Qeveria e Kosovës e miraton projektligjin për pagën minimale

Prishtinë, 13 prill 2022 – Pas njëmbëdhjetë vjetësh, Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale.

Sipas këtij projektligji, paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 300 mijë punëtorë, ka thënë kryeministri i Kosovës Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur më 13 prill.

Në mbledhje po ashtu është vendosur që paga deri në 250 euro të lirohet nga tatimi.

Rritje të pagës minimale vazhdimisht kanë kërkuar Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Kërkesa e tyre është rritur muajve të fundit, pas rritjes së vazhdueshme të inflacionit në Kosovë.

Inflacioni, në anën tjetër, në muajin mars ka arritur në 10 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Pas miratimit në Qeveri, projektligji për pagën minimale duhet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

Sipas rregullores së Kuvendit, shqyrtimi i parë i një projektligji nuk mund të bëhet pa kaluar dy javë pune dhe as më vonë se katër javë pune, nga dita e shpërndarjes së tij.

Pas kësaj, ligji u kthehet në shqyrtim komisioneve të ndryshme, dhe amendamentet mund të parashtrohen në afat prej dy javësh.

Pastaj, komisioni funksional ia paraqet Kuvendit raportin me rekomandime për projektligjin brenda dy muajve nga shqyrtimi i parë, ose pesë ditë pune para shqyrtimit të dytë në mbledhje plenare.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011.

Shuma e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

Ajo është e ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.

(REL)