Pyetje lidhur me natyralizimin (marrjen e nënshtetësisë amerikane)

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

A më nevojitet avokat për të paraqitur kërkesën për nënshtetësi amerikane?

Jo. Mund të paraqisni vetë formularët e USCIS-it, përfshirë këtu Formularin N-400, Application for Naturalization, të cilin mund ta “dorëzoni” përmes internetit, pa qenë nevoja të merrni një avokat. Megjithatë, disa njerëz zgjedhin të kërkojnë ndihmë nga një avokat ose përfaqësues i akredituar nga agjencia ekzekutive e departamentit amerikan të drejtësisë që merret me çështjet e emigracionit (EOIR). Por nëse keni një të kaluar kriminale, keni udhëtuar shpesh dhe për një kohë të gjatë jashtë SHBA-së, keni kryer shkelje të ligjit apo keni patur probleme me emigracionin, atëherë do t’ju këshillonim të merrni një avokat me përvojë për të shqyrtuar paraprakisht çështjen tuaj.

Ka shumë njerëz që mund të ofrohen për t’ju ndihmuar lidhur me çështjet e emigracionit. Fatkeqësisht, jo të gjithë janë të autorizuar ose të kualifikuar për ta bërë diçka të tillë. Nëse keni nevojë për ndihmë nga ana ligjore për të mbushur aplikimin për natyralizim, ju lutemi kini parasysh se vetëm avokatët dhe përfaqësuesit e akredituar nga EOIR-i mund të japin këshilla të sakta ligjore se cilët formularë dhe dokumente duhet t’i bashkangjitni këtij aplikimi, mund t’ju shpjegojnë çfarë mundësish keni në dispozicion nga emigracioni si dhe mund të komunikojnë me USCIS-in lidhur me çështjen tuaj.

Nëse vendosni të paraqisni Formularin N-400, Application for Naturalization, pa ndihmën e një avokati, atëherë mund të gjeni informacionin përkatës si dhe materialin studimor që do t’ju ndihmojë të përgatiteni për provimin e natyralizimit në faqen e internetit Citizenship Resource Center në adresën: https://www. uscis.gov/citizenship. Gjithashtu shkoni në faqen N-400, Application for Naturalization, në adresën: https://www.uscis.gov/n-400 dhe lexoni udhëzimet që janë aty.

Jam arrestuar në të kaluarën. Mund të bëj gjithsesi kërkesë për natyralizim?

Një nga kërkesat për të marrë nënshtetësinë nëpërmjet natyralizimit është “karakteri i mirë moral” (Good Moral Character GMC). Një aplikant që bën kërkesë për natyralizim duhet të tregojë që ka qenë dhe vazhdon të jetë një person me “karakter të mirë moral”. Si rregull, aplikanti duhet të tregojë se ka patur “karakter të mirë moral” gjatë periudhës pesëvjeçare që i paraprin (menjëherë) momentit të aplikimit për natyralizim deri në kohën kur bëhet betimi (Oath of Allegiance). “Karakteri moral përpara periudhës pesëvjeçare që sapo përmendëm mund të luajë gjithashtu rol për të vendosur nëse aplikanti i përmbush ose jo kriteret për natyralizim. Ndërkohë që është USCIS-i autoriteti i cili pasi shqyrton çështjet një nga një, gjykon nëse një aplikant ka përmbushur ose jo kriterin e “karakterit të mirë moral”, ka disa lloje shkeljesh të ligjit të cilat bëhen automatikisht pengesë që aplikanti të tregojë që ka “karakter të mirë moral” dhe të cilat mund ta çojnë aplikantin deri në proçes dëbimi/deportimi. Mund të dalë gjithashtu që një aplikant nuk ka “karakter të mirë moral” për lloje të tjera veprimesh kriminale. Në proçesin e vlerësimit nga zyrtari nëse një aplikant plotëson ose jo kërkesat e “karakterit të mirë moral” përfshihen shqyrtimi nga ana e zyrtarit: e të kaluarës penale të aplikantit;​ deklaratat e dhëna në aplikimin për natyralizim; dhe dëshmia e dhënë me gojë gjatë intervistës. Mund të ketë raste kur ligjet e pushtetit lokal mund të luajnë gjithashtu rol. Për më tepër, shkeljet që përcaktojnë karakterin moral të dikujt, janë ato që mund ta bëjnë aplikantin një subjekt të deportueshëm. Disa njerëz nuk janë të vetëdijshëm për këtë rrezik ose mund t’ju jetë thënë më parë nga avokati që kanë patur, se shkeljet në fjalë nuk paraqesin problem për të ardhmen e tyre. Diçka e tillë përbën një arsye të rëndësishme që të gjithë ata që kanë në plan të aplikojne, dhe që në të kaluarën janë arrestuar për ndonjë shkelje të ligjit, të konsultohen paraprakisht me një avokat me përvojë në fushën e emigracionit.

Një nga pyetjet në formularin N-400 është “A jeni arrestuar, ndaluar ose thirrur për të dalë në gjyq ndonjëherë nga policia ose ndonjë anëtar tjetër i forcave të rendit?”. Nëse po, duhet të sillni në intervistë dokumente që tregojnë si është zgjidhur problemi apo çështja gjyqësore në fjalë. Për të gjitha arrestimet dhe paraburgimet kërkohet të paraqiten dokumenta që tregojnë rezultatin përfundimtar të çështjes, përfshirë dhe “njollat e fshira” nga e kaluara penale apo marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Nëse jeni liruar me kusht, sillni prova që e keni përmbushur “kushtin”. Paaftësia për të paraqitur prova mund të sjellë vonesa në çështjen tuaj. Fotokopjet e paçertifikuara nuk pranohen.

Meqenënse Green Card-a më lejon që të udhëtoj jashtë Shteteve të Bashkuara për në vendin tim, a më lejohet të banoj herë në SHBA e herë në vendin tim derisa të më vijë koha të aplikoj për nënshtetësi?

Për t’u kualifikuar për nënshtetësi amerikane, aplikantët si rregull, duhet të tregojnë se kanë banuar gjatë të gjithë kohës në Shtetet e Bashkuara, të paktën gjatë periudhës pesë vjeçare që i paraprin momentit të dërgimit të formularit N-400. Kjo do të thotë që duhet të banoni ekskluzivisht në Shtetet e Bashkuara – jo në ndonjë vend tjetër. Sigurisht, mund të udhëtoni në një vend tjetër, duke përfshirë vendin tuaj të origjinës, sa kohë që nuk ka asnjë pengesë tjetër ligjore që mund të mos jua lejojë diçka të tillë. Megjithatë, nëse udhëtimi jashtë SHBA-së zgjat më shumë se 180 ditë, USCIS-i mund të konkludojë që nuk keni banuar gjatë të gjithë kohës në SHBA dhe si rrjedhojë nuk do të kualifikoheni për të bërë natyralizim. USCIS-i jo vetëm do të shqyrtojë kohëzgjatjen e qëndrimit tuaj jashtë SHBA-së, por do të shohë dhe shpeshtësinë e udhëtimeve. Për t’u kualifikuar për natyralizim, aplikanti duhet të kalojë më shumë se gjysmën e kohës në Shtetet e Bashkuara. Kjo gjë njihet si kërkesa për “prani fizike”. Nëse bëni udhëtime të shpeshta dhe të shkurtra jashtë vendit të cilat në total përbëjnë më shumë se gjysmën e kohës që keni kaluar në Shtetet e Bashkuara, atëherë gjithashtu nuk kualifikoheni për natyralizim. Kërkesa e “banimit pa ndërprerje gjatë të gjithë kohës” dhe ajo e “pranisë fizike” janë të ndërlidhura me njëra tjetrën, pavarësisht se janë kërkesa të ndryshme. Që të kualifikohet për marrje të nënshtetësisë nëpërmjet natyralizimit, aplikanti duhet të përmbushë të gjitha kërkesat.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]