Prishtinë, 13 janar 2023 – Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha të premten se themelimi i Asociacionit të komunave më shumicë serbe në Kosovë nuk është çështje mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai tha se kjo çështje nuk është as betejë personale e kryeministrit Albin Kurti, por shprehje e shqetësimve të kahmotshme për Asociacionin.
“Pozicionet tona zyrtare vijnë nga shqetësimet tona të kamotshme për atë çfarë paraqet ky Asociacion. Nuk është betejë personale e Kurtit. Është manifestim i qëndrimeve të kamotshme mbi atë marrëveshje (për formimin e Asociacionit)”, tha ai.
Kryeziu tha se Qeveria tani e sheh momentin e përshtatshëm për finalizimin e dialogut.
“Ndajmë bindjen me partnerët ndërkombëtarë që është një kohë e përshtatshme që tash, pas shumë vitesh të dialogut, nga viti 2011, të ketë një diskutim më të hapur që ka finalizimin e tij. Ky është angazhimi ynë”, tha ai.
Kryeziu i bëri këto deklarata në RTV Dukagjini, pasi u pyet për deklaratën e kryeministrit Kurti se Asociacioni mund të të adresohet në planin franko-gjerman, e cila u pa si zbutje e qëndrimeve të Kurtit për këtë çështje.
(r.m.)