Pse Shqipëria ka kaq shumë male?

Legjendë Shqiptare

Naum Prifti 

Kur krijoi botën Zoti papritur gjeti se i kishin tepëruar një mori malesh. Meqë nuk i pëlqente t’i mbante me vete dhe të ecte ngarkuar ngado që shkonte, mendoi se mund t’i linte për një kohë në Shqipëri. Iu tha banorëve dhe ata pranuan.

Shqiptarët e patën mjaft vështirë në fillim se malet të marrin frymën kur u ngjitesh e të këputin gjunjët kur u zbret; pale pastaj dëmet që vinin nga vithisjet dhe orteqet, shkëputjet e shkëmbinjve, dëmet nga teptisjet e përrenjve, rreziqet nga honet e greminat, humnerat e lerat. Por ata u lezetuan me bukuritë e bjeshkëve, freskun e mrizeve, burimet e ftohta, bulmetin e staneve, shushurimën e ujvarave, flladin e shpateve. Aq shumë i deshën sa nisën të betoheshin për malet ashtu si për diellin e për zjarrin. Madje pjesëve të tij u dhanë emrat e gjymtyrëve të trupit: këmba e malit, qafa e malit, kurrizi, gryka, shpati dhe kryet – një terminologji e tërë që nuk e ka gjuhë tjetër në botë.

Pas mijëra vjetësh, disa popuj iu ankuan Zotit se atyre u kishin rënë në pjesë vetëm fusha, këneta e moçale dhe asnjë mal për be, ndaj nuk u dukej e drejtë ndarja e parë. Atëhere Zoti u kujtua për ata malet e shumtë që kishte lënë në Arbëri dhe dërgoi lajm se do të vinte t’i hiqte disa sojesh nga ajo tokë.

Shqiptarët morën lajmin dhe u shqetësuan së tepërmi. U ngritën në këmbë e dhanë kushtrimin duke vënë njërën dorë në gojë si bori e tjetrën në vesh, duke dhënë jehonë e cila ushtonte nëpër lugje, bjeshkë e skërka më fort se murlani në dimër.

– Hej hej hej! A ndive more! Zoti kërkon të na marrë malet…

– Çka po thue, t’u thaftë goja! Po kush ia jep bukurinë, madhështinë dhe hijeshinë vendit tonë veç njatyre maleve? Paj si mundet me jetue njeriu pa pasun male rreth e qark?

– Thuhet se i paska lanë veç për pak kohë.

– Jo, besa, se këtu i kena jetë e mot, veç druaj se nuk po kujtohet. 

– Po ti a nuk e din se ai është Zot dhe ai urdhëron.

– Paj kushdo qoftë, gjë e falun s’ka si merret prapë. Njaj Zot e din se malet janë fronat ku rrijnë hyjnitë tona, dhe selia e shtojzovalleve, orëve e zanave. Po të hjekim malet edhe ato kanë me shku ku munden.

– Qe besa, pa male edhe krahinat, fiset e bajraqet bahen lesh e li se ato janë kufijtë e kahershëm, – vikati gjithë pezm një mustakoç.

Dikush mes tyre dha piskamën:

– Ku ku për ne… Po ikën malet, çka do të bahet me Kanunin, i kujt do të jetë ai? Ba me i la duert prej tij,  jetën tonë e ha dreqi… Mo Zot ma keq!

– A nuk kishte kenë ma mirë për ne me i pasun fusha? – pyeti një tjetër për të dëgjuar edhe mendime të tjera.

-Mos ta ndij kush atë fjalë, he burrë, se na shkrepat e maleve i kemi shenja për orët e mëngjesit dhe për ditët e kremte, me ato janë të lidhuna festat e vitit dhe pa to s’po dijmë kur po vjen agu a kur po bie muzgu…

Kulmin e zemërimit e shprehu një plak i imët kur lëshoi piskamën:

– Jo, he burrë, për së gjalli s’i lëshojmë malet se mbetemi pa një fije çaj mali.. Çka do të pijmë në dimër, si do t’i shërojmë pleqtë dhe carrokët nga kolla dhe rrufa? Jo, këtë s’e lejon as nomi i perëndisë, as i njerëzisë.

Nga sokëllimat dhe protestat e shqiptarëve ushëtonin lugje e hone, shkrepa e gërxhe, shpate e curre dhe Zoti i Madh tek dëgjoi gjithë atë zallamahi, e kuptoi se shqiptarët dhe malet qenë bërë një dhe atë botë i uroi:

– I gëzofshi përjetë e mot dhe u pafshi hajrin!