Putin i bën thirrje ushtrisë ukrainase ta rrëzojë udhëheqjen legjitime të Ukrainës

Moskë, 25 shkurt 2022 – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i bëri thirrje ushtrisë ukrainase që ta rrëzojnë qeverinë legjitime të Ukrainës. A i cilësoi udhëheqësit  shtetërorë të Ukrainës si “terroristë” dhe si “bandë narkomanësh dhe neo-nazistësh”.

“Duket se do të jetë më e lehtë për ne që të merremi vesh me ju se sa me këtë bandë narkomanësh dhe neo-nazistësh”, tha Putin në një fjalim televiziv të premten.

Ai u bëri thirrje ushtarëve ukrainas “ta marrin pushtetin në duart e tyre”.

Putin tha se “nacionalistët ukrainas” po përgatiten të dislokojnë shumë raketahedhës në zonat më të populluara të qyteteve më të mëdha ukrainase, përfshirë Kievin dhe Karkivin. Sipas tij, me këto veprime “po provokohet” ushtria ruse.

Putin tha se udhëheqja e Ukrainës, siç u shpreh, “po vepron si terroristët në mbarë botën”.

“Ata po fshihen pas njerëzve, me shpresë që ta fajësojnë Rusinë për viktimat civile”, u  shpreh ai.

Kjo deklaratë e presidentit rus rrit frikën se Moska po krijon pretekst për të justifikuar sulmet ndaj objektivave civile në Ukarainë.

(r.m.)