Qeveria e Kosovës: Ura e Ibrit duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve

Prishtinë, 2 gusht 2024 – Qeveria e Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullim të automjeteve, përkundër kundërshtimit të vendeve të QUINT-it dhe NATO-s.

Ky qëndrim është shprehur të premten, në takimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me shefat e misioneve diplomatike të vendeve të QUINT-it (SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) dhe ambasadorin e BE-së.

“Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë. Qeveria është edhe për lëvizje të lirë edhe për integrim të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e kryeministrit, pas takimit me ambasadorët.

Nga komunikata mësohet se çështja e urës së Ibrit, e cila është bërë simbol i ndarjes së qytetit në dy pjesë, ka qenë temë kryesore e takimit.

“Ky takim sot u zhvillua pikërisht 8 vjet pas diskutimeve që ishin mbajtur me 2 gusht 2016 në Bruksel në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës në kuadër të dialogut në Bruksel, e që u pasua pastaj me Planin e Bashkimit Evropian për hapjen e urës së Mitrovicës për këmbësorë dhe automjete në dy drejtime. Kryeministri Kurti paraqiti para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër. Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatëst, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë konsultimet dhe koordinimin e veprimeve për hapjen e urës, duke theksuar se hapja e saj “është në shërbim të të gjithëve dhe nuk është kundër askujt”.

“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se ‘rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim’. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi.

Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë. Qeveria është edhe për lëvizje të lirë edhe për integrim të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Në takim me Kryeministrin Kurti kanë marrë pjesë: Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, Ambasadori i Francës, Olivier Guérot, Ambasadori i Italisë, Antonello De Riu, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, zëvendësambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Paul O’Connor dhe zëvendësambasadori i Gjermanisë, Matthias Conrad.

Në takim kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

(r.m.)