Prishtinë, 8 prill 2024 – Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje Listës Serbe që, siç tha, të mos përhapë dezinformata dhe të mos u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës “që duan të jenë pjesë e procesit demokratik të 21 prillit”.
Sipas një Udhëzimi Administrativ të Qeverisë së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka caktuar për 21 prill votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Këtij votimi i parapriu mbledhja e nënshkrimeve për peticionin lidhur me zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, të cilët u zgjodhën dhe morën detyrën në maj, pasi serbët bojkotuan zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar.
Peticioni u mbështet edhe nga Lista Serbe, por më 7 prill, kjo parti, që është partia kryesore e serbëve në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e Beogradit, tha se nuk do të marrë pjesë në procesin e votimit “sepse kryeministri i Kosovës, [Albin] Kurti ka bërë gjithçka që procesi të mos jetë i suksesshëm”.
“Ai [votimi i 21 prillit] është rezultat i kërkesës dhe nënshkrimeve të mbledhura nga qytetarë të Republikës së Kosovës, banorë të këtyre katër komunave. Udhëzimi administrativ që parasheh mundësinë e largimit të kryetarëve të komunave, respekton vullnetin politik të qytetarëve”, tha Qeveria e Kosovës përmes një përgjigjeje dërguar Radios Evropa e Lirë.
Ekzekutivi kosovar i bëri thirrje qytetarëve në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, që të shfrytëzojnë mundësinë dhe të drejtën e tyre për të votuar për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, pretendoi të dielën se janë afër 46.000 votues me të drejtë vote, por situata në terren është ndryshe sepse muajt e fundit, rreth 15 për qind e serbëve janë larguar. Në këtë mënyrë, ai aludoi se votimi i 21 prillit nuk mund të jetë i suksesshëm pasi kërkohet që 50 për qind plus një votë nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar të votojnë për shkarkimin e kryetarit të komunës.
Ai shtoi se listat e votuesve “nuk pasqyrojnë gjendjen reale në terren” dhe se numri i shqiptarëve në listat e votuesve është rritur”, por Ellek nuk paraqiti asnjë dëshmi për këtë pretendim.
“Me veprimet e tyre, po dëshmojnë se në fokus nuk i kanë interesat e qytetarëve. Nga metodat e Listës Serbe e të Beogradit zyrtar, nuk ka përfituar qytetari privat, përkundrazi”, u tha në përgjigjen dërguar nga Qeveria e Kosovës.
Sipas udhëzimit, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Dhe nëse votimi është i pasuksesshëm, një iniciativë e re mund të ndërmerret sërish pas 12 muajsh.