Punëtorët e sektorit publik protestuan para Qeverisë së Kosovës

Prishtinë, 20 maj 2022 – Punëtorët e sektorit publik në Kosovë protestuan të premten, më 20 maj, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në Prishtinë, duke kërkuar rritjen e pagave, pagesën e sigurimeve shëndetësore dhe ndryshimi i ligjit për skemat pensionale.

This image has an empty alt attribute; its file name is Proteste-e-punetoreve-te-sektorit-publik-Prishtine-6.jpg

Pjesëmarrës në protestë kanë qenë punëtorët e arsimit, punëtorët e sistemit shëndetësor, punëtorët e administratës publike, punëtorët e doganës, etj.

Atdhe Hykolli, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), në cilësinë e organizatorit të protestës, kërkoi nga qeveria që t’i realizojë kërkesat e punëtorëve, të mos i shpërfillë sindikatat dhe, siç u shpreh, “t’i hapë dyert e dialogut social”.

“Shqetësimet tona janë reale, shqetësimet tona janë të përbashkëta, janë shqetësime që i njihni edhe ju (Qeveria). Kërkojmë hartimin si duhet, por jo të ngadalësuar dhe të tejzvarritur të projektligjit për paga, që tashmë duhej të ishte miratuar. Dhe, në këtë mënyrë do të rregullohet sistemi i pagave ashtu siç duhet”, tha Hykolli.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, tha se veprimet sindikale do të jenë edhe më të forta, nëse Qeveria nuk i plotëson kërkesat e punëtorëve.

“Qeveri, këta janë njerëzit tu, i kanë sytë drejt teje dhe është turp të qëndroni nën hije, të qëndroni në Amerikë e gjetkë, e të mos dilni këtu e ta thoni të vërtetën para këtyre njerëzve. Heshtja e Qeverisë, ikja nga dialogu social, tregon se ata e dinë se kërkesat tona janë legjitime. Ne e duam Ligjin e pagave, por jo ligj që e punon (harton) dikush, por ligj që e punojmë (hartojmë) edhe ne”, tha Jasharaj.

Për shkak të protestës, procesi mësimor në institucionet publike të arsimit në mbarë Kosovën nuk u zhvillua të premten, pasi SBASHK-u u kërkoi mësimdhënësve të mos shkojnë në shkolla, port ë mafrrin pjesë në protestë.

Muajve të fundit ka pasur disa protesta dhe greva të punonjësve publikë me kërkesën për rritje pagash. Më 8 prill, organizatat sindikale e kanë mbajtur një protestë me kërkesa të njëjta, kurse më 12 maj është mbajtur një grevë njëorëshe në disa institucione publike.

Organizatat sindikale, sikurse edhe një pjesë e opozitës, kërkojnë miratimin e ligjit për paga në sektorin publik, i cili do të ulte dallimet në pagan ë këtë sector dhe do të përmirësonte pagat për punënjësit me paga më të ulëta.

Qeveria ka muaj që thotë se hartimi i këtij projektligji është në fazën përfundimtare, por deri më tash nuk ka asgjë konkrete.

(r.m.)