Çështje të Emigracionit: Përgjigjet Avokati Kieran Both
Gjendja ekonomike në vendin tim është shumë e keqe dhe mundësitë e mia për të gjetur punë të mirë janë shumë të pakta. Kam dëgjuar se mund të marr autorizim pune nëse aplikoj për azil politik në Shtetet e Bashkuara. A duhet të aplikoj?
Anonim
Azili politik është mbrojtja që i jepet dikujt që është përndjekur në të kaluarën ose ka frikë se do të përndiqet nëse kthehet në vendin e tij/të saj. Gjendja e vështirë ekonomike dhe mundësitë e pakta për punësim janë tregues të varfërisë së një vendi, por në përgjithësi nuk përbëjnë arsye për të përfituar strehim politik në SHBA. Kërkesa për strehim politik është një aplikim shumë i veçantë dhe nuk duhet marrë lehtë. Nuk i inkurajojmë aspak ata persona që aplikojnë me synimin e vetëm për të marrë leje për të punuar. Nëse Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) arrin në konkluzionin që aplikimi për azil ka qenë i rremë, pasojat janë të rënda dhe personit që ka paraqitur atë aplikim, mund të mos i lejohet më të hyjë në SHBA.
Çdo aplikant për azil dallon nga të tjerët dhe çdo kërkesë shqyrtohet më vete. Çështja e parë që ngrihet në çdo kërkesë për azil është nëse aplikanti është përndjekur në të kaluarën dhe nëse po, a ka qenë shkak për këtë përndjekje raca, feja, kombësia, anëtarësia në një grup të caktuar shoqëror, ose pikëpamjet politike. Nëse një person nuk është përndjekur në të kaluarën, por aktualisht ka frikë me bazë reale për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësimit në një grup të caktuar shoqëror, ose pikëpamjeve politike që ka, atëherë atij ose asaj mund t’i jepet gjithashtu strehim politik. Sipas ligjeve të emigracionit të SHBA-së, varfëria nuk përbën arsye për azil.
Lidhur me pyetjen që na bën lexuesi ynë, vetëm ai ose ajo e di nëse është përndjekur në të kaluarën dhe nëse ka frikë se do të përndiqet në të ardhmen. Nëse frika e përndjekjes është për arsye politike, ajo mund të bazohet në arsye të ndryshme. T’i diskutosh këto arsye me një avokat emigracioni me përvojë është gjëja e duhur (dhe e nevojshme). Nganjëherë aplikantët nuk i kanë vetë të qarta arsyet pse janë përndjekur dhe një avokat me përvojë mund të formulojë qartë përvojën që personi ka patur në të kaluarën, në mënyrë që ky i fundit të paraqesë një aplikim të suksesshëm për azil.
Nganjëherë, ndryshimi i qeverisë në një vend të caktuar, nënkupton që dhe kushtet në atë vend kanë ndryshuar, megjithatë Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë të SHBA-së (USCIS-i) e sheh të nevojshme të hetojë lidhur me të gjitha faktet specifike të përfshira në aplikimin e secilit individ, një nga një. Është e mundur që ndryshimi i kushteve në vend të ndikojë në mënyra të ndryshme tek individë të ndryshëm dhe dikush, për shkak të këtyre ndryshimeve, mund të ketë edhe më shumë frikë të kthehet në vendin e tij.
Strehimi politik është një lloj mbrojtjeje që u mundëson personave që gjenden në Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë aty. Diçka e tillë është e mundur kur këta persona përmbushin gjithshka që nënkuptohet me termin “refugjat” si dhe kur nuk ka probleme që mund t’u bëhen pengesë për të aplikuar për strehim politik apo për të marrë aprovim të kërkesës për azil, në mënyrë që më pas të kenë mundësi të ndreqin statusin në status të rezidentit të përhershëm të ligjshëm.
Procesi “afirmativ” i kërkimit të azilit politik u jep mundësinë personave që gjenden në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se si kanë ardhur aty apo çfarë statusi kanë, të aplikojnë për strehim politik. Kjo bëhet duke i paraqitur USCIS-it aplikimin përkatës. Azilkërkuesit duhet të aplikojnë për strehim politik brenda një viti nga data e herës së fundit që janë futur në SHBA, përveçse në ato raste kur mund të dëshmojnë që ka patur ndryshime të rrethanave të cilat kanë ndikuar në mundësinë për t’u kualifikuar për strehim politik ose që vonesa në aplikim është shkaktuar nga disa rrethana të jashtëzakonshme dhe, duke patur parasysh këto rrethana, kanë aplikuar brenda një periudhe të arsyeshme kohe.
Një azilkërkues mund të aplikojë për azil pranë USCIS-it vetëm nëse atij ose asaj nuk i është hapur një proces gjyqësor në gjykatën e emigracionit, që do të thotë se për të nuk kanë nisur procedurat e dëbimit nga vendi. Nëse i është hapur proces gjyqësor, atëherë, ai/ajo mund të aplikojë direkt në gjykatën e emigracionit.
Intervista zgjat zakonisht rreth një orë, megjithatë kohëzgjatja varet nga çështja që po shqyrtohet. Aplikantit i kërkohet të betohet se do të thotë vetëm të vërtetën. Zyrtari i Emigracionit verifikon fillimisht identitetin e aplikantit si dhe bën disa pyetje bazë që kanë të bëjnë me të dhënat biografike. Më pas zyrtari pyet se cilat janë arsyet pse aplikanti po kërkon strehim politik. Zyrtari do t’i bëjë pyetje aplikantit për të parë nëse i përmbush kriteret për t’u cilësuar refugjat si dhe për të parë nëse egzistojnë probleme që mund të bëhen pengesë për të aprovuar kërkesën e aplikantit. Sipas rregullores së imigracionit, informacioni që aplikanti i jep zyrtarit, është informacion konfidencial. Aplikanti duhet të jetë refugjat në mënyrë që të ketë të drejtë për azil. Sipas përkufizimit të “refugjatit” aplikanti duhet të jetë: “i paaftë ose nuk dëshiron të kthehet ose të përfitojë nga mbrojtja që ofron vendi i kombësisë së tij ose të saj ose, nëse nuk ka shtetësi, nga mbrojtja që ofron vendi ku ai ose ajo ka banuar për herë të fundit, zakonisht, për shkak të përndjekjes ose një frike përndjekjeje me bazë reale, për arsye race, feje, kombësie, anëtarësimi në një grup të caktuar shoqëror ose pikëpamjeje politike”.
Nëse USCIS-i vendos që aplikanti i përmbush kriteret për azil politik, aplikantit i jepet një letër aprovimi e formës së prerë ose letër që rekomandon aprovimin e kërkesës për azil. Nëse USCIS-i vendos që aplikanti nuk i përmbush kriteret për azil, çështja e tij ose e saj i kalon gjykatës së emigracionit ose aplikantit i jepet një letër përmes së cilës njoftohet që emigracioni ka ndërmend t’ia hedhë poshtë kërkesën (Notice of Intent to Deny). Kjo varet nga fakti nëse aplikanti gjendet në SHBA pa një status aktual të vlefshëm emigracioni. Nëse aplikanti nuk ka një status të ligjshëm, zyra e azilit nis procedurat e deportimit duke ia kaluar çështjen gjykatës së Emigracionit. Kjo zyrë ia kalon edhe aplikimin për azil gjykatës së emigracionit në mënyrë që gjatë procedurave të deportimit, gjykatësi të marrë vendim dhe për kërkesën për azil. Kur aplikanti paraqitet ne zyrën e emigracionit për të marrë vendimin, atij i jepet dhe njoftimi që përmban datën, orën si dhe vendin ku duhet të paraqitet për seancën dëgjimore.
Rreziku për urdhër deportimi apo dëbimi egziston për cilindo aplikant që ka bërë kërkesë për strehim politik dhe është e pamundur të parashikosh se cili do të jetë rezultati i kësaj kërkese. Askush, asnjëherë, nuk mund të garantojë që një kërkesë për strehim politik do të aprovohet.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]