Soçi (Rusi), 25 nëntor 2021 – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka pritur sot në rezidencën e tij në Soçi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Mediet serbe raportojnë se Putin e ka mbështetur qëndrimin e Serbisë lidhur me Kosovën.
“Sa i përket Kosovës, ju e dini se qëndrimi i Rusisë është parimor që nuk përkon mesituatën aktuale politike. Ne e mbështesim qëndrimin tuaj kur bëhet fjalë për problemin e Kosovës dhe shpresoj se do të zgjidhet sipas interesave të të gjithë njerëzve që jetojnë atje”, ka thënë Putin, transmeton gazeta serbe “Danas”.
Ndërsa Vuçiqi e ka falënderuar thellësisht Putinin që Rusia e mbështet, siç është shprehur, “integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë”.
Presidenti rus e ka vlerësuar bashkëpunimin midis Rusisë e Serbisë në të gjitha fushat, përfshirë edhe bashkëpunimin ushtarak të cilin e ka vlerësuar me shumë interes për të dy vendet.
Putin i ka premtuar Vuçiqit një çmim të “pranueshëm” të gazit rus për Serbinë.
“Mendoj se do të merremi vesh, me subjektet përkatëse do të angazhohem që ta përfundojnë këtë çështje. Gjithsesi do të gjejmë një zgjidhje që sigurisht do të jetë e pranueshme për miqt tanë serbë”, ka thënë ai.
Putin i ka uruar Vuçiqit sukses në zgjedhjet që do të mbahen në Serbi në muajin prill. Ai ka thënë se votuesit në Serbi do të vlerësojnë “kujdesin personal” të Vuçiqit përmarrëdhëniet ruso-serbe.
Presidenti serb është shprehur i entuziasmuar nga takimi me Putinin.
“Çdo takim me Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, është me interest ë jashtëzakonshëm për vendin tone, ka shkruar Vuçiq në Instagram, pas takimit.
(r.m.)