Nga Ruben Avxhiu
Nga një prizëm i caktuar ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme mes Putinit dhe Erdoganit.
Të dy udhëheqësit kanë pasur një periudhë të jetës së tyre kur mund të dukej se karriera e tyre kishte mbaruar pa filluar mirë.
Putini ishte një punonjës i KGB-së në Gjermaninë Lindore, në 1989, kur i gjithë sistemi që ishte përgatitur të mbronte, filloi të rrëzohej e për njerëzit si ai dukej se nuk do të kishte të ardhme.
Erdogan u burgos dhe u detyrua të heqë dorë nga posti i tij i kryetarit të Bashkisë së Ankarasë, madje një gjykatë ia ndaloi për disa vjet marrjen e çfarëdo posti zyrtar. Mund të thuhej se në Turqinë sekulariste, nuk kishte të ardhme një njeri si ai.
Si Putin ashtu edhe Erdogan sollën bashkë ngjitjen e tyre në pushtet një përmirësim të jashtëzakonshëm të ekonomisë së vendit. Në Rusi u harruan vitet e tmerrshme 1990, kurse Turqia shënoi një rritje ekonomike për disa vjet të ngjashme me atë të Kinës, kur shumica e botës zhytej në recesion.
Kur i krahason të dy, në fakt, “mrekullia ekonomike” e Erdoganit ishte një arritje reale, ajo e Putinit varej jashtëzakonisht nga bumi në tregëtinë e naftës dhe të gazit, pas investimeve të jashtëzakonshme të formave perëndimore, që modernizuan industritë ruse. Me rënien e çmimit të naftës dhe karburanteve të tjera, ekonomia ruse, e lënë në nivele rudimentare, u rrëzua përtokë. Ekonomia turke ka problemet e saj gjithashtu, po kjo nuk ia heq meritën e viteve më të mira Erdoganit, ndonëse ai ka pjesën e vet të fajit se pse ekonomia e humbi ritmin e saj fillestar.
Si Putin ashtu edhe Erdogan do të shihen si gjeni të jashtëzakonshëm e do të kishin gëzuar një admirim mbarëbotëror, po të ishin larguar pas dy mandateve në krye të vendit. Mirëpo, të dy u përfshinë nga sëmundja e natyrshme e politikanëve që në fund nuk duan të ikin më nga pushteti dhe lëvizin çdo gur, duke sakrifikuar edhe demokracinë në vend e trashëgiminë e tyre historike.
Të dy luajtën shkëmbyen rolet me bashkëpunëtorët e tyre të afërt, duke kaluar nga kryeministra në presidentë.
Të dy janë praktikisht të paprekshëm në politikën turke dhe debatet bëhen më shumë sesa të pushtetshëm do të jenë e jo nëse do të jenë në pushtet. Njëfarësoj shumica e rusëve nuk imagjinojnë dot një Rusi pa Putinin e shumica e turqve nuk dëshiron një sistem ku Erdogan nuk është në krye.
Në fund, çfarë është më e rëndësishmja, të dy do të kishin preferuar marrëdhënie të mira me Europën sesa me njëri-tjetrin. Por të kritikuar e deridiku të izoluar nga Europa e SHBA që ua shohin me dyshim legjitimitetin, janë kthyer te njëri-tjetri, me shpresën se nëse nuk i përqafon nga dashuria e respekti, Europa do t’i përqafojë nga frika.
Po ngjashmëritë nuk janë garanci për aleancë e partneritet. Marrëdhënia mes të dy vendeve është shumë e ndërlikuar dhe të dy udhëheqësit njihen për ndryshime të papritura të pozicioneve të tyre. Sa më pak demokraci e sa më institucione të dobëta të ketë një vend, aq më lehtë mund të ndryshojë udhëheqësi politikat e vendi pa e vrarë mendjen për llogjikën e ndryshimit. Mjafton të kujtojmë se vetëm pak kohë më parë Erdogan vizitoi Ukrainën, ofroi armë dhe ndihma, në fytyrë të Rusisë, ndërkohë që Turqia për pak sa nuk hyri vetë në luftë pas rrëzimit të një avioni rus.
E vërteta është se rusët e kanë një antipati e urrejtje të madhe për Turqinë. Ka vërtet një histori luftrash e konfliktesh mes dy vendeve, si dhe njihet mëria e fetarëve rusë për ish-Kostandinopojën e pushtuar, po ky sentiment anti-turk në Rusi është disi i habitshëm. Ai gjallon më shumë si fiksasion, si një deklaratë indentiteti sesa so akt llogjik dhe natyral.
Putini gjen më shumë entuziazëm nëse dënon ashpër Turqinë, sesa kur e lavdëron si partnere. Në të kundërt në Turqi, më me shumë entuziazëm pritet kur Erdogan i përvishet Amerikës. Jo se turqit kanë dashuri për rusët po antipatia ndaj Amerikës ka qenë e zjarrtë në vitet e fundit.
Vështirë se Putini dhe Erdogan do të merren dot vesh për Sirinë. Kanë investuar kaq shumë në palë e interesa të ndryshme saqë çdo pajtim do të ishte në dëm të njërit prej tyre. Erdogan duket se ka ndërmend të lëshojë pe në konfliktin Armeni-Azerbajxhan ku janë përsëri kundërshtarë të fortë me Rusinë, po deri në çfarë pike? A do të sakrifikohen pretendimet armene apo ato azere në sherrin e vjetër të Nagorni-Karabakut?
Në mbarë Azinë qendrore popullatat myslimane, turkice ndodhen mes Rusisë dhe Turqisë, e preferojnë ta shohin këtë të fundit si kundërpeshë ndaj Moskës. Vështirë se Putin dhe Erdogan do të bëhen partnerë aty konkurrojnë fort.
E megjithatë, asgjë nuk është për t’u përjashtuar. Erdogan është i fyer nga Europa që po ankohet kaq shumë për mijëra vetët e burgosur dhe pushuar nga puna, për arsye jo fort të bazuara në ligj. Ai është i pakënaqur që SHBA kërkon të hetojë faktet në vend që ta dorëzojë menjëherë, mikun e dikurshëm të Erdoganit, armikun e tij të betuar të sotëm, Fejtulla Gylenin. Erdogan do të kishte preferuar që ta besonin në fjalën e tij dhe ta dërgonin vetëm në bazë të akuzave të bëra. Nevoja për t’i vërtetuar ato i duket si ofendim. SHBA sigurisht ka ligjet e saj strikte për deportimin. Mjafton të shohësh për shembull sa shumë kohë zgjati një çështje si ajo e Marjan Rrokut për të kuptuar se ekstradimet janë punë e koklavitur.
Si Putini edhe Erdogan kanë se çfarë fitojnë nëse komplotojnë bashkë kundër Europës. Europianët po përpiqen t’i shpëtojnë monopolist rus mbi tregëtimin e gazit dhe transporti ndërmjet Detit të Zi dhe Turqisë është kyç. Turqia mund të vonojë projektet europiane duke u dëhën përparësi atyre ruse. Po ekonomia nuk është duke ndritur për Rusinë dhe Turqia duhet të mendohet mirë nëse do të zbrazë xhepat për projekte me një partner me të cilin mund edhe të prishet po aq lehtë dhe shpejt sa u pajtua.
A do të braktiste Turqia shansin gati teorik të anëtarësimit në BE për Bashkimin EuroAziatik të Moskës? A do të ikte nga NATO për t’iu bashkuar Organizatës së Shanghait?
Problemi më i madh i futjes në orbitën e Moskës është se e vetmja formë anëtarësimi është vasaliteti. Në mjediset e takimit Putin-Erdogan nuk kishte dyshim se kush ishte në situatë më të favorizuar. Mund të kishte vetëm një Car në atë mjedis dhe ai ishte Vladimir Putini. Rusia nuk mund të pranojë një marrëdhënie tjetër dhe Erdogan, ndonëse është treguar shumë i përulur duke besuar se në fakt, turqit gabuan kur rrëzuan avionin rus ku mbeti i vrarë piloti, mund të mos e durojë gjatë nevojën ruse për supremaci. Si Putini ashtu edhe Erdogani duan pushtet të plotë dhe superioritet. Jo më kot i kthejnë përmbys demokracitë në vendet përkatëse. A do të pranonte Turqia një rol dytësor, në aleancën me Rusinë?
BE dhe NATO kanë vërtet të meta dhe kërkesat e tyre ndaj Turqisë janë vërtet sfiduese. Demokracia në të është më e rëndësishme për këto organizata se Erdogani. Në këtë pikëpamje, presidentët duhet të shkojnë e të vijnë dhe të ndajnë pushtetin me qeveritë, parlamentet e gjykatat. Erdogani sigurisht nuk ka ndërmend të shkojë askund dhe institucionet kërkon që t’i ketë nën kontroll.
Mirëpo, nga ana tjetër BE dhe NATO ofrojnë anëtarësi të barabartë. Turqia, po edhe çdo vend i vogël, përfshi edhe Shqipërinë mund të vendosin veton e të bllokojnë një vendim të NATO-s. Vetot e të vegjëlve shihen me bezdi por pranohen në Washington e Bruksel. Mjaftojmë të kujtojmë veton greke kundër Maqedonisë, ndërsa të gjithë aleatët e tjerë ishin të vendosur që ta bënin anëtare.
Rruga drejt Brukselit dhe prania në familjen perëndimore është e stërzgjatur dhe pa garanci për Turqinë. Reformat janë të nevojshme dhe të mira edhe për turqit, por caktimi i tyre u tingëllon shpesh fyes dhe i kotë turqve. Mirëpo, në fund, anëtarësimi i pamundur në BE do ta bënte Turqinë si një të barabartë mes të barabartëve si në NATO. Në Moskë, kjo barazi është absurde. Erdogan mund të shihet si Sulltan në Turqi e në Europë, por në Moskë nuk mund ekzistojë përveçse si një vasal aleat nga halli, për inat të Europës.
Dy egot e Putinit dhe Erdoganit e duruan njëra-tjetrën për hir të manovrës së fundit politike, por përplasja e tyre në të ardhmen është e pashmangshme.
Ndërkohë për shqiptarët takimi sjell shqetësimet dhe dilemat e veta. Vizita në Turqi ka potencialin të jetë shumë zhgënjyese për itharët e tij që e kanë mbështetur gati po me atë pasion në trojet shqiptare sa militantët e AKP-së në Turqi. (Disa shqiptarë janë kaq të flaktë në mbështetje të Erdoganit dhe Turqisë, sa janë shfryrë ashpërsisht kundër Amerikës edhe për kritikat dhe vërejtjet më të vogla të pas grushtit të shtetit. Nganjëherë duket e pabesueshme kur sheh dufin që shfryjnë kundër Amerikës që luajti një rol të jashtëzakonshëm në shpëtimin fizik të shumë prej tyre në 1999.)
Erdogan ka qenë mbështetës i madh i njohjes së Kosovës dhe i kundërpeshimit të Greqisë në rajon, mirëpo mbështetja shqiptare me flamuj turq e me thirrje se do të vdesin për presidentin turk janë absurde. Ato nuk nisen nga kauza kombëtare shqiptare po nga fryma fetare.
Është e vërtetë nga një anë se Erdogan i mvishen shumë faje në median shqiptare të cilat nuk i ka. Ai mbase e pëkrah dhe sheh me simpati ringjalljen e Islamit në Shqipëri dhe mund të ketë agjendat e tij fetare e neo-otomane në Ballkan, po dukuritë e reja sociale, kulturore e fetare shqiptare janë produkte të shoqërisë sonë. Mund të gjejmë fajtorë apo heronj sa të duam jashtë vendit për t’ua dhënë fajin apo meritën, po askush nuk të bën me zor, myliman, të krishterë, lindor apo perëndimor, filogrek apo filoturk, nacionalist apo qytetar të botës.
Sigurisht, afrimi me Rusinë ka bërë që kundërshtarët e Erdoganit në botën shqiptare të ndihen më të legjitimuar. Ai doli ashtu siç e prisnin dhe vërtetoi se kur vjen koha armiqtë natyralë e historikë të Shqipërisë bëhen bashkë. Po kush duhet të jetë interesi ynë? Të fitojmë kundër atyre që nuk mendojmë si ne? Apo të përpiqemi të sjellim pak racionalitet dhe realizëm në debatet tona mbarëkombëtare?
Shqiptarët që e mbështesin jo thjesht nga obsesioni personal po për shkak të lidhjeve tradicionale Turqi-Shqipëri apo për arsye të simpatisë fetare, ngaqë ringjalli Islamin turk, pyetja më serioze është a po i bën Erdogani vërtet mirë Islamit dhe Turqisë, në këtë periudhë? A janë veprimet e tij të nisura nga synimet fetare e atdhetare, siç pretendon, apo është kthyer në një tjetër politikan që nuk shkulet dot nga pushteti e është shndërruar nga shërbyes i fesë dhe atdheut, në vendosjen e këtyre të fundit, në shërbim të ambicjeve të tij personale.
Mbase nuk është punë e shqiptarëve të kërkojnë me pasion rrëzimin e presidentit turk kur kaq shumë turq e duan në krye. Po nga ana tjetër, manifestimet e solidaritetit me flamuj turq në qytetet shqiptare janë akoma më absurde. Këta shqiptarë që pretendojnë se e duan kaq shumë Erdoganin, pse nuk marrin shembull prej tij. Pse nuk bëhen edhe ata njerëz praktikë si ai. Erdogan ka rrotulluar timonin sipas motit politik. Rinormalizoi marrëdhëniet me Izraelin, vizitoi Moskën, ku i kërkoi ndjesë në rusisht Putinit, e madje mund të sakrifikojë në Azinë Qendrore ndonjë aleat të vjetër. Shqiptarët që vërtet e kuptojnë Erdoganin, nuk vënë Turqinë përpara Amerikës. Nuk japin jetën e ngrenë flmurin idealist për një politikan pragmatik. Ata mbajnë kursin drejt Perëndimit, në mos nga dashuria, atëhere thjesht se në çdo ekuacion tjetër janë të humbur. Sidomos në ekuacione ku rifaktorizohet Moska e Putinit.