Prishtinë, 6 qershor 2024 – Portasli Geopost e ka publikuar një audio-regjistrim ku dëgjohen duke biseduar me telefon dy persona. Sipas portalit, njëri zë është i Bedri Shabanit, njërit nga të arrestuarit të mërkurën në Ferizaj në bazë të dyshimit për spiunazh, kurse tjetri është zëri i Sërgjan Rosiqit, oficer i Shërbimit Sekret të Serbisë, BIA.
Biseda zhvillohet në gjuhën serbe dhe lehtësisht mund të konstatohet se njëri prej bashkëbiseduesve, ai që pretendohet të jetë Bedri Shabani, e flet shumë dobët gjuhën serbe.
Ndonëse audio-regjistrimi është e censuruar në disa pjesë, nga biseda kuptohet qartësisht se Bedri Shabani, i dyshuar si bashkëpunëtor i BIA-s kërkon që ky shërbim t’u ndihmojë atij dhe njerëzve të tij që ta kryejnë “atë punë”.
Shabani dëgjohet duke i kritikuar organizatorët për “amatorizëm” dhe sugjeron përfshirjen e tij për një organizim “më profesional”.
“Çka mendon? Do t’i pyesësh ata tuajt, do ta shtyejnë këtë apo do të flenë?”, pyet zëri që i atribuohet Shabanit oficerit të BIA-s.
“Do ta shtyejnë, por janë paksa … presin të zgjohen…”, përgjigjet zëri që i atribuohet Rosiqit.
Më tej, Shabani thotë se duhet vepruar ashtu që dikush tjetër të ngacmojë tërthorazi, e më pas “ne t’i vëmë benzinën që të marrë flakë edhe më shumë”.
Audioregjistrimi me përkthim në gjuhën angleze:
Audioregjistrimi me përkthim në gjuhën shqipe:
Sipas burimeve të televizionit “Dukagjini” brenda organeve të sigurisë, biseda mes spiunëve dhe oficerëve të BIA-s është zhvilluar vetëm një ditë pas sulmit të grupit të paramilitarëve serbë në Banjskë, më 24 shtator të vitit të kaluar.
Sipas të njëjtave burime, informacioni i parë për aktivitetin e dy të arrestuarve në Ferizaj ka shkuart në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) nga një shërbim sekret i një shteti mik të Kosovës. Më pas, specialistët e AKI-së u janë vënë në gjurmë dy të arrestuarve.
(r. m.)