Uashington, 15 korrik 2023 – Në mesin e tensioneve në Veri dhe marrëdhënieve të acaruara me partnerët ndërkombëtare si BE-ja dhe SHBA-ja, qeveria e Kosovës ka angazhuar një kompani lobimi në Uashington D.C.
Në dokumentin e siguruar ekskluzivisht nga Euronews Albania, thuhet se kompania lobuese e paguar nga qeveria e Kosovës me shumën e 147 mijë eurove do të ofrojë këshilla strategjike dhe përfaqësim të huaj brenda Shteteve të Bashkuara.
Sipas kontratës së nënshkruar nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, kompania do të ofrojë këshilla, përkrahje dhe komunikim me degët legjislative dhe ekzekutive të qeverisë amerikane, për të përmirësuar marrëdhëniet bilaterale ndërmjet SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.
Kontrata, e nënshkruar më 26 qershor mes Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës dhe përfaqësuesit të kompanisë lobuese, shqiptaro-amerikanit Avni Mustafaj, ka hyrë në fuqi më 3 korrik dhe është e vlefshme për një vit.
(Euronews.al)