Tiranë, 5 shtator 2023 – Këshillit i Ministrave vendosi në fund të gushtit transferimin e një fondi me vlerë 892 milion lekë, për rehabilitimin e kanaleve në zonën e Porto-Romanos, Kënetës dhe rrjetit të ujërave të shiut në qytetin e Durrësit. Si pas vendimit të qeverisë financimi në Porto-Romano dhe në Ish-Kënetë do të përqendrohet në ndërtimin, mbikëqyrjen dhe kolaudimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit, që përfshin kanalet bujqësore të cilat me popullimin e zonës pas vieteve’ 90 “ndryshuan destinacion” dhe përveç ujit të shiut aty shkarkohen pa ndërprerje ujërat e zeza.
Një investigim i BIRN, i publikuar pak javë para vendimit të qeverisë, gjeti se pavarësisht investimeve prej dhjetra milion eurosh dhe planeve të kryeministrit Edi Rama për ta kthyer Durrësin në një “Dubai të vogël”, vetëm 54% e qytetit ishte e mbuluar me kanale ujërash të ndotura, ndërsa pjesa tjetër derdhet në natyrë e përfundonte në detë. Ekspertët e mjedisit vunë në dukje se mungesa e kanalizimeve shkakton ndotje të lartë organike të ujërave sipërfaqësore si pasojë e shkarkimeve urbane të patrajtuara dhe vlerat e tejkalojnë normën e lejuar në stacionin e monitorimit në Porto-Romano.
Vendimi i qeverisë për të ndërhyrë në këtë infrastrukturë u mor më 30 gusht dhe erdhi si një pikë shtesë në vendimin e marrë më herët më 18 shator 2021, përmes të cilit u vendos që Bashkisë Durrës t’i transferohej fondi me vlerë 398 milionë lek pa TVSH. Fondi i investimit është marrë nga buxheti i rindërtimit dhe e gjithë ndërhyrja parashikohet të kushtojë 1.9 miliardë lek ose rreth 18.4 milion euro.
Zonat e qytetit ku është përqendruar numri më i madh i popullsisë, si Shkozeti, Ish-Këneta, Porto-Romano dhe Spitalla, në pjesën më të madhe i derdhin ujërat e përdorura të banesave dhe bizneseve në kanalet e hapura bujqësore, të cilat përfundojnë më pas në det. Gjithashtu stacioni i pompimit të Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës në Ish-Kënetë, i shkarkon ujërat e zeza në kanalin bujqësor, duke përfunduar më pas në det përmes hidrovorit në Porto-Romano. Ndërsa qyteti vijon të përballet me përmbytje në rastet e shirave të dendur, duke i ndotur rrugët e qytetit me ujëra të zeza, për shkak të fryrjes së kanalizimeve dhe të pusetave, pasi ujërat e zeza dhe të shiut mblidhen në të njëjtin rrjet kanalizimesh.