Qeveria e Kosovës mirëpret kërkesën e ligjvënësve amerikanë e europianë për qasje më të ashpër ndaj Serbisë

Prishtinë, 7 gusht 2023 – Qeveria e Kosovës ka mirëpritur kërkesën e grupit të ligjvënësve amerikanë e europianë që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë kërkuar të jenë më të ashpër ndaj Serbisë, në lidhje me përshkallëzimin e situatës në Kosovë.

Zëdhënësi i Qeverisës së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se qeveria u ëështë mirënjohëse ligjvënësve amerikanë e europianë për mbështetjen e Kosovës.

“Ne e mirëpresim letrën në fjalë dhe e falënderojmë kryetaren e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, senatorin Bob Menendez, kongresistët amerikanë, Torres dhe Titus, kryetarin e komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth dhe gjithsecilin prej deputetëve dhe kryetarëve të komisioneve parlamentare për Politikë të Jashtme të vendeve mike, përfshirë atë të Ukrainës, për interesimin e tyre mbi Kosovën, mbështetjen ndaj saj, por edhe angazhim për të vënë në pah në këtë letër shkaqet dhe shkaktarët e situatës në veri të vendit tonë”, ka thënë ai për Telegrafin.

Kryeziu ka thënë se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për deeskalim të plotë të situatës në veri.

“Ne mbesim të përkushtuar për deeskalim të plotë të situatës në veri, vigjilentë ndaj çfarëdo potenciali për ri-eskalim dhe besnikë ndaj ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë”, ka theksuar ai.

Në letrën e ligjvënësve amerikanë e të vendeve të Europës drejtuar SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe thuhet se Perëndimi po ka qasje të butë ndaj Beogradit.

“Kosova është përballur me pasoja të rëndësishme pas përpjekjeve të kryetarëve të komunave për të hyrë në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimin. Por mungesa e presionit të ushtruar ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për të mbajtur përgjegjësi për sulmet ndaj KFOR-it, nxjerr në pah mungesën aktuale të paanshmërisë në adresimin e pikave të tilla të ndezjes”, thuhet në letrën e kryesuesve dhe anëtarëve të komisioneve për çështje  të jashtme të SHBA-së,  Gjermanisë, Britanisë së Madhe drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell, Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken dhe ministrit të Jashtëm të Britanisë, James Cleverly.

Ata kanë kërkuar që aktorët më ndikim të vendoset “ekuilibri dhe proporcionaliteti” në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë.

Bashkimi Evropian ka ndërmarrë masa sanksionuese vetëm ndaj Kosovës, për shkak të zhvillimeve të fundit në komunat veriore.

(r.m.)