Moskë, 21 shkurt 2022 – Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar të hënën, 21 shkurt, dërgimin e trupave ruse në rajonet e kontrolluara nga separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës.
Kremlini tha se presidenti Putin urdhëroi forcat ruse, siç thuhet, “të ruajnë paqen në Ukrainën lindore”.
Ky urdhër i Putinit erdhi disa orë pasi ai nënshkroi dekretet për të njohur pavarësinë e dy rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, të cilat janë vetëshpallur entitete të pavarura nga Ukraina.
Por, tash për tash, mbetet e paqartë se kur do të zbatorhet ky urdhër dhe trupat ruse do të hyjnë në Ukrainë.
Të hënën pasdite, në një fjalim të gjatë televiziv, Putin e përshkroi Ukrainën si “pjesë integrale të historisë së Rusisë”. Ai tha se Ukraina lindore “ishte tokë e lashtë ruse”.
Ky hap i Moskës vë në rrezik përpjekjet e fundit për organizimin e një takimi eventual të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe Presidentit rus, Vladimir Putin, për të parandaluar një sulm rus ndaj Ukrainës.
Presidenti rus është përpjekur prej vitesh të kthejë ndikimin e Rusisë mbi vendet që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Ukraina ka qenë një ndër shtetet ish-sovjetike për të cilin ai ka shprehur interest ë veçantë.
Njohja e zonave të kontrolluara nga rebelët mund t’i hapë rrugën Moskës që të dërgojë hapur forca ushtarake në dy rajonet separatist, Donetsk dhe Luhansk, dhe të justifikohet se po ndërhyn për t’i mbrojtur ato nga forcat e Ukrainës.
Ish lideri politik i Donetskut, Alexander Borodai, ka thënë se separatistët presin që Rusia t’u ndihmojë të marrin nën kontroll pjesë të këtyre dy rajoneve që janë ende nën kontrollin e forcave ukrainase.
(r.m.)