Publikohet video-regjistrimi i sulmit raketor në centralin bërthamor Zaporozhia (VIDEO)

Kiev, 4 mars 2022 – Rrjeti televiziv europian Euronews e ka publikuar një video-regjistrim të sulmit raketor të forcave ruse ndaj centralit bërthamor Zaporozhia, në Ukrainë.

Në video-regjistrim shihet momenti kur një raketë ruse godet njërin prej objekteve brenda kompleksit të centralit.

Kryetari i bashkisë së Enerhodarit, Dymytro Orlov, dhe kryeshefi i administratës rajonale, Oleksandar Staruh, thanë se raketa e ka goditur një ndërtesë brenda kompleksit të qendrës kërkimore-shkencore dhe jo ndonjë pjesë të reaktorit bërthamor.

Menaxhmenti i centralit njoftoi se menjëherë pas lokalizimit të zjarrit që kishte shpërthyer në ndërtesën e goditur me raketë, kompeksi i centralit është marrë nën kontroll nga forcat ruse.

Megjithatë, Moska e ka akuzuar Ukrainën për sulmin ndaj centralit bërthamor Zaporozhia, duke e cilësuar atë si “provokim monstruoz”. Sipas Moskës, është Kievi ai që e ka kryer këtë akt, me qëllim që para botës ta fajësojë Rusinë.

Por, pretendimet e Moskës nuk kanë shkaktuar aspak dyshime se sulmi ndaj centralit bërthamor Zaporozhia është kryer nga forcat ruse.

Sulmi raketor ndaj centralit bërthamor Zaporozhia u krye natën mes të enjtes dhe të premtes. Tre punëtorë të centralit u vranë dhe dy të tjerë u plagosën në këtë sulm.

(r.m.)