Prishtinë, 10 korrik 2021 – Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë ka filluar diskutimet lidhur me mundësinë e heqjes së pagesës për studentë në universitete publike. Arsimi publik falas është njëra ndër pikat e programit të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.
Blerja e mjeteve për përgatitjen e një punimi gjatë studimeve për edukim parafillor, studentes së Universitetit të Gjilanit, Shpresa Sabedini, i ka kushtuar gati sa pagesa për të gjithë semestrin.
Ajo është njëra nga studentët e nivelit bachelor në universitetet publike në Kosovë, të cilët paguajnë 25 euro për semestër, përveç vitit të parë të studimeve që është falas.
Tarifat e tjera në të gjitha universitetet publike në Kosovë përfshijnë pagesën prej 150 eurosh për semestër në nivelin master dhe 500 euro për semestër në nivelin e doktoraturës.
Sipas Sabedinit, edhe pse pagesa në nivelin bachelor nuk është shumë e madhe, heqja e saj mund të ndihmojë në lehtësimin e barrës për studentë, që kanë shpenzime të tjera gjatë studimeve.
“Nëse e krahason me fakultetet private, nuk besoj që është shumë e madhe, por pasi që shumë studentë nuk janë në punë, pse mos ta largojnë krejtësisht pagesën? Do të ishte në favor të shumë studentëve”, thotë Sabedini.
Edhe për Dardan Kajdomqajn, student i juridikut në Universitetin e Prishtinës, heqja e pagesës është ide e mirë, pasi, sipas tij, do të krijonte edhe barazi për studentët me kushte më të rënda ekonomike.
Përveç semestrit, Kajdomqaj tregon se shpenzimet e studentëve përfshijnë pagesën e qirave, librave dhe gjërave të tjera gjatë studimeve.
“Kur të mblidhen, arrihet një shumë dhe të hiqet kjo (pagesa e semestrit) do të na lehtësonte. Nuk është mrekulli, por është pozitive”, thotë ai.
Tarifat nuk hiqen për studentët që ngelin
Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se plani për heqjen e tarifave pritet të realizohet më së voni vitin e ardhshëm.
Sipas tij, po planifikohet që tarifat të mos hiqen për studentë që e përsërisin vitin dhe për studentët e doktoraturës, pasi, sipas tij, “janë në shumicë të punësuar”.
“Tarifat për pagesa do të hiqen dhe këto ditë do të formohet grupi i punës për ndryshimin e udhëzimit administrativ. Me siguri që do t’i jepet përparësi heqjes së tarifave për studentët që regjistrojnë vitin për herë të parë, jo edhe për ata që e përsërisin vitin”, tha Pupovci.
Sipas llogarisë së Ministrisë, shtatë universitetet publike në Kosovë, nga pagesat e studentëve përfitojnë rreth 1.6 milion euro në vit dhe, sipas Pupovcit, kjo nuk është ndonjë shumë e papërballueshme për kompensim nga Qeveria.
Prorektorja për Financa në Universitetin e Prishtinës, Mihane Berisha, tha se buxheti total i këtij universiteti për këtë vit është mbi 31 milionë euro.
Sipas saj, nga kjo shumë, 12.49 për qind e mjeteve vijnë nga të hyrat vetanake dhe pjesa tjetër nga buxheti i shtetit.
Ajo tha se deri më tani, UP-ja nuk ka ndonjë njoftim nga Ministria e Arsimit lidhur me planet për heqjen e tarifës.
ORCA: Heqja e pagesës, premtim sipërfaqësor
Investimi në infrastrukturë dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë në arsim, sipas Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), do të duhej të ishin priorite për Qeverinë.
Dibran Hoxha, nga kjo organizatë, tha se heqja e kësaj pagese nuk ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së studimeve, e as në heqjen e barrës së shpenzimeve për studentë.
“Shpenzimet tjera që lidhen me infrastrukturën, me literaturën – sidomos që duhet ta sigurojnë studentët… Do të duhej që në këtë aspekt të bëhen lehtësime, e jo në këto tarifa që, fundja, më shumë janë taksë administrative, sesa, ku ta dimë, çfarë pagese apo shpenzimi për studentë”, tha Hoxha.
Sipas Hoxhës, ky premtim është “shumë sipërfaqësor për arsimin e lartë” dhe me “elemente populiste”.
Sipas një studimi që ORCA e ka bërë në vitin 2019, i quajtur “Shporta e Studentit”, studentët shpenzojnë mesatarisht 37.7 euro për semestër në literaturë të nevojshme për studime.
“Përveç literaturës së nevojshme për studime, studentët gjithashtu kanë shpenzime të materialeve të tjera të nevojshme. Këto shpenzime variojnë nga fakulteti në fakultet dhe mund të përfshijnë: hamerat, çantat speciale, stilolapsa specialë për fakultetet teknike, mantelin e bardhë, doreza, kapuçat dhe maskat e të tjera”, thuhet në raportin e ORCA-s.
Por, pandemia e sëmundjes COVID-19, sipas Erblin Hoxhës, kryetar i Parlamentit të Studentëve në Universitetin e Prishtinës, e ka bërë edhe më të nevojshme heqjen e pagesës për studime.
“Pandemia i ka larguar shumë studentë nga puna që kanë punuar me gjysmë orari ose me orar të plotë dhe nuk kanë pasur mundësi të bëjnë pagesa”, tha ai.
Të dhënat tregojnë se Kosova është një ndër vendet e vetme në Ballkan që aplikon pagesë të njëjtë për studentë të të gjitha drejtimeve.
Në Serbi, studentët në universitetin publik mund të paguajnë nga 350 euro në vit për inxhinieri mekanike e deri në 2,100 euro për drejtime si arkitektura, përpos nëse performojnë mirë në testin aplikues dhe përfitojnë bursë shtetërore.
Të dhënat në studimin e ORCA-s, në anën tjetër, thonë se studentët në Maqedoninë e Veriut paguajnë 200 deri në 400 euro në vit dhe studentët në Shqipëri paguajnë 160 deri në 330 euro në vit, varësisht se çka studiojnë.
(Doruntina Baliu, REL)