Bogota, 13 qqershor 2023 – Një video e shpërndarë së fundmi tregon momentin e gjetjes së 4 fëmijëve kolumbianë që mbijetuan 40 ditë në një terren të vështirë në xhunglat e Amazonës, raporton nga Bogota korrespodenti i Zërit të Amerikës, Kamilo Alvarez.
Historia e fëmijëve nisi pas një defekti në motorin e një avioni privat me të cilin ata udhëtonin, që shkaktoi rënien e tij në xhunglën e dendur të Kolumbisë.
Videoja e shpërndarë nga qeveria e Kolumbisë tregon momentin e shpëtimit të katër fëmijëve, që rezultonin të humbur pas rrëzimit të avionit me të cilin ata udhëtonin. Rënia e avionit shkaktoi vdekjen e tre personave të rritur, përfshirë pilotin dhe nënën e fëmijëve.
Televizioni publik shtetëror ‘RTVC Noticias’ transmetoi pamjet filmike ku duken ekipet e shpëtimit, të përbërë nga roje autoktone dhe ushtria e Kolumbisë, duke mbajtur në krahë dhe duke ushqyer fëmijët. Ata u gjetën mes provincave kolumbiane Caquetá dhe Guaviare.
Fëmijët, përfshirë më të voglin që mbushi 1 vjeç ndërsa ndodhej në xhungël, kishin humbur që në datën 1 maj, kur avioni Cessna 206 me të cilin ata udhëtonin, u përplas në xhunglën e Amazonës.
Gjyshi i tyre, Fidencio Valencia, ishte i lumtur që mundi të ribashkohej me nipërit.
“Sapo takova nipërit e mi, para së gjithash, ata janë gjallë. Janë shumë të lodhur, por e di se janë në duar të sigurta në spital dhe e di se në fund gjithçka do shkojë mirë për ta”, thotë ai.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Kolumbisë, Pedro Sanchez tregon momentin kur u njoftua përmes një telefonate për gjetjen e fëmijëve.
“Unë jam thjesht zëri i ushtrisë sime, i anëtarëve të këtyre fiseve autoktone që përshkuan hap pas hapi 2, 556 kilometra në një terren të vështirë në mes të xhunglës. Është njëllloj si të ecësh më këmbë nga Bogota e Kolumbisë në Lima të Perusë. Në orën 17.15 të pasdites komandanti i forcave speciale, Gjenerali John Cotoa më njëftoi duke më thënë “Mrekulli, mrekulli. Ky është lajtmotivi i këtij opeacioni shpëtimi”, shprehet ai.
Në operacionin e shpëtimit të koduar “Shpresa” u angazhuan 11 avionë, më shumë se 150 ushtarë nga Forcat Speciale Ushtarake, 73 anëtarë të fiseve autoktone dhe një qen të racës pastor belg, që përdoren në operacione policore kërkimi- shpëtimi.
Motra e madhe e fëmijve, 13 vjeçarja Lesly arriti t’i mbajë gjallë vëllezërit dhe motrën e saj. Autoritetet thanë se ajo u thoshte atyre se duhet të vazhdonin të ecin, u gjente strehtë, kujdesej për vëllanë e vogël dhe gjente ushqim për të mbijetuar.
Ministri i Mbrotjes së Kolumbisë, Ivan Velasquez përshkruan momentin e takimit me Leslyn.
“Kur ajo erdhi dje pas mesnate, kërkoi të shihte filma për fëmijë në televizor. Dhe pikërisht këtë bëri, pa filma për fëmijë ndërsa qëndronte shtrirë në krevat”, thotë ai.
Të katër fëmijët janë nën kujdes mjekësor në spitalin ushtarak të Bogotas, ku ata mbërriten me shenja të mungesës së ujit në trup dhe shenja pickimi nga insektet, por gjendja e tyre po përmirësohet.
(Zëri i Amerikës)