Qeveria e urdhëron Agjencinë Kadastrale ta zbatojë vendimin e Kushtetueses për pronat në afërsi të Manastirit të Deçanit

Prishtinë, 13 mars 2024 – Qeveria e Kosovës ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën e pronës të 24 hektarëve të tokës në afërsi.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se qeveria e ka marrë këtë vendim për ta plotësuar kushtin për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve: ta plotësojë këtë kusht në mënyrë që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës apo të ngelë pa u anëtarësuar.

Kuri e ka cilësuar këtë vendim si “të arsyeshëm”, por edhe si “jo të drejtë”.

“Mbi të gjitha, kërkohej një vendim i arsyeshëm, fatkeqësisht jo i drejtë në plotninë e tij. Megjithëkëtë, për të arritur një qëllim shumë madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët, ne duhet bërë një hap përpara me maturi e përgjegjësi, si vend i pavarur dhe sovran. Andaj sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Kushtetueses, kurse ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës ishte e detyruar ta marrë këtë vendim, sepse nuk ka mjete legale juridike për anulimin e vendimit të Gjyktës Kushtetuese.

“Nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë, ndërse ndërkohë ka edhe procese të tjera gjyqësore për këtë çështje të mbetura pezull. Por, ne, si qeveri, s’kemi më mjete legale e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.

Megjithatë, ai e ka cilësuar si “fitore historike” për Kosovën anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

“Nuk do ta ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm, asnjëherë. Në anën tjetër, s’ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe hap gjigant për Republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në BE për Kosovë ne pavarur:, ka thënë ai.

“Në ushtrimin e gjykimit për këtë çështje jam prirë nga arsyeja e shëndoshë. Askush nuk ka të drejtë t’ia ndalë Kosovës të drejtën për të qenë shtet i barabartë me çdo shtet tjetër të kontinentit. Askush s’ka të drejtë t’ua humbasë qytetarëve të drejtën që të ndihen qytetarë evropianë duke pasur të drejtën për t’iu qasur Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe dhjetëra mekanizmave të tjerë që e përbëjnë makinerinë diplomatike panevropiane”, ka theksuar ai.

Kurti ka thënë se më 22 mars do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e Komitetit të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, kah mesi i muajit prill do të mbahet mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme, ndërsa në fund të majit do mbahet mbledhja e Këshillit të Ministrave, ku pritet të vendoset për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kreshnik Ahmeti, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka thënë se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për bartjen e pronësisë së 24 hektarëve të tokës dhe pyllit te Manastiri i Deçanit ka qenë kusht i vetëm për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai ka thënë se në kabinëetin qeveritar nuk ka pasur consensus për këtë çështjëe deri më sot.

Kontesti gjyqësor për çështjen e pronësisë ndaj 24 hektarëve të tokës dhe pyllit neë afërsi të Manastirit të Deçanit ka zgjatur prej vitit 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të manastirit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, asokohe, e hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të vitit 2015 për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i Gjykatës Supremes i vitit 2012, i cili ia njihte Manastirit të drejtën e pronësisë ishte gjykim i formës së prerë.

Para rreth tri vjetësh, Gjykata Kushtetuese tha se ajo nuk ka juridiksion të vlerësojë përgjegjësinë për mosekzekutimin e vendimeve të gjyqësorit nga organet përgjegjëse. Ajo tha se kjo çështje bie në komopetencë të Prokurorit të Shtetit.

Çështja e pronës në Manastirin e Deçanit ka krijuar mosmarrëveshje mes autoriteteve lokale në Deçan dhe Manastirit të Deçanit edhe për trasenë e rrugës Deçan – Plavë. Punimet në ndërtimin e kësaj rruge janë ndërprerë disa herë për shkak se Kisha Ortodokse Serbe e kundërshtoi kalimin e rrugës pranë manastirit, duke u thirrur në një dispozitë të Planit të Ahtisarit për Zonat e Mbrojtura. Pas ndërhyrjes së Qeverisë së Kosovës dhe të faktorit ndërkombëtar në Kosovë, para rreth katër vjetësh, një këshill i përbërë nga përfaqësues të Qeverisë, të Kishës Ortodokse Serbe dhe përfaqësisë ndërkombëtare në Kosovë vendosi për ndërtimin e një rruge alternative, e cila anashkalon hapësirën rreth Manastirit të Deçanit.

(r.m.)