Tiranë, 30 shtator 2022 – Në Tiranë, qeveria vendosi që çmimet e reja të energjisë mbi masën 800 kilovat/orë të mos hyjnë në fuqi më 1 tetor, për shkak të rënies së kërkesës për energji dhe shtimit të rezervave në hidrocentrale.
Kryeministri Rama tha sot se kursimi i energjisë është mënyra kryesore për ta kaluar dimrin pa kufizime energjie.
“Në 1 shtator kur ne vendosëm fashën me çmim të mbrojtur deri 800 kilovat/orë, kërkesa për energji nga KESH ishte rreth 17 mijë kilovat/orë, sot është rreth 11 mijë kilovat/orë. Në 1 shtator kur linçuam fashën mbi 800 kilovat/orë, kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë se sa ç‘është sot pra, dhe në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta, dhe rol të rëndësishëm ka edhe fillimi i dukshëm i një qasje pozitive të abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë”, tha zoti Rama.
Qeveria dhe Enti Rregullator i Energjisë miratuan një çmim 4 herë më të lartë të energjisë elektrike, për ata konsumatorë familjarë, që do të harxhojnë mbi 800 kilovat/orë, ndërsa për ata që nuk e kalojnë këtë nivel, nuk do t’i prekë çmimi i ri.
Sipas studimit të qeverisë, rreth 96 për qind e popullatës konsumon mesatarisht 800 kv, dhe vetëm 4 për qind e kapërcejnë këtë prag.
Opozita shprehu shqetësim mbi pafuqinë e buxheteve familjare për të paguar energjinë, si dhe për mungesën e politikave shtetërore në diversifikimin e burimeve të energjisë.
Përfaqësues të saj pohuan se çmimet e reja do të prekin një masë më të madhe qytetarësh nga sa thonë zyrtarët.
Sipas tyre, qeveria po abuzon me çmimin dhe menaxhimin e energjisë elektrike, kur peshën kryesore ia la konsumatorëve familjarë dhe favorizon kompanitë kliente të saj.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)