Qeveria e Shqipërisë shpall “emergjencën energjitike”

Tiranë, 8 tetor 2021 – Qeveria e Shqipërisë vendosi sot të shpallë emergjencën energjitike.

Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë, tha se ky vendim është pasojë e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

“Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumenta financiarë qoftë dhe me instrumenta të natyrës administrative”, tha Rama.

“Me këtë vendim i hapim rrugë dhe ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm për të përballuar këtë situatë”, theksoi ai.

“Qellimi ynë është që të mbrojmë konsumatorët tanë, sigurisht me një rend prioritetesh ,nga poshtë  lartë, nga ata që janë më në nevojë e duke vajtur më lart. Pra, nga më të dobëtit te më të fortët”, u shpreh Rama

Ai e përjashtoi mundësinë e një rritjeje të çmimit të energjisë për qytetarët, por paralajmëroi se kjo situatë nuk do të mund të kalojë pa kosto.

“Eshtë shumë e rëndësishme që ne të bëjmë gjithçka, por i them çdo qytetari se hesapet janë hesape dhe kjo është shtëpi e përbashkët dhe, si në çdo shtëpi të vogël, dhe shtëpia jonë e madhe i ka mundësitë e veta jo të pakufizuara dhe ka përgjegjesinë e përbashkët për ta mbajtur atë në këmbë”, tha ai.

Rama nuk dha asnjë detaj mbi planin e masave që do t’i ndërmarrë  qeveria për përballimin e situatës energjetike, i cili pritet të bëhet publik të shtunën.

Në Europë, rritja e ndjeshme e çmimit të energjisë elektrike ka pasuar me rritjen e çmimit të gazit, të qymyrit dhe të naftës. Në Shqipëri, efektet ndihen për shkak se, në këtë periudhë, vendi është i detyruar të importojë energji për të mbuluar mungesën e energjisë së prodhuar në vend.

Çmimet aktuale të energjisë që sigurohet nga importi kanë kërcyer në nivele shumë të larta.

(r.m.)