Qeveria e Shqipërisë e miratoi “Paketën e Rezistencës Sociale”

Tiranë, 12 mars 2022 – Qeveria e Shqipërisë e miratoi të shtunën një paketë të ndërhyrjeve për të përballuar goditjen e rritjes së çmimeve tënaftës dhe të artikujve tëshportës, të cilën kryeministri Edi Rama e quajti “Paketë e Rezistencës Sociale”.

Rama shpjegoi se kjo paketë përbëhet nga 7 pika.

Qeveria do të indeksojë pensionet, duke vënë në dispozicion 36 milionë dollar,ndërsa për kategoritë më të prekura të pensionistëve dhe të shtresave në nevojë, ose për 437 mijë përfitues, qeveria do të ofrojë tre muaj rresht një shumë prej 3 mijë lekësh në muaj, për të kompensuar rritjen e çmimeve të shportës.

Një tjetër mbështetje, prej afro 19 milionë dollarësh, shkon për fermerët, duke rritur fondin për kompensimin e çmimit të naftës, të cilin ata e marrin të zhveshur nga taksat. Ndërsa një shumë prej 5 milionë dollarësh do të vihet në dispozicion të qytetarëve për të kompensuar çmimin e biletës së transportit publik.

Qeveria do të afrojë dy muaj edhe ndryshimet në taksën mbi të ardhurat që parashikojnë zerimin e saj mbi të ardhurat për ata me pagë mujore prej 40 mijë lekësh, përgjysmimin e taksës për pagat deri në 50 mijë lekë dhe uljen e taksës për pagat nga 150 mijë deri 200 mijë lekë në muaj.

Në të njëjtën kohë, do të hyjë në fuqi edhe rritja e pagës minimale me 2 mijë lekë, që do të thotë rritje nga 30 mijë në 32 mijë lekë në muaj.

Ndërkaq, një shumë prej 200 milionë dollarësh do të derdhet menjëherë për të mbuluar çmimin e energjisë elektrike.

“Paketa e Rezistencës Sociale” u miratua në kohën që para zyrës së kryeministrit Ramës po mbahej protesta e qytetarëve kundër ngritjes së çmimeve të karburanteve dhe të artikujve të shportës.

Përveç në Tiranë, protesta kundër goditjes së standardit jetësor të qytetarëve u mbajtën edhe në qytetet tjera më të mëdha të vendit.

Protestuesit  thonë se do të vazhdojnë të protestojnë derisa qeveria të marrë masa për mbrojtjen e standardit të qytetarëve.

Nga protestat u drejtuan akuza të rënda ndaj  qeverise dhe kryeministrit Rama, por edhe u kërkua edhe dorëheqja e Ramës.

Të premten, Rama reagoi ashpër kundër protestave, duke i akuzuar liderët e opozitës për nxitje  të pakënaqësive dhe protestave të qytetarëve.

Por, oratorët e shumtë në protesta e mohuan kategorikisht përfshirjene partive politike nëshprehjen e pakënaqësisë së tyre.

(r.m.)