Putin: NATO përbën kërcënim të dukshëm për Rusinë

Moskë, 9 maj 2022 – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nisi fjalimin e tij për Ditën e Fitores, duke u thënë luftëtarëve rusë në Ukrainë se “po luftojnë për sigurinë e Rusisë”.

Ai tha se aleanca ushtarake e NATO-s, ku Ukraina ka shprehur ambicie për t’u anëtarësuar, është “kërcënim i dukshëm” për Rusinë.

“Operacioni special ushtarak” i Rusisë në Ukrainë – siç e cilëson Putin pushtimin e fqinjit – ka qenë një “veprim i nevojshëm” dhe “në kohë”, tha udhëheqësi rus.

“Në Kiev kanë thënë se mund të sigurojnë armë bërthamore dhe NATO-ja ka filluar t’i eksplorojë tokat afër nesh. Kjo është bërë një kërcënim i dukshëm për vendin tonë dhe për kufijtë tanë. Gjithçka ka treguar se ekziston nevoja për të luftuar”, tha Putin pa sjellë ndonjë provë për pretendimet e tij.

Ai shtoi se Rusia “i ka kërkuar Evropës që të gjejë një kompromis të drejtë, por ajo nuk ka dashur të dëgjojë”.

Putin tha se vrasja e çdo ushtari dhe oficeri rus “është e dhimbshme” dhe theksoi se shteti rus “do të bëjë gjithçka për t’u kujdesur për familjet e tyre”.

“Ju po luftoni për atdheun tuaj, për të ardhmen e tij”, u tha Putin ushtarëve rusë që po luftojnë në lindje të Ukrainës.

Rusia shënon sot Ditën e Fitores apo atë që njihet si ngadhnjim ndaj Gjermanisë naziste, në vitin 1945.

Trupa, tanke, raketa e pasisje tjera ushtarake defiluan në paradën tradicionale në Sheshin e Kuq, në Moskë. Presidenti Putin e ka shndërruar këtë ditë demonstrimi të fuqisë ushtarake të Rusisë.

This image has an empty alt attribute; its file name is Parada-ushtarake-Moske-1.jpg

Kremlini tha se parada ushtarake janë mbajtur në 28 qytete të Rusisë, ku kanë marrë pjesë 65,000 ushtarë, më shumë se 400 avionë dhe 2,400 armë e pajisje ushtarake.

Por, shënimi i 9 Majit sivjet u bë nën hijen e luftës në Ukrainë. Ka pasur paralajmërime se Putin mund t’i shpallte sot luftë të shkallës së gjerë Ukrainës, por Kremlini e ka mohuar një gjë të tillë.

(r.m.)