Qeveria e Kosovës pret vlerësimin e situatës në veri për hapa të mëtejmë

Prishtinë, 7 dhjetor 2022 – Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se nga organet e sigurisë janë duke pritur vlerësimin e situatës në veri para se të vendoset për hapat e mëtejmë.

“Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, ka shkruar Kryeziu në një postim në Facebook.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve”, ka theksuar ai.

“Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë. Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës”, ka shkruar Kryeziu.

“Qytetarët tanë atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre. Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre. Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri”, ka theksuar ai.

Të martën grupe të qytetarëve serbë në katër komunat veriore të Kosovës e  penguan hapjen e zyrave të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente me armë zjarri dhe me granata.

Zgjedhjet në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan) janë caktuar për 18 dhjetor.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Honevier, e ka dënuar aktet e dhunës dhe frikësimit në veri. Ai ka thënë se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë pjesë të Kosovës.

Udhëheqësit e Kosovës i dënuan incidentet e së martës, ndërsa kryeministri Albin Kurti paralajmëroi shtim të forcave në veri.

Zyrtarë të KQZ-së thanë, po ashtu, se në rrethana të tilla, “nuk mund të punohet sipas planeve të parapara”.

(r.m.)