Nju Jork, 24 prill 2024 – David Pecker, ish-botues i tabloidit, National Enquirer, njëherësh dëshmitari i parë në gjyqin kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për blerje të heshtjes së një ylli të pornografisë, gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, ka thënë të martën se ai e ka përdorur tabloidin për t’i shtypur rrëfimet që kanë mundur të dëmtojnë fushatën e Trumpit.
Pecker, 72-vjeçar, ka dëshmuar para një gjykate në Nju Jork, se i ka paguar dy gra që kanë tregur për sjellje të këqija seksuale të Trumpit, mirëpo nuk i ka publikuar kurrë rrëfimet e tyre.
“Kur dikush garon për një pozitë publike sikurse kjo, është shumë e zakonshme që këto gra të thërrasin revista, sikurse National Enquirer, dhe të tentojnë të shesin rrëfimet e tyre”, ka thënë Pecker.
Ai ka thënë se vendimi për t’u varrosur këto histori, është rezultat i një takimi të vitit 2015, kur ai i ka thënë Trumpit se Enquirer do të publikonte lajme në të mirë të kandidatit miliarder, dhe do t’i mbante larg publikut rrëfimet që do të mund ta dëmtonin atë.
Ai ka thënë t’i ketë treguar një redaktori për ta mbajtur sekret këtë marrëveshje.
Pecker ka thënë se Enquirer e ka paguar ish-modelen e revistës Playboy, Karen McDougal për historinë e saj për marrëdhënien seksuale me Trumpin më 2006 dhe 2007.
Ai ka thënë se ka paguar për diçka të tillë, pasi Trump ka refuzuar të veprojë vetë.
“Ai më ka thënë që kurdo që bën diçka të tillë, herët a vonë merret vesh”, ka dëshmuar Pecker.
Kompania amë e Enquirerit, American Media, ka thënë më 2018 se ka paguar 150.000 për rrëfimin e ish-modeles.
Trump e ka mohuar të ketë pasur aferë me McDougalin.
Ai ka treguar që tabloidi e ka paguar 30.000 dollarë edhe rojtarin e Kullës Trump, Dino Sajudin, i cili ka pretentuar se Trump e ka një fëmijë me një mirëmbajtëse të tij.
Pecker ka thënë se historia në fund ka dalë të jetë e pavërtetë.
“E kam marrë vendimin për t’i blerë këto rrëfime për shkak të potencialit që kanë pasur për të turpëruar zotin Trump”, ka thënë ai.
Ai pritet të vazhdojë dëshminë të enjten.
Prokurorët besojnë se veprimet e Peckerit i kanë ndihmuar Trumpit që t’i mashtrojë votuesit më 2016, në kohën kur kanë qarkulluar shumë akuza për sjellje të keqe seksuale të tij.
Ata e kanë akuzuar Trumpin për falsifikim të dokumenteve biznesore për të fshehur një pagesë prej 130.000 dollarëve amerikanë për të blerë heshtjen e yllit të pornografisë, Stormy Danieles, e cila pretendon se ka pasur marrëdhënie seksuale me Trumpin 10 vjet më parë.
Trump është deklaruar i pafajshëm, ndërsa avokatët e tij pretendojnë se Trump nuk ka kryer asnjë krim, por vetëm e ka mbrojtur imazhin e tij.
Ky është vetëm një prej proceseve gjyqësore me të cilat përballet Trump para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, në të cilat pritet të përballet sërish me presidentin aktual, demokratin Joe Biden.
Nëse ai shpallet fajtor nuk do të thotë se i ndalohet gara për president, mirëpo diçka e tillë mund t’ia dëmtojë kandidimin.
(Radio Evropa e Lirë)