Pushteti në Serbi hesht, opozita pro-evropiane kërkon shkarkimin e Vulinit

Beograd, 11 korrik 2023 – Udhëheqja shtetërore e Serbisë nuk është deklaruar ende lidhur me futjen e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, në listën e zezë të Departamentit amerikan të Thesarit.

Radio Evropa e Lirë njoftoi se nuk ka arritur as të kontaktojë Presidentin dhe Qeverinë e Serbisë, si edhe të vetë Vulinit, për të marrë ndonjë koment lidhur me këtë vendim.

Deri më tash lidhur me këtë vendim janë deklaruar vetëm partitë opozitare me orientim pro-evropian.

Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Vulinit, të cilin e konsideron “kërcënim për sigurinë e Serbisë dhe të rajonit”.

“Dihet që Aleksandar Vulin është kërcënim për sigurinë e Serbisë dhe të rajonit dhe ishte vetëm çështje kohe që të bëheshin akuza të tilla. Fakti që një person i pakualifikuar si Vulini është në krye të BIA-s është gisht në sy për krejt botën dhe të gjithë qytetarët e Serbisë. Ai duhet të shkarkohet menjëherë”, ka thënë Pavle Gërboviq, deputet i PSG-së.

“Serbia është e kompromentuar sepse një person i tillë, që mban në pozitë të tillë, paraqet kërcënim direkt për sigurinë dhe është problem për të gjithë qytetarët”, ka thënë ai.

Marinka Tepiq, nga Partia për Liri dhe Drejtësi, e cila është anëtare e Komitetit për kontroll dhe siguri të shërbimeve në Parlamentin e Serbisë, mendon se përmes vendimit për Vulinin nga SHBA i përcillet mesazh edhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Vulin është nën sanksione amerikane nën dyshimet për korrupsion dhe trafikim me narkotikë. Le të shohim se çfarë mesazhi do të jetë ky për Aleksandar Vuçiqin”, ka shkruar ajo në Twitter.

Borko Stefanoviq nga e njëjta parti tha se kjo është hera e parë në historinë e re të Serbisë që kreu i një agjencie të sigurisë futet në listën e zezë amerikane për shkak të korrupsionit dhe përfshirjes në trafikim të drogës.

“Vulin është një dëm i madh për shtetin dhe interesat e qytetarëve”, tha Stefanoviq.

Deputeti i listës pro-evropiane “Ne mundemi së bashku”, Nebojsha Zelenkoviq, tha se “rrethi po ngushtohet”, ndërsa ish-anëtari i partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe, Dragan Shormaz, tha se “ky është vetëm fillimi”. Sipas tij, në listën e sanksioneve do të futen edhe bashkëpunëtorë të tjerë të ngushtë të Vuçiqit.

(r.m.)