Putin e mbështet politikën e jashtme të Serbisë dhe qëndrimin e saj për Kosovën 

Beograd, 14 shkurt 2023 – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një letër drejtuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ai “e vlerëson lartë politikën e jashtme të balancuar të Serbisë” dhe se i mbështetet ato që i quan përpjekje të Serbisë “për të mbrojtur integritetin territorial dhe për të zgjidhur çështjen e Kosovës”.

“Serbia është një partner i rëndësishëm dhe i besueshëm i Rusisë”, shkruan Putin në letrën drejtuar Vuçiqit, me rastin e ditës së pavarësisë së këtij vendi, që shënohet të mërkurën më 15 shkurt.

“Ne e vlerësojmë shumë kursin e balancuar të Beogradit në politikën e jashtme, në një mjedis ndërkombëtar të ndërlikuar. Ne mbështesim përpjekjet për të mbrojtur integritetin tuaj territorial dhe për të zgjidhur çështjen e Kosovës”, shkruan Putin.

“Jam i bindur se një zhvillim i mëtejshëm i partneritetit strategjik ruso-serb, pasqyron interesin më të mirë të popujve tanë, vëllezër”, shton ai.

Rusia është aleati kryesor i Serbisë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, të shpallur 15 vite më parë. Beogradi ka refuzuar të zbatojë sanksionet e Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Serbia ka ruajtur prej kohësh një balancë delikate mes aspiratave për në BE dhe partneritetit me NATO-n, nga njëra anë, dhe lidhjeve të saj shekullore, etnike e fetare me Rusinë, nga ana tjetër.

Por, ndërsa tensionet BE-Rusi vazhdojnë të përshkallëzohen, thirrjet e Perëndimit që Beogradi t’u bashkohet sanksioneve kundër Moskë dhe të harmonizojë politikën e tij të jashtme me Brukselin, po bëhen më të forta.

Serbia kritikohet nga Perëndimi për moszbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë, ndonëse ajo e ka dënuar agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe e ka mbrotjur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka thënë se refuzimi i Beogradit për të vendosur sanksione ndaj aleatit të saj, Rusisë, mbetet pengesa kryesore për anëtarësimin e vendit në BE. Ajo e ka cilësuar thirrjen e Brukselit si “kusht mbi të gjitha kushtet” për Serbinë.

(r.m.)