Prishtinë, 26 tetor 2022 – Mungesa e fuqisë punëtore në Kosovë detyroi kompaninë “Viprint” nga Mitrovica të marrë punëtorë nga jashtë.
Visar Idrizi, pronar i kësaj kompanie që ofron shërbime të shtypshkrimit për firma private, shtetërore dhe ndërkombëtare, thotë për Radion Evropa e Lirë se disa punëtorë i ka siguruar nga Bullgaria, Turqia dhe India.
“Nuk është numër i madh i këtyre punëtorëve [të huaj] që kemi punësuar, pasi që kemi vështirësi t’i marrim vizat e punës për ta”, thotë Idrizi, duke mos dhënë numrin e saktë të tyre.
“Është shumë mirë në Kosovë. Ndihem mirë në vendin e punës”, thotë njëri prej punëtorëve nga India, i cili ka disa muaj që i është bashkuar kompanisë “Viprint”.
“Punoj në sektorin e printimit. Na është ofruar akomodim dhe pagë e mirë”, thotë 32-vjeçari, pa specifikuar më shumë.
Sipas udhëheqësve të kompanisë që ka afro 60 punëtorë, paga sillet nga 400 deri në 1.500 euro, varësisht nga kualifikimi i një punëtori dhe puna që bën.
Idrizi thotë se është duke vazhduar kërkimet për më shumë punëtorë nga jashtë Kosovës.
“Edhe ata [punëtorë] që i gjejmë [në Kosovë], pasi që i trajnojmë, ikin në vendet e Bashkimit Evropian. Neve na duhet një staf më stabil”, thotë ai.
Hulumtimin e tregut jashtë, ai thotë se nuk e ka të vështirë, për shkak të kontakteve që ka krijuar me partnerë afaristë nga vendet e tjera. Problemet më të mëdha lindin kur procedurat arrijnë te leja e qëndrimit në Kosovë dhe leja e punës, thotë Idrizi.
Punësimi i shtetaseve të huaj në Kosovë rregullohet me Ligjin për dhënien e lejes për punë dhe punësimin e shtetasve të huaj, i cili është në fuqi nga viti 2009.
Sipas këtij ligji, personat fizikë, që nuk janë shtetas të Kosovës, kur dëshirojnë të punojnë në territorin e Kosovës për një afat kohor prej së paku tre muajsh, duhet të pajisen me leje pune.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, në përputhje me politikën e migracionit dhe gjendjen në tregun e punës, cakton në fund të çdo viti numrin e lejeve të punës për shtetas të huaj, për vitin e ardhshëm.
Ligj në Kosovë parasheh edhe masa ndëshkimore.
Nëse punëdhënësi punëson një shtetas të huaj pa e pajisur me leje pune, ai dënohet me gjobë nga 1.500 deri në 3.000 euro.
Po ashtu, nëse një shtetas i huaj punon pa leje pune, ai gjobitet me 500 deri në 1.000 euro.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve në Kosovë për numrin e aplikimeve që janë bërë për leje pune për shtetasit e huaj këtë vit, si dhe për kuotën e caktuar, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.
Për lejeqëndrim në Kosovë me qëllim të punës, shtetasi i huaj duhet të grumbullojë një varg dokumentesh – në mesin e tyre: kontrata e punës, dëshmia që nuk është i dënuar, dëshmia për arsimimin dhe kualifikimin që ka, sigurimi shëndetësor e të tjera. Mbledhja dhe procedimi i tyre shpesh marrin muaj të tërë kohë.
Visar Idrizi thotë se shumë përfaqësues biznesesh në Kosovë, përmes shoqatave ekonomike, kanë kërkuar që të lehtësohen procedurat për sigurimin e lejeve të punës për shtetas të huaj.
“Kjo është në dobi të vendit dhe të ardhmes sonë. Nuk mund të zhvillohemi pa fuqi punëtore”, thotë ai.
Pse ka krizë për punëtorë vendas?
Kosova, ka muaj apo edhe vite, që përballet me mungesë punëtorësh të profileve të ndryshme, nga kamerierët e rrobaqepësit deri te mjekët e infermierët.
Kjo, përkundër shkallës së papunësisë që arrin në mbi 17 për qind, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Interesimi i qytetarëve për të punuar, sidomos në sektorin privat, ka rënë për disa arsye. Sipas Inspektoratit të Punës, ato lidhen me mungesën e kontratës, punën në fundjavë, mospagesën e orëve shtesë, pagën e ulët e të tjera.
Paga minimale në Kosovë, nga viti 2011, është 130 euro për personat nën moshën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç.
Paga mesatare bruto për vitin 2021, sipas ASK-së, ka qenë 484 euro.
Sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, një tjetër arsye që ka çuar në krizë për punëtorë është emigrimi i qytetarëve.
Të dhënat e ASK-së flasin për mbi 42.000 qytetarë të larguar nga Kosova në vitin 2021, për arsye të ndryshme.
Një anketë e Institutit Republikan Ndërkombëtar, me seli në SHBA, e publikuar në nëntor të vitit të kaluar, ka treguar se 78 për qind e kosovarëve të moshës 18 deri në 35 vjeç do të largoheshin “përfundimisht” ose “ndoshta” nga vendi i tyre, nëse do të kishin mundësi.
Krasniqi: Duhen lehtësuar procedurat në raport me tregun e punës
Skënder Krasniqi, drejtor i organizatës joqeveritare Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Prishtinë, thotë se shteti duhet ta rishikojë Ligjin për punësimin e të huajve dhe t’i lehtësojë procedurat për leje. Por, veprimet, sipas tij, duhet të bëhen në raport me kërkesat e tregut të punës.
“Shteti duhet të japë leje pune për sektorë, për profesione që mungojnë në tregun e punës”, thotë ai.
“Ne përballemi me një papunësi të lartë dhe nëse do të ketë një trend të rritjes së ardhjes së punëtorëve nga shtetet tjera, atëherë për punëtorët në Kosovë do të jetë më vështirë”, shton Krasniqi.
Sipas informacioneve nga bizneset, thotë ai, shumë prej tyre synojnë të sigurojnë fuqi punëtore nga vendet aziatike.
“Punëtorët nga vendet aziatike punojnë me paga më të ulëta sesa mesatarja që është në Kosovë dhe kjo u përshtatet bizneseve”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Ekspertët e ekonomisë në Kosovë, vazhdimisht, kanë bërë thirrje për përmirësimin e kushteve në punë, me qëllim joshjen e punëtorëve vendas.
Sipas hulumtimeve të bëra nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, bizneset në sektorin e gastronomisë, ndërtimit dhe bujqësisë kanë më së shumti vështirësi në gjetjen e punëtorëve.
Vendet e rajonit dhe punësimi i shtetasve të huaj
Por, Kosova nuk duket se është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, që gjendet në këtë situatë.
Në Shqipëri, ku papunësia është mbi 11 për qind, është në rritje numri i shtetasve të huaj që punësohen në këtë vend.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit dhe Aftësive në Shqipëri, vitin e kaluar, 5.034 shtetas të huaj janë pajisur me leje pune dhe vërtetime-deklarimi për punësim, krahasuar me 3.341 në vitin 2020, apo 3.122 në vitin 2017.
Pjesa më e madhe e tyre janë nga: Turqia, Filipinet, India, Kina e vende të tjera.
Sektorët kryesorë që importojnë fuqinë punëtore në Shqipëri janë: industria përpunuese, ndërtimi, bujqësia, peshkimi e të tjera.
Në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq, numri i kërkesave për punësim nga shtetas të huaj në vitin 2022 – periudha janar-tetor – ka qenë 3.923, ndërsa leje pune janë lëshuar 3.342.
Sipas Agjencisë së Punësimit në Maqedoninë e Veriut, nga kërkesat e miratuara, 119 leje janë lëshuar me kohë të pacaktuar, ndërsa të gjitha të tjerat në afat prej gjashtë muajsh deri në një vit. Pas skadimit të afatit, ato janë vazhduar me të njëjtin afat të vlefshmërisë.
Në pesë vjetët e fundit, në Maqedoninë e Veriut, ku papunësia arrin mbi 14 për qind, janë lëshuar në total 18.204 leje pune për shtetas të huaj, nga 20.690 kërkesa sa janë paraqitur.
Shumica e kërkesave janë bërë nga shtetas të Turqisë dhe Shqipërisë, ndërsa një numër më i vogël nga Serbia, Tajlanda dhe shtetet arabe.
Pjesa dërrmuese e lejeve të punës është dhënë në sektorin e ndërtimtarisë.
(Luljeta Krasniqi – Veseli, REL)