Qasja e Kurtit ndaj Serbisë krijon hapësirë për ndërhyrjen diplomatike të SHBA-së

Emin AZEMI

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përballë serbëve në Bruksel po shkon me kërkesa dhe me plane konkrete, dhe nuk po ia lejon Serbisë luksin e të qenit superiore në raport me atë që ajo e kishte projektuar deri më tani – si politikë e trysnisë dhe shantazhit kundrejt politikanëve të Prishtinës.

Kurti, të hënën, edhe një herë e vuri në siklet presidentin Vuçiq, jo vetëm pse kryeministri kosovar kishte të drejtë në ato që kërkonte, por për faktin se ai diktonte tempon e dialogut, duke e larguar problemin nga Kosova në terrenin e Serbisë.

Mosballafaqimi me të kaluarën, mbase është krejt politka gjenocidale serbe, ndaj të silës Vuçiqi nuk e ka ndërmend të distancohet.

Në takimin e radhës, kryeministri Kurti do ta rrisë edhe më tej pazarin me serbët dhe kjo në diplomaci është shumë ok, sepse asnjëherë nuk mund të fitosh atë që e synon nëse në tavolinë nuk parashtron ambicje maksimaliste.

Niveli minimal deri ku mund të shkojnë lëshimet e Kosovës ndaj Serbisë është t’i njihet Serbisë e drejta për t’u interesuar për pakicën serbe në Kosovë, sipas të gjitha konventave ndërkombëtare, një e drejtë që duhet ta ketë edhe Kosova në raport me shqiptarët në jug të Sërbisë.

Kryeministeri Kurti po operon me një gjuhë të shkathtë diplomatike në Bruksel, duke krijuar hapësirë për një qasje të re ndaj raporteve Kosovë-Serbi. Për rrjedhojë, diplomacia ndërkombëtare, sidomos ajo amerikane do të gjej modalitete si t’i adaptohet kësaj hapësire, kurse Serbia tash e tutje e ka të qartë se nuk mund ta trajtojë Kosovën si problem i brendshëm i saj, siç e kishte trajtuar deri më tani.

Serbia ose do të ballafaqohet me të kaluarën, duke u distancuar nga politikat gjenocidale, ose do ta flijojë të ardhmen e saj për hir të një tufe politikanësh joracional në Beograd.

Kosova ka nevojë për një mbështetje edhe më të madhe të administratës së Presidentit Biden, prandaj kryeministri Kurti, pa humbur kohë do të duhej ta vizitojë Shtëpinë e Bardhë, për koordinim të hapave të mëtutjeshëm në dialogun me Serbinë.

Mbështetja vetëm në pritjet sado vullnetmira që mund të vinë nga Brukseli, nuk besoj se do të mund të prodhojnë ndonjë efekt pozitiv në shtendosjen e raporteve Kosovë-Serbi.

Megjithatë, Amerika mbetet adresa e vetme ku mund të deponohet besimi i palëkundur për një zgjidhje fatlume dhe afatgjate….