Prishtinë, 15 mars 2025 – Historiani Durim Abdullahu ka publikuar sot në Facebook një fotografi të komandantit legjendar, Adem Jashari, e cila nuk është publikuar deri më sot.
“Adem Jashari, në rëndomtësinë e autenticitetit të tij!”, shkruan Abdullahu në diçiturën e fotografisë.
Në fotografi, komandanti legjendar Adem Jashari, shihet duke e drejtuar një veturë të tipit “Opel Ascona”, në një ditë vere, në një ambient fshati, me gjasë para njërës prej shtëpive të familjes Jashari, në Prekaz.
Fotot dhe gjërat personale të Adem Jasharit dhe të anëtarëve të tjerë të familjes që u bë simbol i rezistencës ndaj okupatorit dhe të sakrificës për lirinë e Kosovës janë të shumë të pakta, për shkak se shtëpitë e familjes janë djegur e shkatërruar me tanke e raketahedhës nga forcat policore e ushtarake të Serbisë.
Zbulimi dhe ekspozimi i tyre në muzeun e epopesë së Prekazit është kontribut me vlerë për historinë e periudhës së rezistencës dhe të luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës si edhe për figura të rëndësishme të kësaj periudhe.
(r.m.)