Qeveria  dhe Kurti: Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë – dëshmi e marrëdhënieve të forta ndërmjet dy shteteve 

Prishtinë, 23 gusht 2024 – Qeveria e Kosovës dhe kjryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar si “historike” dhe si “dëshmi të marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme” midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës vizitën në Kosovë të drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Willaim Burns.

“Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

“Kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – SHBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n”, thuhet në komunikatë.

Aty thuhet se Kryeministri Kurti ka shprehur “përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët”.

“Kryeministri Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Vetë Kurti e ka cil֝ësuar takimin me z. Burns si “mundësi fort të mirë” për thellimin dhe avancmin e  bashkëpunimit strategjik” mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Vizita e Drejtorit të CIA-s, diplomatit briliant Ëilliam Burns, ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin tonë strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë”, ka shkrtuar Kurti në Facebook.

Ai ka thënë se në takim ka shprehur përkushtimin për vlerat dhe parimet e përbashkëta” dhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në BE.

“Shpreha edhe përkushtimin e pareshtur drejt vlerave e parimeve të përbashkëta që ndërlidhen me lirinë dhe demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe orientimet e palëkundura drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. E falënderoj Drejtorin e CIA-s, William Burns, për mbështetjen e vazhdueshme dhe këtë vizitë historike në vendin tonë”, ka shkruar Kurti.

This image has an empty alt attribute; its file name is William-Burns-e-Albin-Kurti.jpg

Zoti Burns u takua me Kurtin në Prishtinë, të premten, ditën e dytë të qëndrimit të tij në Kosovë. Të enjten ai u takua me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me Drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

Shefi i CIA-s arriti në Kosovë pas vizitave në Sarajevë dhe në Beograd. Pas takimeve në Sarajevë, një zyrtar amerikan ka thënë se zoti Burns ka ngritur shqetësimet për retorikën secesioniste dhe për veprimet e Presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodikut, dhe të qeverisë së këtij entiteti të Bosnjës e Hercegovinës.

Vizita e z. Burns në Bosnjë e Herecegovinë, në Serbi dhe në Kosovë vjen pas vizitës së Ndihmëssekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge.

Zoti Ruge bëri të ditur se në takimet me autoritetet e të tri vendeve është diskutuar për “çështjet rajonale përfshirë çështjen e sigurisë në Kosovë”.

(r.m.)