e drejtojnë të tjerët e administratës madhore amerikane dhe bile ky i dëgjon. Mirëpo, problemi është evident : ja ku ka ra sot Amerika e famshme! Për të zgjedhur mes një alzajmeri të sëmurë, një plak mbi 80 vjeçarë dhe një të luajturi mendsh, limit gati i pa kontrollueshëm dhe potencialisht i rrezikshëm. A është një situatë e turpshme dhe mjaft katastrofike, së pari për Amerikën dhe pastaj për mbarë Botën? Po, a nuk pat gjithë Amerika me 335 milionë banorë, me gjitha ato Universitete dhe Institucione prestigjioze që i ka, ndonjë kandidat pak më serioz, kredibël dhe të profilizuar se sa këta dy të shkretë, për ta dirigjuar atë Shtet?

Problemi është që tani për tani, Bota ka ngelur pa lidership të sigurt, ngaqë Amerika është vet tërhequr dhe ua ka lënë terrenin apo fushë veprimin të tjerëve, pra ka dëshmuar shenja ligësie, proteksionizmi, vet mbyllje brenda kontinentit të saj … Dhe këto defekte evidente, natyrisht që Rusia dhe Kina i kanë kuptuar menjëherë dhe i kanë interpretuar perfekt. Sot, çka është duke ndodhur konkretisht? PUTINI – Presidenti rus, i cili e ka pas përjetuar shkatërrimin e ish Bashkimit Sovietik, dhe ligështimin e Rusisë, si një plagë shpirtërore, si një depresion dhe frustracion madhor, sot po hakmerret pamëshirësisht, sepse ju ka dhënë rasti! Pos asaj, nuk ka këtu asnjë surprizë, ngaqë siç e ka pas paralajmëruar Hitleri programin e tij në librin « Mein Kampf » 10 vite përpara, Putini na ka lajmëruar mbi qëllimet e tia, që në shkurt të vitit 2007 – ( lexone me vëmendje Fjalimin e Munchenit në Gjermani ). Por kur nuk dojmë për ta pa realitetin me sy dhe nuk e pranojmë të vërtetën objektive, dhe preferojmë për të qëndruar nën drogë, nuk na ka askush faj! Psikologjia e denigrimit të realitetit! Putini ëndrron që në fillim, për Rusinë e madhe tsariste apo ish Bashkimin Sovjetik, pra, kjo e supozon ekspansionizmin rus, përmes një politike dhe strategjie post-staliane, me një ekonomi, e koncentruar prioritarisht në industrinë e armativëve dhe në shitjen e naftës dhe të gazit. Sot, a po e okupon praktikisht 20 përqind të territorit të Ukrainës ( pa folur për shkatërrimin total të atij Shteti, të cilin lufta aktuale, e ka rikhtyer 50 vite prapa ) dhe nuk do mend, që nuk e ka planin, as sot, as nesër, për t’ia ridorëzuar ato territore. Pastaj, si do përfundojnë ajo luftë? Është problem tjetër, porse ka shumë shanse, me fitorën e Putinit, i cili do ketë zgjëruar territoret e Rusisë (ngaqë ai nuk pyet fare për ushtarët e vrarë në beteja – siç nuk pyeste as Stalini)… mirëpo, ajo fitore e krijon pastaj një precedent të tmerrshëm në skenën ndërkombëtare. Mesazhi është ky: «do me thënë, që tani nuk ekziston asnjë ligj internacional, i cili vepron për t’i shkimur konfliket e mëdha, pra nuk ka asnjë ligj që mund të aplikohet në praktikë, se të gjithë Liderët e Botës kanë demisionuar duke i mohuar të gjitha përgjegjësitë e tyre ndërkombëtare. Prandaj, sot çdokush mund t’i zgjidh problemet e tia duke invaduar të tjetrin dhe duke e shkelur me luftë, për t’ia imponuar dëshirat e veta. » Sinqerisht është katastrofike si logjikë veprimi … Atëherë, në atë rast, për çka shërbejnë Kombet e Bashkuara dhe Nato? Tani imagjinojeni: Erdogani e don Turqinë e dikurshme Otomane, Kina e donë dominimin e saj absolut në detin indokinez, Serbia e don Përendorinë e dikurshme të Dushanit, Afrika nuk e ka asnjë Kufi gjeografik normal, e po ndalemi me kaq. Kush mund t’i parandalon gjithë këto konflikte potenciale, pa një lidership ndërkombëtarë të bindshëm dhe të sigurt? Mirë do ishte për ta frenuar Putinin, por kush mund ta frenon, pos Amerika me Naton? Bile strategjia e tyre ndaj Ukrainës është tepër e çuditshme dhe me plot pikëpyetje? Çka do me thënë gjithë ajo ndihmë e vonuar dhe aq e milimetruar? Okay, tani, nëse do fiton Rusia, imagjinojeni ju vet: e ka 20 përqind të Ukrainës, e ka Bielorusinë të vetën, nëser do e përpij pa problem Moldavinë dhe Gjeorgjinë, ngaqë askush nuk do intervenon për ato dy Shtete, që janë në kopshtin e saj ish sovjetik. Pastaj, çka do e ndalë, pa e ngacmuar apo destabilizuar Lituaninë, ku i ka 20 apo 30 përqind minoritete rusofone, me Estoninë dhe Letoninë? Po, por ato Shtete janë në NATO! Dakort, por kush mund ta garanton një intervenim ushtarak serioz të Natos? Aq më tepër nëse do na rivjen në nëntor 2024 Donald Trumpi në Pushtet? Këtë gjë, e kanë kuptuar edhe ato Shtete balte vet, siç e ka kuptuar Polonia për shembull. Ndërsa neve në Europë, a e kemi fuqinë e duhur për ta stopuar ekspansionizmin rus të Putinit, i cili i ka 6000 koka nukleare … kur dihet që e kemi vetëm Francën deri dikund të armatosur në Bashkimin evropian, pasi që Anglia na doli jashtë me Brexitin. Do me thënë që sot për sot, Europa është gjysmë, për mos me thënë krejt e zhveshur ushtarakisht para Rusisë dhe ky nuk është problem i vogël. Ndërsa çadra amerikane, është me disa pikëpyetje! Pastaj ligështia dhe mos vendosja e Barak Obamës, a e rifuten Putinin si faktor kryesor në Siri, dhe sot është prezent edhe në Algjeri dhe Libi, pos në disa Shtete afrikane, ngaqë i larguan edhe francezët. Me një Amerikë të fortë, serioze dhe të sigurt në vete, si në kohën e John Kennedy-t, apo Ronald Reagan-it : a do kishte mujtur Rusia me deportuar aq lehtë dhe aq thellë në skenën ndërkombëtare? Në asnjë mënyrë!

Logjika aktuale, sipas shenjave që po na i jep Amerika e sotit dhe Rusia e Putinit : është që tani e pas, çdokush e ka mbrojtjen e tij mbi supet e veta. Pra, që nuk mund të mbështetet askush në çadrën e huaj amerikane, me 100 përqind siguri. Prandaj, të gjitha Shtetet evropiane, por edhe ato të Botës, janë duke u ri-armatosur në maksimumin e mundshëm. Shikoni buxhetet ushtarake të dyfishuara në Francë, në Gjermani, në Poloni, etjera … Po pra, ashtu po armatoset Kina, Rusia, India, Egjipti, Brazili, Pakistani, India, Arabia Saudite, Greqia, Turqia, Irani, porse gjithë kjo psikologji e ri-armatiamit planetarë, të çon natyrisht drejt në një psikologjie agresive luftarake. Nuk je më si dikur në vitet 1960 – 70 – 80 në « Peace and Love » Ka ndryshuar komplet atmosfera! Dhe shenjat paraqesin një rrezikshmëri evidente, pos me qenë komplet i vërbuar. Rusia është tash dy vite në luftë, okay? Kina po përgatitet për ta invaduar Taiwanin, pra edhe ajo është në një logjikë lufte. Shtetet balte dhe Polonia, po përgatiten për luftë, po ashtu edhe Finlanda dhe Suedia në kufirin e Rusisë … Izraeli është në luftë me palestinezët dhe me pretekstin e Hamasit, e kanë një skenarë të ri për ta zgjidhur sipas tyre çeshtjen izraelo-palestineze. Libani është i destabilizuar, po ashtu edhe gjysma e Afrikës. Yemeni, Sudani, Eritreja, janë në luftë … Irani po fuqizon Hezbollahin, Hamasin dhe Hutitë e Yemenit. Dakort deri këtu? India dhe Pakistani janë në konflikt shekullor … Kina ka pretendime në detin aziatik me Vietnamin, Japoninë dhe shtetet tjera … Tash vonë : a e patë atë incidentin e armatosur mes Iranit dhe Pakistanit? Pa folur për bumbardimet në Detin e kuq … Kurse, Venezuela pretendon për ta invaduar Guijanën. Ekuatori është në prag të luftës civile me narkotrafikantët dhe shtetin e korruptuar. Në KONGO : janë 10 mos 15 vite luftë mes bandave kongoleze, ruwandeze, angoleze, ugandeze, e ku ta di unë, porse janë vrarë mes 5 deri në 8 milionë njerëz deri tani, pa i përmendur absolutisht askush, si mos të ekzistonin fare, dhe po vazhdon i njejti muhabet me masakra dhe pastrime ektnike. Bile po ndalemi me kaq, se mund ti shtoj edhe 20 dosje suplementare … Mirëpo, e filluam vitin 2024 me të gjitha këto probleme, konflikte, luftëra dhe destabilizime mbi shpinë dhe në kokat tona. Si do ja bëjmë? Me një Amerikë të pa përgjegjshme, të cilës sot, nuk po i frigohet askush realisht … Atëherë, kush do i ndalë këto logjika luftarake? Duhet ti hapim sytë! Unë personalisht kam frikë që dikur dikund do shpërthen diçka e rëndë dhe do na del komplet jashtë kontrollit! Dhe është krejt e mundshme. Pse? Sepse, jemi të gjithë të acarruar, të tensionuar, të irrituar, shumë larg idesë së dialogut, në logjikën e konfrontimit direkt dhe të mbi armatosur … Ka humbur ajo ideja e urtësisë, e pleqërisë, e humanizmit, e dashurisë, ajo e bashkë-bisedimit paqësorë. Është diçka që unë po e perceptoj shumë qartë, por nuk e di se sa po e kuptojnë të tjerët dhe deri ku janë të vetëdijshëm? Kështu, që ndërkohë, duhet absolutisht dhe urgjentisht që EUROPA të bashkohet seriozisht, të armatoset sa më profesionalisht dhe ta definojnë një strategji të përbashkët dhe të harmonizuar, duke u angazhuar në favorin e njëri-tjetrit dhe për t’i mbrojtur interesat e të gjitha Shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Duhet për ta hapur një rrugë të ré, me një logjikë tjetër : si do mbrohemi neve vet, pa ndihmën apo intervenimin amerikanë, nesër, apo pasnesëri, nëse do na sulmon dikush? Pra, duhet pos një strategji ekonomike dhe financiare, një strategji politike, dhe të mbrojtjes ushtarake të Kontinentit. Aq më tepër kur po shihet shumë qartë, që atmosfera globale është për momentin aspak e favorshme dhe deri dikund bile mjaft shqetësuese, për mos me thënë potencialisht e rrezikshme. Sepse, as Putini, as Pingu nuk do ndalën me aq … Kurse, ku me e ditur çka do vendosë Kim Jon Hungu, një psikopat delirant, me Korenë e Jugut? Jemi të gjithë të ulur mbi një fushë baruti! A i besohet atij Njeriu?

Dhe nuk do na vjen as Gandhi, as Nelson Mandela, as Ibrahim Rugova, për të na qetësuar me një këshillë human pozitiv, as Gjyshet apo nënat tona. Janë zhdukur edhe ato Personalitete me famë dhe prestigj, të cilat i kemi dëgjuar deri dikund me respekt. Kurse sot, nuk po na mbushë mendjen askush dhe në thelb, nuk po respektojmë askënd, ngaqë nuk po na bind askush me ndonjë vlerë madhore. Jemi në dorën e mjerë të teknokratëve, të klounave apo klonave të dalur nga e njejta fabrikë e komunikimit steril, por pa asnjë vizion serioz politik ose të populistave uzurpatorë, ose më zi të diktatorëve patologjik dhe të pa skrupull.

Atëherë, në këtë kontekst : çka do bëjmë nuk e di? Nga do shkojmë nuk e di? Porse, po e shoh që po frynë populizmi dhe fashizmi edhe tek neve në Europë, pra një civilizim gjenial me 2000 vite kulturë dhe trashëgimi madhore, mbi të cilin po pshurrin përditë, vet idiotat evropianë, ngaqë janë të zhytur në një depresion dhe nihilizëm të thellë, në vend se me qenë super krenar për t’i mbrojtur kudo vlerat e atij Kontinenti më gjenial të Planetit tokësor, me plot bindje, dinjitet dhe pa asnjë kompleks … Por jo, sepse edhe ata, i ka kapur sëmurja, dekadenca e përgjithshme, siç e ka kapur Amerikën gjatë vitëve të fundit. Dhe është Franca gati për ta vendosur me Marine Le Pen, ekstremin e djathtë në Pushtet në vitin 2027, turpi i Botës. Pastaj, në Gjermani e kemi një kancelarë qyqan dhe të pa vendosur, pa asnjë autoritet, Mister Scholtz … E kush janë pra liderët e mëdhenj dhe prestigjioz të Europës sot e nesër? Në Amerikë, i kemi dy Pleq defektuoz … Në Argjentinë, një të sëmurë psishik! Atëherë, po shihet shumë qartë kriza e thellë e Shtetëve të quajtura demokratike, ligësia e tyre, dhe në këtë kontekst, po përfitojnë Shtetet totalitare dhe diktatoriale … Pra, çka e quaj unë : triumfi i idiotësisë, i mesjtetës, i regresionit global, i absurditetit të pa paparë dhe i irracionalitetit patetik të pa imagjinueshëm! A nuk është për t’u alarmuar, të dashurit Miq? Duke qënë të vërbuar dhe të dorëzuar, duke mos pa zgjidhje apo rrugëdalje, ndonjë perspektivë serioze … Të zhytur në nihilizëm dhe në depresion, duke pshurrur mbi gjithçka dhe pa besuar në asgjë, sot, po vijmë si të droguar, me atë ëndrrën ciklike, që të na sundojnë më mirë verbërisht ndonjë Shef i madh absolut, ose thënë më mirë, le t’ia dorëzojmë Pushtetin tonë, një debili totalitarë, i cili supozohet që e dinë se çka donë dhe si duhet për të na drejtuar? … Po si kemi arritur deri në atë shkallë? Sepse, nga kondicionimi për zi, nga kretinizmi global, nga show dhe anti-kultura e përgjithshme, e propaganduar gjithëkund 24 orë në 24, nga triumfi i antivlerave, i cirkuseve dhe i spektaklit permanent, i analfabetizmit global ( a po i shihni pra ju vet, pasojat e sistemeve tona brenda Europës? ) Sot, jemi vet neve Evropianët fajtorë, ngaqë na kanë pastruar perfekt trurin gjatë këtyre dekadave të fundit, me gjithfarë cirkusi, gabelhane dhe bordelhane, vullgaritete dhe antivlera evidente, dhe pos asaj, i kemi integruar neve vet të gjitha banalitetet më groteskte, ose klishetë primitive të Botës amerikane, kinse si vlera kulturore, brenda gjithë asaj historie dhe trashëgimie evropiane, eksepcionalisht të pasur dhe super frymëzuese për mbarë rruzullin tokësor. Si me e përzier tani John Wayne me Platonin apo me Dantin, ose Hamburgerin me Gastronominë franceze, ose një Pallat banal gjëmbi me Kështjellen e Versajit, apo me arkitekturën e Venedikut … Kështu, që duke i vendosur të gjitha këto elemente, në të njejtin rang, si t’ishin vlera të barabarta, kemi mashtruar vetveten dhe opinionet publike evropiane, sidomos gjeneratat e reja të këtij Kontinenti unik, kemi mohuar vlerat tona shekullore, duke e deniguar vetveten, gjithë atë civilizim kolosal që ja kemi dhuruar dikur Botës, dhe kjo quhet dekadenca e përgjithshme, ashtu siç janë fundosur të gjitha Civilizimet e mëdha planetare … Roma, Greqia antike, Egjipti, e të tjerë me rrallë. Pra, kur pshurrë ti vet në vetveten, në çka ke qenë gjatë dy mijë vitesh, si model referencial planetarë, kur e fillon rrëshqitjen të poshtë … nuk ka asgjë që mund ta ndalin atë proces delirant, irracional dhe të mallkuar! Dhe pasi ti vet e ke provokuar,   e mbajsh me shëndet! A ishe si Evropian, një burim frymëzimi për gjithë të tjerët gjatë disa shekujve? Mirëpo, lakmove në dollarin dhe në karnavalin trans-Atlantik, në kultin e Viçit të artë, në klishetë e Hollywood-it … dhe ja shite shpirtin FAUSTIT …. Ja ktheve shpinën prestigjit dhe madhështisë evropiane dhe na propozove Las-Vegasin. Ja pra, rezultati përfundimtarë!

Kur i ngatërron qëllimisht apo nga injoranca, vlerat esenciale madhore që ta kanë ndërtuar dhe konsoliduar një identitet të sigurt, me antivlerat evidente, të showt, publicitetit dhe spektaklit, kur e privilegjon trullografinë, amnezinë individuale dhe kolektive, përpara koshiencës, vetëdijës, ndërgjegjësimit, etikës, sensit të përgjegjësisë … globalitetin abstrakt, pa konture, të indiferencuar, ku leku dhe tregu e përpijnë identitetin dhe specificitetin, me autenticitetin historik : këtu është fillimi i dekadencës, i auto-shkatërrimit dhe i vetvrasjes … Prandaj, a po e konstatoni që dukemi po në vendin tonë, si kudo tjetër, si t’ishim emigranta apatrid, pra të pa Komb, si t’ishim turista kinez, konsumatorë? Kurse fatkeqësisht, jemi Njerëz të pa histori precize, pa një të kaluar, pa ndonjë bagazhë kulturorë të konsoliduar, pa ndonjë trashëgimi intime dhe tradicionale tonën, çka e kanë pasur së paku, Malësorët tanë, pavarësisht nivelit kulturor apo shkollor që kishin, por ishin bile vetvetja, me respekt dhe me dinjitet. Kurse neve, jemi më tepër Njerëz të dalur nga Laboratori i Globalizmit universal! A është për t’u çuditur, o Lexues? Mirëpo, ky fenomen nuk na ka ardhur krejt kot nga qielli, por e kemi provokuar neve vet … e ajo gjë, është e pafalshme, ngaqë tani, do e paguajmë faturën bukur shtrenjtë dhe për një kohë mjaft të gjatë.

Nuk do shumë mend që aktualisht: jemi shndërruar në Filma të vizatuar, apo në Lugatë, me këto telerealitete, lojëra dhe bixhoze, konsumime të kota, lavazhe truri dhe notojmë brenda këtij Kontinenti, gati si amnezik të shkretë, të pa identitet, histori, as kulturë, pa e ditur nga vijmë as ku do shkojmë? Është mjerim i madh sinqerisht për të na vajtuar … Dhe nga gjithë ky Kaos i mbrendshëm, i cili përputhet edhe me Kaosin e jashtëm, nga ajo zbrastësi kronike që kemi, dhimbje shpirtërore që quhet depresioni individual dhe kolektiv : kërkojmë me na ardhur në Pushtet për të na drejtuar … jo Leonard da Vinci, as Erasmusi, as Kanti apo Spinoza, por çfarëdo hori alla Trump, Berluskoni, ose psikopati post Hitlerian, veç të sillet tamam si Shef me autoritet dhe të na çojnë ku e di ai vet për të mirën tonë! Welcome in GULAG-LAND

Faleminderit o Miq dhe Mikesha, por mua më leni në lirinë dhe anarshinë time, në poezinë, filmografinë dhe muzikat e mia, në imagjinatën time të pa fund, as kufi, se më duhet sa më tepër oksigjen dhe humanitet nëse është e mundur për disa kohë! Po lutëna edhe për juve, por nuk e di se sa do ja vlen? Ndoshta na zbret ndonjë dritë qiellore, na vjen një mrekulli. Por më mirë merreni vetën tuaj në dorë, dhe filloni me një Tavë prej Elbasanit, dhe një verë të kuqe Bordeau, shoqëruar me një çopë Flijë nga Tropoja!

Arriverderci Tirana dhe Roma … Fellini – Sherifi : motorre … skena due, aksione! Silenzio!

Bruksel, me daten 20 janar 2024

Skender SHERIFI (poeti marsiano-tokësor, pa xhinxhirë, as vargonj!)