Qeveria e Kosovës: Çfarëdo mase që do të merrej ndaj Kosovës do të ishte e padrejtë

Prishtinë, 14 qershor 2023 – Qeveria e Kosovës tha se nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar se Bashkimi Evropian ka ndërmarrë sanksione ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kërkesës për marrjen e masave për shtensionimin e situatës në veri.

“Vazhdojmë të besojmë që çfarëdo mase ndaj Kosovës do të ishte e padrejtë dhe jofer”, tha për Radion Evropa e Lirë, Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.

Ai shtoi se “është vështirë të arsyetohet se si Bashkimi Evropian mund të ndërmarrë masa negative ndaj Kosovës”.

“[Bashkimi Evropian] në raportin e tij të fundit për vendin [Kosovën] e përshkruan në dritën më pozitive ndonjëherë, si në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si në demokratizim, si në zhvillim ekonomik, ashtu dhe në avancim të kornizës ligjore në përputhje me Acquis të BE-së ”, tha ai.

“Kosova dhe institucionet e saj krejt çka po kërkojnë dhe synojnë është respektim i Kushtetutës dhe sundim të ligjit. Këto janë vlera të Bashkimi Evropian. Bashkimi Evropian ka mision të veçantë në Kosovë për Sundim të Ligjit, të quajtur EULEX”, shtoi Kryeziu.

Disa burime diplomatike i kanë thënë Radios Evropa e Lirë të martwn se Bashkimi Evropian ka përgatitur disa sanksione fillestare ndaj Kosovës, për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve në veri.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha tw mwrkurwn se BE-ja nuk e përjashton mundësinë që ndaj Kosovws tw merreen edhe me masa të tjera, në qoftw se Qeveria e saj nuk i përmbush kërkesat  faktorit ndërkombëtar.

“Ka një sërë masash, apo propozime për një sërë masash. Disa prej tyre tashmë kanë hyrë në fuqi menjëherë. Disa prej tyre janë ende duke u diskutuar dhe vendet anëtare do t’i zbatojnë gradualisht, nëse nuk do të ketë ndryshim të qasjes së autoriteteve të Kosovës. Spektri është relativisht i gjerë”, tha Stano gjatë një konference për media.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paraqitur një plan prej pesë pikash, të cilat nuk përmbushin kërkesat për tërheqjen e menjëhershme të kryetarëve të padëshiruar për shmucën serbe dhe të policisë nga ndërtesat e komunave në veri.

(r.m.)