Putin e kushtëzon marrëveshjen për grurin e Ukrainës me përmbushjen e kërkesave të Rusisë

Soçi (Rusi), 4 shtator 2023 – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se marrëveshja për eksportin e grurit ukrainas ishte çështja kryesore në bisedimet mes tij dhe Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në Soçi, ku Putin e ka një shtëpi pushimi.

Erdogan shprehu besimin se mund të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.

“Turqia beson se brenda një kohe të shkurtër mund të arrihet një marrë veshje që i përmbush të gjitha pritshmëritë”, tha Presidenti Erdogan, trransmeton Zëri i Amerikës.

Por, Pesidenti rus Vladimir Putin përsëriti kritikat ndaj Perëndimit që nuk ia hoqi Rusisë ndalesën e eksporteve të drithërave dhe plehrave.

“Perëndimi vazhdon të bllokojë eksportet e grurit dhe të plehrave kimike nga Federata Ruse”, tha ai.

Por, Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë kanë thënë se kërkesat e Presidentit rus janë pjesë të manovrave politike që synojnë të çojnë përpara interesat e Kremlinit.

Marrëveshja e grurit, e cila ishte ndërmjetësuar nga Turqia dhe nga Kombet e Bashkuara një vit më parë, konsiderohej jetike për rrjetin global të furnizimit me ushqime, veçanërisht në Afrikë, në Lindjen e Mesme dhe në Azi.

“Ne do të jemi të gatshëm të shqyrtojmë mundësinë e ringjalljes së marrëveshjes së grurit dhe i thashë Presidentit Erdogan se ne do ta bënim këtë menjëherë pas heqjes së kufizimeve ndaj eksportit të produkteve bujqësore ruse dhe zbatimit të marrëveshjeve të tjera mbi këto çështje”, tha Presidenti Putin.

Rusia është ankuar se një marrëveshje paralele që parashikonte heqjen e pengesave për eksportet ruse të ushqimeve dhe plehrave kimike nuk po zbatohej.

Ukraina dhe Rusia janë furnizuesit kryesorë të grurit, elbit, vajit të lulediellit dhe mallrave të tjera në të cilat mbështeten vendet në zhvillim.

Takimi mes Presidentit turk Erdogan dhe atij rus Putin zhvillohet në një kohë kur Ukraina ka intensifikuar kundërofensivën ndaj forcave ruse, më shumë se 18 muaj pas fillimit të agresionit rus.

(r.m.)