Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Djali im është në ushtrinë amerikane dhe gjendet në Lindjen e Mesme. Kam dëgjuar se mund të ketë të drejtë të marrë nënshtetësinë amerikane.
Anëtarët e forcave të armatosura të SHBA-së mund të kenë të drejtë të natyralizohen falë shërbimit ushtarak. [Djali juaj] nuk nevojitet të paguajë ndonjë tarifë për të aplikuar për natyralizim. Duke qenë se është apo ka qenë në ushtrinë amerikane, mund të mos jetë e nevojshme të përmbushë disa kritere të caktuara që kanë të bëjnë me natyralizimin; për shembull, nëse ka shërbyer me nder gjatë një periudhe të caktuar mbushur me rreziqe, mund të mos i kërkohet që përpara se të paraqesë kërkesën, të ketë banuar apo të ketë qenë fizikisht i pranishëm në SHBA për një periudhë të caktuar kohe. Personave që kanë kryer shërbimin ushtarak dhe kualifikohen, mund t’u kërkohet të përmbushin vetëm disa nga kriteret e nevojshme për natyralizim ose këto kritere mund të mos u kërkohen fare. Në përgjithësi, anëtarët e forcave të armatosura të SHBA-së që kanë kryer me nder shërbimin ushtarak për një periudhë të caktuar (qoftë edhe për një ditë të vetme) gjatë një periudhe rreziqesh, kualifikohen për natyralizim. Aplikanti duhet të ketë qenë pranuar në mënyrë të ligjshme si banor i përhershëm në çfarëdolloj kohe pas regjistrimit apo futjes në ushtri ose të ketë qenë i pranishëm fizikisht në kohën kur u regjistrua apo u fut në ushtri (pavarësisht nëse aplikanti në fjalë ishte pranuar më parë si banor i përhershëm). Aplikanti duhet të jetë në gjendje të lexojë, shkruajë dhe flasë anglishten bazë; të ketë njohuri mbi historinë dhe të drejtën civile të SHBA-së; të ketë qenë një njeri me karakter të mirë moral gjatë të gjithë periudhave përkatëse të caktuara me ligj; t’i ketë qëndruar besnik parimeve të Kushtetutës së SHBA-së si dhe të mbështesë ruajtjen e rendit dhe mbarwvajtjen e SHBA-së gjatë periudhave përkatëse të caktuara me ligj. Nuk ka kriter moshe minimale për aplikantin që përmbush këto kushte. Personat që bëjnë pjesë në forcat e armatosura të SHBA-së dhe kualifikohen për natyralizim mund të paraqesin aplikimin për natyralizim qoftë në SHBA qoftë jashtë saj.
Kam marrë green card-ën falë martesës me një nënshtetas amerikan. Gjatë dimrit të 2020-ës shkova në Europë dhe kam në plan të rikthehem shumë shpejt në SHBA dhe më pas të aplikoj për nënshtetësi. A do të më dalë ndonjë problem?
Qëndrimi i zgjatur në vendin tuaj mund t’ju nxjerrë probleme në të ardhmen. Së pari, kur të ktheheni në SHBA, mund t’ju duhet t’u shpjegoni zyrtarëve të CBP-së (agjencia federale amerikane që merret me doganat dhe mbrojtjen e kufijve) arsyet e qëndrimit të gjatë jashtë SHBA-së në mënyrë që të mos t’jua heqin green card-ën. Qëndrimi i zgjatur mund të ndikojë për keq dhe në kërkesën për natyralizim (formulari N-400), pasi zyrtari i emigracionit që do të shqyrtojë kërkesën mund të arrijë në konkluzionin që në fakt banoni jashtë dhe jo në SHBA. Duhet të tregoni gjithashtu që jeni ende e martuar me nënshtetasin amerikan dhe gjatë të gjithë periudhës trevjeçare keni jetuar brenda kësaj lidhje martesore. Diçka e tillë mund të mos jetë e lehtë për t’u provuar nëse keni jetuar të ndarë për një periudhë të gjatë. Aplikantët që bëjnë kërkesë për natyralizim duhet të tregojnë që kanë banuar në SHBA për pesë vjet me radhë përpara se të paraqisnin aplikimin ose për tre vjet me radhë në rastin e personave të martuar me nënshtetas amerikan që kualifikohen për natyralizim. Me “banim të pandërprerë” nënkuptohet që aplikanti ka mbajtur vendbanimin në SHBA për periudhën e caktuar siç u tregua më lart. Qëndrimet e zgjatura jashtë SHBA-së siç është rasti i udhëtimit tuaj në Europë mund të përbëjnë ndërprerje të vazhdimësisë së banimit. Nevojitet të tregoni prova të mjaftueshme që e keni përmbushur kërkesën për qëndrim të pandërprerë dhe personi që do të shqyrtojë rastin tuaj do t’ju bëjë pyetje lidhur me këtë gjë. Mungesat për më shumë se një vit mund të prishin “vazhdimësinë e banimit”. Aplikantët që kërkojnë natyralizim duhet të tregojnë që gjatë periudhës pesë vjeçare, që i paraprin aplikimit, kanë qenë fizikisht të pranishëm në SHBA për 30 muaj ose gjatë periudhës trevjeçare që i paraprin aplikimit, në rastin e aplikantëve të martuar me nënshtetas amerikanë, kanë qenë të pranishëm fizikisht për tetëmbëdhjetë muaj në SHBA.
Babai im do të donte të bëhej nënshtetas amerikan që të mund të votonte në zgjedhjet e ardhshme. Mirëpo, është i madh në moshë dhe nuk arrin dot të mësojë anglisht mjaftueshëm sa për të kaluar provimin. A mund të mos e japë fare provimin?
Personat që aplikojnë për nënshtetësi duhen testuar për të parë nëse janë në gjendje të lexojnë, shkruajnë dhe flasin fjalë anglisht të përdorimit të përditshëm. Përjashtohen si nga provimi i gjuhës ashtu dhe nga ai i të drejtës civile ata aplikantë që për shkak të një paaftësie të përhershme, nuk janë fizikisht në gjendje t’i kalojnë këto dy teste. Babai yt duhet të dëshmojë që ka një paaftësi që e pengon të mësojë anglishten dhe jo thjesht për shkak të moshës së shkuar apo të një pamundësie të përgjithshme për të mësuar. Egziston gjithashtu dhe një përjashtim për shkak të moshës së aplikantit. Nëse është më shumë se 50 vjeç dhe ka banuar në SHBA me green card për 20 vjet, mund të testohet në gjuhën e tyre amtare dhe jo në anglisht. Aplikantët që janë më shumë se 55 vjeç dhe kanë banuar në SHBA të pajisur me green card për 15 vjet mund të testohen në gjuhën amtare dhe jo në anglisht.
Po aplikoj për nënshtetasi amerikane. Rreth shtatë vjet më parë pata një incident dhe u paraqitën akuza kundër meje të cilat u hodhën poshtë. Avokati që u mor me çështjen time penale më ka thënë që e kam të pastër të kaluarën time penale dhe nuk është e nevojshme t’ia përmend zyrtarit të emigracionit incidentin në fjalë. Nëse e kaluara ime penale nuk rezulton në kompjuter, si mund ta marrë vesh intervistuesi nëse kam qenë i arrestuar?
Që të marrë nënshtetësinë, aplikanti duhet të tregojë që ka karakter të mirë moral. Zyrtari i USCIS-it që merret me shqyrtimin e aplikimit tuaj, do të shohë nëse gjatë pesë viteve që i kanë paraprirë paraqitjes së aplikimit, keni treguar ose jo karakter të mirë moral. Gjithsesi, USCIS-i mund të shqyrtojë dhe veprimet dhe sjelljen tuaj të mëparshme. Dëshmia e rreme është një ndër gjërat e para që USCIS-i e përdor shpesh për të mos i aprovuar një aplikanti kërkesën që ka paraqitur për nënshtetësi. Duhet të tregoheni të ndershëm kur të tregoni historinë tuaj, qoftë dhe kur mendoni që diçka në të mund t’ju vërë siklet ose të shkaktojë vonesa. Edhe nëse arrestimi nuk është bërë për krim të rëndë dhe në fund akuzat ndaj jush kanë rënë të gjitha, duhet të flisni për të. Në formularin N-400 ju kërkohet shprehimisht që t’i përgjigjeni pyetjes “a ju kanë arrestuar ndonjëherë, ose ju kanë akuzuar ndonjëherë për ndonjë krim apo shkelje të ligjit? Në aplikim thuhet gjithashtu: “duhet të përgjigjeni “po” edhe në rast se dosja juaj penale është e pastër apo përfundimisht e mbyllur ose nëse dikush qoftë ky gjykatës, punonjës i rendit apo avokat ju ka thënë që e kaluara juaj penale është tashmë e pastër.” Kini kujdes. Mos pandehni që USCIS-i nuk do ta zbulojë këtë gjë.
Nëse lexuesit duan të mësojnë diçka më shumë lidhur me proçesin e natyralizimit si dhe të lexojnë një shembull të pyetjeve që bëhen në intervistë, u lutemi të shkojnë në faqen e internetit të USCIS-it në: www.uscis.gov
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]