Qeveria e Kosovës e miratoi draft-strategjinë e re të sigurisë

Prishtinë, 4 korrik 2022 – Qeveria e Kosovës e miratoi të hënën draft-strategjinë e sigurisë 2022-2027, e cila parasheh rreziqet, kërcënimet dhe sfidat e vendit në fushën e sigurisë.

“Strategjia paraqet objektivat e ndërlidhura me interesat shtetërore siç janë: mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajta e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore dhe zhvillimi shoqëror, si dhe integrimi në strukturat euroatlantike dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë”, tha kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovë.

Kurti theksoi se parakusht për sigurinë dhe zhvillimin e Kosovës është anëtarësimi në organizatat euro-atlantike.

“Synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE, si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Në këtë drejtim, Kosova do të aplikojë në Programin për Partneritet për Paqe dhe anëtarësim në Kartën e Adriatikut si dhe në mekanizma rajonalë të tjerë të sigurisë. Njëkohësisht Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat dhe do të zbatojë reformat e nevojshme për të plotësuar procesin e integrimit në BE”, tha Kurti.

Ai tha se draft-stretegjia për sigurinë është hartuar në konsultim edhe me partnerët e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar).

Pas miratimit në Qeveri, draft-strategjia do të dërgohet për miratim në Kuvend.

Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të këtij viti, autoritetet në Kosovë kanë shtuar thirrjet për anëtarësimin e vendit në Programin e NATO-s Partneritet për Paqe. Krerët e shtetit kanë paralajmëruar se Kosova do të aplikojë edhe për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Por, anëtarësimi në NATO dhe BE varet nga vendet që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Shtetin e Kosovën nuk e kanënjohut ende katër vende anëtare të NATO-s dhe pesë vende anëtare të BE-së.

(r.m.)