Nga Naser Nika
Me shumë vëmendje po ndjekim situaten në vendlindje dhe me politikën e re të Qeverisë së re në Mal të Zi jemi të pakënaqur.
Me projektet e politikës serbomadhe po vazhdojnë në një formë të re, më perfide dhe më të rrezikshme.Nuk jemi të zhgënjyer me ato që bëjnë shumicën por nga “çelsi” që po mbanë në pushtet dhe po i diskriminon bashkëkombësit e vet me ligjin e ri, z.Dritan Abazoviqin.
Ne që kemi lindur dhe rritur në Mal të Zi nuk do kemi të drejtë votimi sepse ashtu i konvenon poiitikës serbomadhe.I kemi ndigjuar votuesit e pozitës duke thënë që ne në Diasporë nuk kemi të drejtë të vendosim për ardhmërinë e tyre. Është e vërtetë që ne votojmë ( jo të gjithë) dhe i kthehemi jetës në vendbanimin tonë, këtu në SHBA e gjetiu por mos të harrojnë që ne përkrahim ardhmërinë e familjarëve tanë atje dhe japim kontributin tonë vazhdimisht duke qenë gjithmonë të kujdesshëm me ndihma financiare kurdoherë që është paraqitur nevoja. Kontribuam edhe në formimin e shtetit. Do kontribonim edhe me investime sikur ta ndjenim sigurinë dhe rrugëtimin në drejtim të duhur të politikës malazeze, por vota jonë nuk do ndikojë sepse ashtu donë ato që deklarativisht betohen në ardhmërinë europiane e veprimet i kanë në kundërshtim me vlerat europiane.
Nuk kanë as forcë ta quajnë gjenocid ate çka ndodhi në Srebrenicë sepse janë ithtarët e atyre që realizuan ato krime. Na dhemb më shumë kur anijes po ia mbanë kursin kapiteni nga Ulqini. Na dhemb kur kujtojmë kufomat dhe listen e të humburve ne lumin Danub të vëllezërve tanë dhe kryeministri aktual e quan “Kosmet”. Na dhemb sepse kapiteni në rolin e nënkapitenit mendon se është e drejtë ajo rrugë. Mendon se korupcioni luftohet me ato që urrejnë të gjithë ato që nuk vazhduan politikën e viteve të ’90-ta dhe të cilët bënë kthesë.Ato që nga viti ’98 u distancuan nga politika e kasapit të Ballkanit dhe avancuan (jo sa duhet) pakicat në Mal të Zi. Ndoshta ishin “për sy e faqje” , por ishin edhe shqiptarët dhe popujt tjerë pakicë të përfshirë në çdo Qeveri nga viti 1998 e deri në vitin 2020.
“Nuk shkyhet jorgani për një plesht” kanë thanë të moçmit dikur. Nuk luhet me at muzikë o Dritan djali se fundi i shihet jo “zi në të bardhë” por zi e ma zi në t’zezë pa asnjë të bardhë.
Apeloj te shoqatat ekzistuese këtu në SHBA dhe kudo ku frymojnë shqiptarët që të ngrisin zërin dhe të kundërshtojmë për këtë padrejtësi që po përgatitë Qeveria malazeze. Mund të mos kenë të drejtë vote ato që lindën këtu por neve që u rritem atje dhe morëm pjesë në disa zgjedhje deri tani nuk guxohet të na mohohet e drejta legjitime për të vendosur në cilin drejtim do udhëtoj anija jonë e përbashkët në vendlindje sepse shumica nga ne , këtu e kemi trupin por zemren e mendjen atje. Atje , pjesa dërmuese e gjenerarave të vjetra kanë dëshirë edhe të pushojnë në amshim.