Qeveria e Serbisë emëroi organin e përkohshëm të Këshillit Kombëtar Shqiptar

Beograd, 3 mars 2023 – Qeveria e Serbisë e ka emëruar organin e përkohshëm të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Kryetar i këtij organi është emëruar kryetari i deritashëm i Këshillit, Ragmi Mustafi, përfaqësues i Partisë për Veprim Demokratik, kurse anëtarë janë emëruar: Enkel Rexhepi nga Partia për Veprim Demokratik, Nevzad Lutfiu nga Lëvizja për Progres Demokratik, Agim Haliti nga Partia Demokratike dhe Enver Mehmeti nga Partia Demokratike e Shqiptarëve.

Alternativa Demokratike e Shqiptarëve e kryetarit aktual të komunës së Preshevës, Shqiprim Ariifi, ka refuzuar ta ketë përfaqësuesin e saj, përkundër sugjerimit të ambasadorit të OSBE-së në Serbi, Ian Brathu, i cili është angazhuar për zgjidhjen e krizës lidhur me emërimin e anëtarëve të këtij organi.

Emërimi i organit të përkohshëm është bërë nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave e Serbisë pasi partitë politike shqiptare nuk arritën të zgjedhin me konsensus kryetarin e Këshillit, funksion i të cilit është mbrojtja dhe realizimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

Detyrë kryesore e organit të përkohshëm do të jetë përgatitja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor, në të cilin do të zgjidhen pesëmbëdhjetë anëtarë të rinj të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Sipas Ligjit për Zgjedhjen e Këshillave Nacionale të Pakicave, zgjedhjet e jashtëzakonshme për përbërjen e re të këshillit duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Kandidatët për anëtarë të Këshillit Kombëtar Shqiptar duhet të kenë nënshkrimet e së paku 30 qytetarëve shqiptarë që janë të regjistruar në regjistrin e veçantë të zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e kaluara, të cilat janë mbajtur më  13 nëntor, Partia për Veprim Demokratike dhe Alternativa Demokratike e Shqiptarëve i kanë fituar nga 5 mandate, Partia Demokratike dhe Partia Demokratike Shqiptare nga 2 mandate dhe Lëvizja për Progres Demokratik një mandate.

(r.m.)