Prishtinë, 4 mars 2022 – Qeveria e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka shtruar çështjen e ndalimit të fluturimit në hapësirën ajrore të Kosovës me KFOR-in dhe NATO-n.
“Ne jemi shumë të interesuar që ta bëjmë këtë”, deklaroi të premten zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, duke shtuar se Qeveria është në koordinim me NATO-n për vendimet e hapat e ardhshëm.
Megjithatë, një zyrtar i NATO-s ka thënë të enjten për Radion Evropa e Lirë se hapësira ajrore e Kosovës mbetet e hapur.
“Komandanti i KFOR-it ka autoritetin primar për përdorimin e hapësirës së ulët ajrore mbi Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Një mbyllje e tillë nuk do të kishte ndikim operacional. KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin ditor të mandatit të saj sipas OKB-së”, ka thënë ky zyrtar i NATO-s.
Pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, Bashkimi Evropian ka vendosur më 27 shkurt disa sanksione ekonomike kundër Rusisë, duke përfshirë edhe mbylljen e hapësirës ajrore për aeroplanët rusë.
Të mërkurën, më 2 mars, njëjtë kanë vendosur edhe Shtetet e Bashkuara.
Vendimin e njëjtë e kanë marrë edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, e të premten edhe Mali i Zi.
Kundër një vendimi të tillë janë Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës, e cila ofron shërbime për aeroplanët civilë gjatë fluturimit në hapësirën ajrore të Kosovës me qëllim të aterrimit dhe ngritjes nga Aeroporti i Prishtinës.
Ndërsa, hapësira e lartë ajrore nga 6,250 e më lart, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014, është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut në këtë lartësi.
Kjo për shkak se Kosova ende nuk ka arritur kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.
Njohësit e çështjeve të sigurisë në Kosovë i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të kërkojë nga NATO-ja mbylljen e hapësirës ajrore për aeroplanët rusë.
(REL)