Tiranë, 11 shtator 2023 – Qeveria shqiptare po mban të ngrira rreth 2,9 miliardë lekë (28 milionë euro) financime të donatorëve për trajtimin e mbetjeve.
Pasi objektet e incenerimit u përfshinë në hetim, financimi i huaj për projektet në fushën e menaxhimit të mbetjeve u vu në statusin “ i ngrirë” nga Ministria e Financave (shiko tabelën e mëposhtme).
Por Ministria e infrastrukturës në buxhetin afatmesëm 2023-2015 që ka dorëzuar në Ministrinë e Financave planifikon që të zhbllokojë përdorimin e kësaj shumë nga ky vit deri më 2025.
Qeveria shqiptare, deri më tani, ka financuar me rreth 150 milionë euro nga taksat të shqiptarëve ndërtimin e tre inceneratorëve në Fier, Elbasan dhe Tiranë.
Struktura e posaçme e hetimit të korrupsionit (SPAK) pas një investigimi që zgjati disa vite vendosi masën e sekuestros ndaj kompanive që kishin fituar kontratat me Partneritetit- Publik Privat për ndërtimin e tyre. Hetimet zbuluan skema mashtrimi që përfshinin shkeljen e ligjeve rregulloreve në mënyrë të organizuar nga një seri zyrtarësh të lartë më dëm financiar në taksat e shqiptareve.
Inceneratorët kryesojnë listën e investimeve të pesëvjeçarit të fundit të qeverisë sipas dhënave nga Ministria e Financave. Edhe pse hetimet gjetën shkelje të rënda, buxheti i shtetit vijon pagesat dhe entet e linjës nuk zhvilluan hetime administrative për të mos paguar kontratat.
Përveç fondeve të pushtetit vendor, Ministria e Infrastrukturës parashikon të shpenzojë vitin që vjen rreth 1,6 miliardë lekë ose mbi 15 milionë euro për menaxhimin e mbetjeve Urbane.
Shqipëria është në qendër të vëmendjes së turizmit ndërkombëtar dhe çështja e trajtimit të mbetjeve mbetet emergjentë për shumicën e bashkive të vendit sidomos ato në zonat turistike.
Sakaq, financimet e donatorëve po bëhen gjithnjë e më të vështira për tu përdorur nga qeveria shqiptare për shkak të procedurave dhe transparencës që kërkohet. Më herët ketë vit OLAF (zyra kundër mashtrimit në BE) vendosi masën e bllokimit për fondet iPARD dedikuar bujqësisë.
Rezultatet paraprake të hetimeve tregojnë se fondet e IPARD janë dhënë ndaj personave që nuk kanë lidhje me bujqësinë.