Moskë, 6 mars 2022 – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka thënë presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, se Rusia do të ndalojë operacionin e saj ushtarak vetëm nëse Ukraina i ndalon luftimet dhe nëse përmbushen kërkesat e Moskës.
Kështu njoftoi Kremlini, pas bisedës telefonike që Putini e zhvilloi të dielën me Presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan.
Sipas deklaratës së Kremlinit, Putin ka thënë se operacioni rus në Ukrainë “po shkon sipas planit” dhe ka shfaqur shpresën se negociatorët ukrainas “do të kenë qasje më konstruktive”.
Më herë, Presidentenca e Turqisë tha se presidenti Erdogan ka bërë thirrje për një armëpushim të përgjithshëm, për hapejn e korridoreve humanitare dhe për kërkimin e zgjidhjes me dialog.
Rusia e cilëson si “operacion special” sulmin ushtarak ndaj Ukrainës. Prej 24 shkurtit, Rusia po e sulmon Ukrainën nga ajri, nga toka dhe nga deti.
Putin ka shtruar tri kushte për ndërprerjen e agresionit: njohjen e sovranitetit të Rusisë në rajonin ukrainas të Krimesë, çmilitarizimin e Ukrainës dhe garanci se Ukraina do të jetë ushtarakisht neutrale.
(r.m.)