Atlanta, 21 prill 2022 – Presidenti rus Vladimir Putin i ka anuluar planet për të sulmuar fabrikën e çelikut “Azovstal” në qytetin port ukrainas të Mariupolit.
Ai i ka thënë ministrit të tij të Mbrojtjes Sergei Shoigu se kompleksi i fabtikës, i cili është ndër strehët e fundit të rëndësishme të forcave ukrainase në Mariupol, duhet të bllokohet dhe atyre që gjendet brendakompleksit duhet t’u jepet edhe një mundësi që të dorëzohen.
Nënkoloneli amerikan në pension, Daniel L. Davis, i tha CNN-it të enjten se vendimi i Putinit “ka kuptim” ushtarakisht.
“Nuk ka asnjë kuptim që thjesht të ndjekësh çdo person individualisht në atë kompleks plot labirinthe… Nuk ka asnjë arsye për ta bërë këtë”, tha ai.
“E tëra çfarë ata (rusët) duhet të bëjnë është thjeshtë ta mbajnë atë (kompleks) në rrethim dhe praktikisht qyteti është tashmë i tyre”, shtoi ai.
“Edhe pse rusët nuk shkojnë pas tyre (trupave ukrainase brenda fabrikës), sepse i kanë rrethuar, ata nuk mund të sihgurojnë ushqim dhe ujë e aq më pak municion”, theksoi Davis.
“Ka rrezik se ata ushtarë mund të vdesin ngadalë, nëse nuk arrijnë të marrin ndihmë. Unë mendoj se, ndoshta, në orët dhe në ditët në vijim do të dëgjojmë se për ta do të ketë negociata”, është shprehur nënkoloneli amerikan në pension për CNN.
Besohet se në kompleksin e fabrikës së çelikut në Mariupol aktualisht strehohen disa qindra ushtarë dhe civilë ukrainas.
Sipas zëvendës-kryeministres ukrainase Iryna Vereshchuk, pas disa përpjekjeve të dështuara për të krijuar korridore të sigurta për evakuimin e popullsisë civile, katër autobusë arritën të largohen nga Mariupoli të mërkurën.
Vladimir Putin deklaroi të enjten se Mariupol “është çliruar”, por ministry rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se forcave ruse do t’u duhen tri-katër ditë për të marrë nën kontroll fabrikën e çelikut “Azovstal”.
Zyrtarët ukrainas kanë mohuar se qyteti juglindor i Mariupolit ka rënë në duart e forcave ruse.
(Sipas CNN)