Prishtinë, 4 shkurt 2022 – Kontratat për blerjen e dy llojeve të kamerave të sigurisë, të vendosura në institucionet e Kosovës, janë duke u analizuar në aspektin e sigurisë nga Qeveria e Kosovës.
Bëhet fjalë për kontrata, me të cilat janë blerë kamera të kompanive Dahua dhe HikVision – që të dyja kompani kineze, të sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar më 24 janar se këto lloje kamerash janë të vendosura në disa institucione, përfshirë objektin e Qeverisë së Kosovës dhe atë të Prokurorisë së Shtetit.
Kamera të tilla vërehen edhe në Ministrinë e Tregtisë, atë të Shëndetësisë, në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë dhe në sheshet kryesore në kryeqytet: “Skënderbeu”, “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti”.
Pas këtij raportimi, Qeveria e Kosovës ka thënë se “është interesuar për këtë çështje”.
“Bëhet fjalë për kontrata të trashëguara nga qeveritë e kaluara. Ne do t’i shohim ato dhe do të analizojmë aspektin e sigurisë të produkteve që ato kontrata ofrojnë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, Dahua Technology dhe HikVision gjenden në listën e zezë të SHBA-së qysh nga viti 2019, për shkak të, siç thuhet, ndërlidhjes së tyre me shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, përkatësisht me represionin që u bën Pekini ujgurëve myslimanë në provincën Ksinjiang.
Në vitin 2010, në Kosovë është miratuar Ligji për Zbatimin e Sanksioneve Ndërkombëtare.
Bazuar në këtë ligj, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim më 23 shkurt të vitit 2021, për t’i zbatuar “sanksionet ekonomike ndërkombëtare ndaj entiteteve dhe personave fizikë, sipas listave të sanksioneve të vendosura nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Kamerat kineze vëzhgojnë edhe shkolla të Kosovës
Përveç në institucionet qendrore, kamerat e markave kineze, Dahua dhe HikVision, janë të përhapura edhe në institucione lokale.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacione nëpër komunat e Kosovës për llojet e kamerave të vendosura në objektet e tyre, si dhe në shkollat që administrohen nga komunat.
Sipas përgjigjeve që ka marrë deri më tani, kamerat e llojeve Dahua dhe HikVision janë kryesisht të vendosura në shkollat e komunave: Istog, Skenderaj, Prizren, Drenas, Rahovec, Kamenicë, Kaçanik, Dragash, Klinë dhe Gjakovë.
Sa u përket objekteve të komunave, nga informacionet e deritashme, kamerat HikVision janë të instaluara në Komunën e Pejës dhe atë të Kamenicës.
Radio Evropa e Lirë është në pritje të përgjigjeve edhe nga komunat e tjera.
Në dhjetor të vitit 2021, REL-i ka raportuar se Serbia, përmes institucioneve që i ka në Kosovë, ka blerë sistemin e video-mbikëqyrjes së kompanisë kineze Dahua, të dedikuar për shkollat në 12 komuna të Kosovës.
Siç shihet nga dokumentacioni, këto kamera kanë edhe opsionin e njohjes së fytyrës.
Shqetësimet për sigurinë dhe privatësinë nga teknologjia kineze
Sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi në Kosovë, përdorimi i kamerave të sigurisë dhe sistemeve të video-mbikëqyrjes duhet të bëhet me kujdes.
Nga kjo agjenci thonë se “përpunimi i të dhënave biometrike [ku hyn edhe njohja e fytyrës] për qëllime të identifikimit të një personi fizik në mënyrë unike, parimisht është i ndaluar”.
“Lejohet vetëm në raste specifike, pasi të plotësohen kushtet ligjore”, thuhet në deklaratën e agjencisë për Radion Evropa e Lirë.
Eksperti i sigurisë kibernetike dhe i privatësisë, Mentor Hoxhaj, thotë se teknologjitë informative nga Kina përfliten edhe për mundësinë e manipulimit me të dhëna.
“Sa u përket pajisjeve të teknologjisë informative, që janë me origjinë nga Kina, tanimë është vërtetuar që shumica prej këtyre pajisjeve kanë ‘back door’ [derë të pasme]. Pra, të gjitha të dhënat që i marrin e përpunojnë, i dërgojnë te prodhuesit”, thotë Hoxhaj.
Lidhur me këtë çështje, REL ka marrë më herët edhe komentin e Departamentit amerikan të Shtetit:
“SHBA-ja po punon me aleatët dhe partnerët në iniciativën për hartimin e parimeve për përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë së mbikëqyrjes nga qeveria, në përputhje me vlerat tona të përbashkëta demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut”.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, SHBA-ja “mbetet e përkushtuar për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut të anëtarëve të grupeve pakicë”.
(REL)