Putin kërkon që gazi rus të paguhet në rubla, Scholz e kundërshton

Moskë / Berlin, 31 mars 2022 – Rusia dhe Bashkimi Evropian përplasen rreth pagesës së gazit që importohet në Evropë nga Rusia.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të enjten se ai e ka nënshkruar një dekret me të cilin synon t’i obligojë blerësit e gazit rus të paguajnë me rubla dhe jo me ndononjë valutë tjetër. Sipas dekretit, prej nesër, më 1 prill, blerësve që nuk pagujanë me rubla do t’u ndërpriten kontratat e furnizimit  me  gaz.

“Për të blerë gazin natyror rus, ata duhet të hapin llogari në rubla në bankat ruse. Nga këto llogari do të bëhen pagesat për gazin e dorëzuar, duke filluar nga nesër”, ka deklaruar Putin, në një paraqitje në televizion.

“Nëse pagesat e tilla nuk bëhen, ne do ta konsiderojmë këtë një falimentim të blerësve, me të gjitha veprimet që pasojnë. Askush nuk na shet asgjë falas dhe as ne nuk do të bëjmë bamirësi, domethënë kontratat ekzistuese do të ndërpriten”, ka thënë ai.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka reaguar menjëherë ndaj deklaratës së Putinit. Ai ka thënë se vendet e Perëndimit do të vazhdojnë të paguajnë me euro ose me dollar gazin e importuar nga Rusia, pavarësisht nga kërcënimet e Kremlinit me ndërprerje të furnizimeve.

Scholz ka thënë se këtë qëndrim ia ka paraqitur Putinit edhe personalisht.

“Ne i shikuam kontratat për dërgesat e gazit, Ato thonë se pagesat bëhen në euro, ndonjëherë në dollarë… dhe unë e bëra të qartë në bisedën time me presidentin rus se kështu do të mbetet”, ka thënë ai.

(r.m.)