Prishtinë, 16 maj 2024 – Qeveria e Kosovës tha se është duke e përgatitur një projekt statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në një përpjekje të orëve të fundit për të siguruar anëtarësimin në Këshillin e Evropës, proces i kushtëzuar më hedhjen e hapave drejt themelimit të këtij mekanizmi.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla shkroi në rrjetet sociale se i ka nisur një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila “përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës”.
Në letër, mes tjerash, thuhet se projekt statuti i frymëzuar në bazë të një propozimi të hartuar nga Fondacioni gjerman Friedrich-Ebert ne janar të vitit 2023, do t’i dërgohet për interpretim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës deri në fund të muajit maj.
Ministrja Gërvalla shkroi se “pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte”.
Në muajin prill Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm. Por, përfshirja e saj në rendin e ditës së takimit të Këshillit të Ministrave që mbahet sot dhe nesër u pamundësua, meqë Kosova refuzoi të hedh hapa drejt themelimit të Asociacionit.
Ndonëse në raportin e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës thuhet se themelimi i Asociacionit duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, vendet e “Quint-it”, siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e kanë parë çështjen e këtij anëtarësimi si një mundësi për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti rreth kësaj çështjeje.
Ambasada gjermane në Prishtinë ritheksoi të enjten pritjet që Kosova të ndërmarrë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Këshillin e Ministrave dhe se dorëzimi i projekt-statutit në Gjykatën Kushtetuese përpara mbledhjes së këtij Këshilli do të ishte një hap i tillë. Kjo ende nuk ka ndodhur, thuhet në një përgjigje te ambasadës gjermane.
Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan Kosovës dhe Serbisë një projekt statut të Asociacionit. Udhëheqësit e të dyja vendeve i thanë po në parim dokumentit, por gjërat nuk kanë lëvizur nga vendi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha javën e kaluar se qeveria e tij nuk e pranon kushtëzimin me themelimin e Asociacionit, duke e cilësuar “absurd” një kushtëzim të tillë.
Partitë opozitare e cilësuan të gabuar dhe të vonuar veprimin e qeverisë. Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se është ditur që mbledhja e Këshillit të Ministrave mbahet me 16 dhe 17 maj dhe nuk është dashur të lihen gjerat për minutën e fundit.
“Prandaj mendoj se është veprim politikisht i gabuar, taktikisht i gabuar dhe humbje për Kosovën sepse Kosova tashmë e ka humbur mundësinë që në këtë mbledhje të merret vendim pozitiv për anëtarësimin e saj”, tha ai.
Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e cilësoi letrën e qeverisë të pakuptimtë.
Zyrtarë të qeverisë megjithatë presin që oferta e saj të shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave, me shpresën që anëtarësimi i Kosovës të shqyrtohet në një mbledhje të jashtëzakonshme më vonë gjatë këtij viti.
Mbledhjet e tilla janë të rralla dhe për të fundit herë ka ndodhur pas agresionit rus në Ukrainë, për ta përjashtuar Rusinë nga Këshilli i Evropës.
(Zëri i Amerikës)