Putin në vizitë të papritur në qytetin e pushtuar ukrainas Mariupol

Moskë, 19 mars 2023 – Media shtetërore ruse ka raportuar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka realizuar një vizitë të papritur në Mariupol, qytetin ukrainas që tani kontrollohet nga forcat ruse.

Si pasojë e luftimeve të ashpra për të fituar kontrollin e këtij qyteti, pjesa më e madhe e tij besohet se është shkatërruar.

Në disa pamje të publikuara nga transmetuesi shtetëror, shihet Putin duke e vozitur një makinë në orët e vona të natës, dhe më e pas e viziton një sallë koncerti.

Radio Evropa e Lirë nuk e ka verifikuar lokacionin.

Kjo mund të jetë vizita e parë e Putinit në territorin e pushtuar ukrainas.

Agjencia ruse e lajmeve TASS, ka thënë se ai ka shkuar në Mariupol me helikopter dhe është takuar me disa banorë lokalë.

Në video, një zyrtar rus dëgjohet duke ia sqaruar Putinit se si është duke u rindërtuar qyteti.

Mariupoli është nën pushtimin rus për më shumë se 10 muaj.

Raportimet për vizitën e Putinit vijnë një vit pasi Moska ka nisur sulme ajrore në teatrin e Mariupolit, ku kanë vdekur qindra civilë, të cilët e kanë shfrytëzuar atë ndërtesë si strehë.

Ukraina dhe grupet për të drejta të njeriut besojnë se ato sulme ruse përbëjnë krime lufte.

Të shtunën, Putin e ka bërë një vizitë të papritur edhe në Krime, për të shënuar përvjetorin e nëntë të aneksimit të këtij gadishulli ukrainas.

Autoritetet në Kiev janë zotuar se do ta çlirojnë gjithë territorin ukrainas, përfshirë Krimenë, e aneksuar nga Rusia më 2014.

Putin është raportuar të jetë takuar me komandantë të lartë ushtarakë ruse në Rostov-on-Don, qytet rus në lindje të Mariupolit.

(REL)