Nga Ruben Avxhiu
Referendumi për të ardhmen e Krimesë do të ishte vulosur si pavlerë pa u mbajtur akoma, sikur Rusia të mos kishte përdorur javën e kaluar veton e saj të çmuar në Këshillin e Sigurimit.
Është po ajo veto që pengon Kosovën tani që është njohur nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Po përtej vetos ruse, votimi në Këshillin ekskluziv të organizatës më të madhe botërore dha një rezultat shokues për diplomacinë ruse. 13-0 me vetëm Kinën si abstenuese. Vende anëtare që nuk duan t’ia dinë për Amerikën e që do të merrnin lehtë anën e Rusisë kur vjen puna për Kosovën, vende që nuk pyesin për moralin e demokracisë apo ndikimin e Perëndimit iu bashkuan Shteteve të Bashkuara dhe Europës në qendrimin e tyre të përbashkët.
Askush nuk e ndali ekzekutimin e referendumit të Krimesë dhe nuk besohet që forcat ruse mund të ndalen nëse vendosin të marshojnë edhe deri në Kiev. Por, në kutitë e mobilizuara të referendumit, Rusia ka arritur dje një fitore të hidhur.
Putini është nga natyra një udhëheqës i kujdesshëm. Duke trashëguar metodologjinë e fituar nga karriera në KGB të gërshetuar me ambicjen për rikthimin e lavdisë ruse, ai ka punuar papushim për 15 vjet me radhë për ta kthyer Rusinë në një farë Amerike të lindjes e madje së fundi, për krijuar edhe një lloj bashkimi vendesh që do të rikrijonte Bashkimin Sovietik në një model të ngjashëm por jo të njëjtë me atë të Bashkimit Europian.
Po vallëzimi i tij joshës diplomatik, duke tundur qeset e parave të fituara nga shitja e gazit dhe e naftës e duke ofruara falas muskujt ushtarakë të Rusisë për mbrojtje e siguri, ka ndalur befasisht e bashkë me të edhe muzika e balalajkave në sfond.
Në vitin 2008, ndërhyrja e tij në Gjeorgji ndonëse u dënua gjerësisht (askush nuk i njohur dy pseudo-shtetet e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore) u pa gjithësesi si një rast i shkëputur. Në fakt, rusët e këtyre krahinave kishin pasur problem me vendin ku jetonin dhe presidenti i Gjeorgjisë kishte një armiqësi të hershme gati personale me Putinin. Bota pothuajse e kishte harruar marshimin e trupave ruse në territorin e një shteti tjetër.
Po kjo përsëritje e skenarit nuk do të harrohet lehtë. Nuk ka asnjë shtet fqinj me Rusinë që nuk ka një pakicë ruse brenda tyre. Sidomos vendet ish-anëtare të Bashkimit Sovietik. Gjeogjia nuk është e vetme. Tani pas Ukrainës, shumë prej fqinjëve të Rusisë po mendojnë se kush e ka radhën tani.
Në një debat në Columbia University, plot 10 vjet më parë, një studente ruse u nervozua kur unë hodha idenë se pakicat ruse në vendet fqinje mund të shërbejnë një ditë si pretekst për të ndërhyrje ushtarake. Sipas saj unë po kërkoja një rrezik aty ku nuk mund të kishte. Rusia nuk e kishte penguar largimin e këtyre vendeve nga BRSS. Pse do të fillonte ajo tani t’i pushtonte me dhunë?
Llogjika e saj ishte në rregull deri diku. Por jo sepse Rusia nuk kishte vepruar në vitin 1991. Rusia e vitit 1991,kishte më shumë nevojë për miliardat e ndihmave nga Perëndimi sesa për një tufë shtetesh të falimentuara që donin të largoheshin me çdo kusht. Bashkimin Sovietik ishte për të një luks i tepërt. Por dy dekada më vonë, me vërshimin e parave nga ngritja e çmimit të naftës dhe gazit, nga përmirësimi i teknollogjisë, shtetëzimet dhe privatizimet sipas interesave të Kremlinit, Rusia kishte rigjetur frymëzimin për të rikrijuar një “perandori” të re.
Mirëpo përsëri, Rusia nuk kishte arsye pse të ndërhynte ushtarakisht, për një arsye tjetër. Se në shekullin 21 një shtet e bën për vete, me ndikim ekonomik e kulturor, duke ofruar një regjim model e një interes të përbashkët në lidhjen dy apo shumëpalëshe. Pse duhej Rusia t’i pushtonte këto shtete kur ato vetë mund të kërkonin me ngulm të bashkoheshin rreth saj, të drejtoheshin prej saj.
Vladimir Putini, gjatë presidencës së parë mbushi arkën e shtetit, bleu dashurinë e fqinjëve me çmimet e favorshme të komoditeteve dhe përfitoi nga vitet e luftës në Irak që dëmtuan imazhin e Amerikës në botë. Që nga Grupi i Shangait, te Bashkimi EuroAziatik, Moska është përfshirë në një numër grupimesh rajonale që ndonëse duken të themeluara si kundërpeshë ndaj ndikimit Perëndimor, janë gjithësesi përpjekje legjitime për bashkëpunim ndërkombëtar. Të paktën në sipërfaqe ato janë duartrokitur dhe përshendetur nga Perëndimi.
Po kjo valë bashkëpunimi është sabotuar keqas me ndërhyrjen në Krime. Askush nuk mund t’ia prekë Rusisë gadishullin e Krimesë nëse vendos që ta mbajë. Por Kremlini nuk mund të hiqet më si ai fqinji i mirë dhe painteres që ka hequr dorë përgjithmonë nga ambicja perandorake. As nuk mund të ankohet për fuqinë ushtarake që ka trashëguar në një epokë kur ka interes vetëm për zgjidhje në tavolinën e bisedimeve.
Që këtej e tutje ai do të ketë sukses me kartën e frikës dhe të interesit, por jo më me atë të idealit dhe vizionit të përbashkët. Imazhi i një vendi vlen shumë më tepër se një copë tokë. Në shumë drejtime, Krimeja ka qenë një fitore me sakrifica të mëdha, ndërkohë që çfarë është siguruar prej saj nuk është shumë e qartë.
Edhe analistë rusë, që janë pro-Putinit, mendojnë se Krimeja i duhet Rusisë më shumë në Ukrainë sesa si pjesë e saj. Nuk është sekret që Moska ka shumë ndikim te rusofolësit në vendin fqinj. Ata janë gati gjysma e popullsisë dhe shpesh janë vendimtarë në caktimin e zgjedhjeve në vend. Ndoshta në zgjedhjet e reja, me ukrainasit e përçarë, Putini mund të zgjidhte përsëri një njeri të vetin. Në mos këtë vit, për 2 ose 4 vjet patjetër.
Por duke ia hequr gati 2 milionë votues të Krimesë ekuacionit zgjedhor të Ukrainës, Putini sapo ka cunguar përgjithmonë levën më të çmuar ruse në politikën ukrainase. Një titull i përshtatshëm për referendumin e djeshëm do të ishte: Putini fiton Krimenë dhe humbet Kievin. Kjo nuk është në natyrën e tij si udhëheqës. Ai e luajti keq bixhozin politik në këtë rast dhe çfarë është më e keqja mund të ketë hyrë në një situatë nga e cila nuk del më dot.
Është e vërtetë se Sevastopoli është një bazë shumë e rëndësishme ushtarake e Rusisë, po ajo nuk ka qenë kurrë në rrezik. Nuk ka qeveri në Ukrainë që do të guxonte të prishte marrëveshjen me Rusinë lidhur me këtë bazë. As nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë përpjekje nga Perëndimi për të detyruar Ukrainën që të heqë bazën e saj ruse në Detin e Zi. Ka qenë një nga to vijat e kuqe të natyrshme të Rusisë, që politikanët në Washington e Bruksel e dinin që nuk duheshin prekur.
Disa që pëlqejnë teoritë e konspiracionit mendojnë se Rusia dhe SHBA kanë bërë një marrëveshje. Rusia do të marrë Krimenë dhe daljen në Detin e Zi, Ukraina do të lejohet të integrohet në Perëndim. Po ka dy problem me këtë teori. E para që është një pazar i keq për Rusinë, e cila i ka mundësitë që ta mbajë Ukrainën me gjithë Krime. E dyta, sepse edhe sikur ta kishte pranuar, ekzekutimi i marrëveshjes u bë kaq keq sa që Rusia vërtet mori Krimenë por përbalti në mënyrë të tmerrshme imazhin e saj në botë.
Në rastin e kërcënimit me veto kundër njohjes së Kosovës, Rusia kishte bërë për vete disa dhjetëra shtete që shohin te Kosova një precedent për ndonjë krahinë të tyre etnike e fetare. Po me rrëmbimin e Krimesë, ajo u kujtoi të gjitha këtyre (përfshi edhe Serbisë) se Moska nuk ka parime. Ka vetëm interesa konkrete dhe se qendrimet e saj mund të ndryshojnë shumë lehtë. Putini dje e kritikonte pavarësinë e Kosovës si një shkelje të të drejtës ndërkombëtare, sot e quan si arsye se pse Krimeja ka të drejtë të shkëputet. Për të çdo argument mund të përmbyset nëse i intereson Rusisë.
Rusia ishte një perandori në shekullin e 19, por në atë kohë statusi i saj ishte i fortë edhe sepse luante me Anglinë kundër Francës e pastaj me Francën e Anglinë kundër Gjermanisë e Austrisë. Në kohën tonë, kur e gjithë Europa e Amerika është bashkë, kur aleancët ndërkombëtare e tregjet e përbashkëta janë pjesë e rëndësishme e lojës ndërkombëtare, Moska rrezikon të duket anakronike dhe jolargpamëse.
Moska ishte superfuqi si kurrë ndonjëherë në kohën e Bashkimit Sovietik. Po në atë kohë, ajo pretendonte se fliste në emër të punëtorëve e fshatarëve në të gjithë botën. Ajo ishte në gjendje në sajë të idelogjisë së kuqe të gjente miq të gatshëm për të vdekur për të edhe në vendet më armike të saj. Qindra mijëra intelektualë në Perëndimin kapitalist e shihnin me magjepsje dhe besim. Gjëra të tmerrshme ndodhnin përtej mureve të ngurta të ndarjes së Luftës së Ftohtë po për shumë kohë, krimet dhe padrejtësitë sociale të komunizmit rus nuk diheshin në Perëndim deri vonë.
Në kohën tonë, është akoma më e rëndësishme të kesh tërheqje me imazh dhe kulturë, me modelin e qeverisjes dhe retorikës në emër të të gjithë qytetarëve të botës. Kjo Rusi nuk mund të jetë Bashkimi Sovietik. Me qendrimin ndaj Krimesë, Rusia tregoi se i ndan njerëzit në rusë dhe jorusë. Në vend të lirisë së popujve nxorri kokën fytyra e shëmtuar e nacionalizmit agresiv me ambicje territoriale.
Rusia ka sigurisht shumë karta në duar. Shumica e Europës ende blen ngrohjes prej saj. Po thirrja për diversifikim të linjave të furnizimit është kthyer tashmë në një klithmë. Europa nuk ka më iluzione. Edhe ish-sovietikët më filorusë e dinë se tani duhet të përgatiten për një lojë tjetër.
Shakaja më e fundit në New York është se në Brighton Beach, gadishulli i vogël me plazh në jug të Brooklyn-it, ku jetojnë mijëra rusë ka filluar përgatitja për referendumin e shkëputjes. Ushtarët rusë mund të zbarkojnë në çdo moment. Po përtej humorit, këta ruso-amerikanë, shumë prej të cilëve ruajnë një dashuri të madhe për Rusinë kanë shpenzuar shumë për të ikur prej saj për një jetë më të mirë në Perëndim. Ata nuk janë të vetmit në këtë qytet. Miliadierët me pushtet, miqtë e Putinit që kanë vjedhur me të dy duart pasurinë e popullit rus, gjithashtu preferojnë t’i investojnë paratë e tyre në Perëndim, të blejnë shtëpi në New York e Paris e të përfshihen në jetën dhe thashethemet e yjeve të botës së këtejme.
Putini është udhëheqësi i tyre dominues e gati diktator, por është edhe përfaqësuesi i tyre më i mirë. Ai i ka bërë të pasur, ai mund t’ua marrë pasurinë. Në pak ditë, qindra miliarda dollarë janë tërhequr nga bankat perëndimore prej Rusisë nga frika e hakmarrjes perëndimore për ngjarjet në Ukrainë. Planet e verës e ato të biznesit janë vënë seriozisht në rrezik për oligarkët e mëdhenj rusë.
Ata janë solidarizuar të gjithë me Putinin duke hungërirë në heshtje. Shumë prej tyre kanë të drejtë të pyesin se çfarë u fitua nga sfidë e re e papritur dhe në dukje e panevojshme me Perëndimin. Pse Rusia që i këndon hymne OKB-së dhe bashkëpunimit ndërkombëtar kundër veprimeve arbitrare e të njëanshme të Perëndimit dhe Amerikës është papritur e izoluar dhe e parë me dyshim.
A ishte gabim rizgjedhja për të tretën herë e Putinit president? A ka filluar ta humbasë dorën njeriu që i solli me sukses deri në këtë pikë? A mos ka ardhur koha për një car të ri?
Në zyrën e tij në Kremlin, ndërsa ka ndjekur entuziasmin e filorusëve në rrugët e Krimesë që festonin fitoren Putini mund të ketë menduar se për cilin kundërshtar duhet të tregojë më shumë vëmendje, për kancelaritë e huaja që po përgatisin kundërpërgjigjen apo për miqtë e brendshëm që po bëjnë llogaritë se sa do të ndryshojë jeta e tyre nga kthesë e inskenuar e historisë. Për një udhëheqës që shikon në ekran turma njerëzish që thërrasin emrin e tij, Putini mund të jetë ndjerë jashtëzakonisht vetëm. Të paktën nëse është i ndërgjegjshëm për situatën ku e kanë vendosur zhvillimet.
Ukraina në anën tjetër ka edhe një tjetër votim përpara. Atë të zgjedhjeve të reja politike, kur për herë të parë, pro-europianët e gjysmës së saj perëndimore, do të jenë qartazi më shumë në numër. Sot, në Krime u votua për fundin e ndikimit masiv politik e elektoral të Rusisë në republikën e dytë më të rëndësishme ish-sovietike. Ndoshta flamujt e fitores duhej të ishin valëvitur në Kiev.