Qeveria e Kosovës do ta hartojë planin për mbështetje të ekonomisë

Prishtinë, 7 prill 2021 – Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve në Qeverinº e Kosovës, Hekuran Murati, në një konferencë për media, të mërkurën, ka bërë të ditur Qeveria do të mbështesë së shpejti bizneset që janë prekur nga masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Murati ka bërë të ditur se qeveria është në përgatitje të një plani konkret për mbështetjen e bizneseve për shpenzimet për qira dhe për punëtorë.

“Kemi bërë të pamundurën që të kujdesemi që edhe shëndeti ekonomik të mos rendohet në masë të madhe. Ideja është që të mbështetet qiraja dhe pagat e punëtorëve. Të ruhet shëndeti ekonomik dhe vendet e punës”, ka thënë  Murati.

Nga masat e reja që kanë hyrë në fuqi të mëkufren janë prekur shërbimet e gastronomisë. Këto shërbime lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi” apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat.

Sipas vendimit të Qeverisë është ndaluar edhe veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre.

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, i pranishëm në konferencën për media, ka thën se situata me pandeminë është mjaft e rënduar dhe se sipas tij, ka qytetarë cilët ndonjëherë nuk arrijnë të marrin as trajtimin me kohë.

“Situata është shumë e rëndë, sidomos në institucionet tona shëndetësore. Varianti i ri britanik është shumëfish më i rrezikshëm sepse përhapet shumë më shpejt, është shumë agresiv dhe i prek moshat e reja, të cilat do të vaksinohen tek në fazën e tretë. Ne duhet të mbrojmë jetën e secilit sepse çdo jetë është e vlefshme”, ka thënë Vitia.

Ai ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës po punojnë pandërprerë për të siguruar vaksinat, por ka shtuar se deri më tani qeveria nuk ka asnjë konfirmim lidhur me sigurimin e dozave të reja.

Më 29 mars Kosova ka nisur fushatën e imunizimit kundër koronavirusit, pas pranimit të 24.000 dozave të vaksinave të kompanisë AstraZeneca, përmes COVAX-it, skemës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.

Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, ka njoftuar se gjatë muajit maj Kosova do të furnizohet edhe me 76.800 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Në total, Kosova nga COVAX-i do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës së AstraZenecas.

Përndryshe, ekonomia e Kosovës ka shënuar humbje gjatë kohës së pandemisë.

Si pasojë e COVID-19, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e fundit të publikuar në shkurt të këtij viti, ka vlerësuar se Kosova në vitin 2020 ka shënuar rënie të ekonomisë deri në 6 për qind.

(R.M.)