Putin: Rusia do të arrijë qëllimet në Ukrainë

Moskë, 16 mars 2022 – Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të mërkurën se Rusia do të arrijë qëllimet në Ukrainë dhe nuk do të zmbrapset para, siç tha ai, “përpjekjeve të Perëndimit për të arritur dominimin global dhe shkatërrimin e Rusisë”.

Putin tha se Rusia është e gatshme të diskutojë statusin neutral për Ukrainën, tri javë pas nisjes së luftës që ka lënë të vrarë mijëra persona dhe i ka detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre miliona ukrainas.

Putin tha se pushtimi apo, siç e quan ai, “operacioni i posaçëm ushtarak”, “po shkon sipas planit”.

Gjatë një adresimi para Qeverisë, Putin pranoi se sanksionet perëndimore po shkaktojnë dhimbje në ekonominë ruse, por theksoi se Rusia “mund ta përballojë këtë goditje”.

Gjatë fjalimit të tij nuk pati asnjë tregues për tërheqje nga plani për pushtimin e Ukrainës as për uljen e tensioneve me Perëndimin.

“Në një të ardhme të parashikueshme është e mundshme që regjimi pro-nazist në Kiev të posedojë armë të shkatërrimit në masë, dhe shënjestra e tij, sigurisht, do të ishte Rusia”, tha Putin.

Putin i ka përshkruar vazhdimisht liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike në Ukrainë si neo-nazistë që po kryejnë gjenocid kundër popullsisë rusishtfolëse në lindje të vendit, një pretendim që Perëndimi e ka quajtur si të pabazë dhe si propagandë të luftës.

Putin tha se shtetet perëndimore duan ta bëjnë Rusinë “një shtet të varur, të dobët, t’ia shkelin integritetin territorial, ta shkatërrojnë Rusinë në mënyrën që atyre u përshtatet”.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Moskës.

(REL)